Heshtja, klubet e Myzeqesë po e “hanë turpin me bukë”. Përgjegjësia pa autorë, dështimi lë shenjë te Lushnja dhe Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2026 | 13:41

Heshtja, klubet e Myzeqesë po e “hanë turpin me bukë”. Përgjegjësia pa autorë, dështimi lë shenjë te Lushnja dhe Apolonia

Sezoni 2025-2026 ka rezultuar katastrofik për futbollin myzeqar, pasi dy klubet me emër dhe histori, Lushnja dhe Apolonia, zbritën për herë të parë në nivelin e tretë të futbollit shqiptar, pikërisht në Kategorinë e Dytë. Rezultatet e dobëta të koleksionuara nga këto dy ekipe gjatë vitit 2026 rezultuan fatale, pasi skuadrat nisën një rënie të lirë dhe në fund përfunduan aty ku askush nuk e kishte imagjinuar.

apolonia lushnja

Apolonia fitoren e fundit e mori më 3 dhjetor 2025 ndaj Besës dhe që nga ajo ditë e deri në fund të sezonit nuk arriti të marrë asnjë trepikësh. Ndërsa te Lushnja u mendua se me uljen në pankinë të trajnerit Artan Bano situata do të ndryshonte dhe ekipi do të hynte në zonën “play off”, por çuditërisht ndodhi e kundërta dhe verdhejeshilët u rrëzuan në fund të sezonit. Rënia është edhe më e hidhur për Lushnjën, pasi buxheti i klubit ishte ndërtuar për të synuar ngjitjen në elitë dhe jo zbritjen në Kategorinë e Dytë. Bëhet fjalë për një buxhet prej 500-600 milionë lekësh, shumë e akorduar nga financat e Bashkisë Lushnjë. Nga ana tjetër, dështimi financiar i Apolonisë është disi më i justifikueshëm, pasi fierakët operuan me modelin “low cost”, duke u bazuar kryesisht te lojtarët e rinj, produkt i akademisë. Mungesa e eksperiencës ishte një nga faktorët kryesorë te fierakët, por duhet pranuar se keqmenaxhimi i drejtuesve mbetet arsyeja kryesore e këtij dështimi spektakolar të dy klubeve të Myzeqesë.

Ajo që e rëndon edhe më shumë situatën është heshtja që ka pllakosur në të dy qytetet, pasi ky dështim po kalon pa zë dhe askush nuk po merr përgjegjësi. I vetmi që e ka pësuar deri në këto momente është trajneri i Apolonisë, Marko Jovanoviç, i cili u largua duke marrë me vete edhe përgjegjësinë e dështimit sportiv të fierakëve. Myzeqeja konsiderohet hambari i Shqipërisë, port e Lushnja dhe Apolonia turpin sportive po e hanë me bukë, duke u pajtuar me zbritjen në Kategorinë e Dytë. Sezoni 2026-2027 rezulton si një ironi fati për Kategorinë e Dytë, për vetë klubet që militojnë në këtë nivele futbolli. Emra si Lushnja, Apolonia, Luftëtari dhe Tomori jemi mësuar që në të shkuarën ti shohim duke konkurruar në elitën e futbollit shqiptar, ndërsa në sezonin e ri do të luajnë në nivelin e tretë.

PANORAMASPORT.AL