“Heroi” i ngjitjes së kurbinasve në “finalen” ndaj Pogradecit. Biba: Trofeu personal s’ka vlerë para Laçit të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2026 | 12:30

“Heroi” i ngjitjes së kurbinasve në “finalen” ndaj Pogradecit. Biba: Trofeu personal s’ka vlerë para Laçit të Superiores

Në fitoren vendimtare të së dielës ndaj Pogradecit, një nga protagonistët absolutë të Laçit ishte portieri 21-vjeçar, Ortelio Biba, i cili u shndërrua në heroin e kurbinasve në ndeshjen që vulosi rikthimin e skuadrës në Kategorinë Superiore.

laci fitore

“Gardiani” kryeqytetas, që deri në javën e 31-të ka regjistruar 16 ndeshje me fanellën e Laçit këtë sezon, ishte vendimtar në momentin më delikat të sfidës. Në minutën 45+3, ai priti penalltinë e kapitenit të Pogradecit, Vangjel Zguro, duke i dhënë skuadrës së tij avantazhin psikologjik në atë që konsiderohej “finalja” e sezonit. Kjo ndërhyrje vendimtare u bë një nga momentet kyçe që çoi Laçin drejt suksesit madhor, rikthimit në elitën e futbollit shqiptar. Paraqitja e tij u vlerësua edhe nga zyrtarët e ndeshjes, të cilët e shpallën “Lojtarin e ndeshjes”. Pas suksesit dhe arritjes së objektivit madhor të kurbinasve, Biba tregoi modesti, duke vendosur suksesin e skuadrës mbi arritjen personale.

otelio biba laci

“Nuk ka shumë rëndësi për mua ky trofe personal, përpara kësaj fitoreje madhore të ekipit tonë, që e rikthen Laçin në elitën e futbollit shqiptar. Kjo nuk është vetëm merita ime, por e të gjithë skuadrës”, u shpreh fillimisht portieri për “Panorama Sport”. Biba është pjesë e Laçit prej vitit 2022, kur iu bashkua klubit nga grupmoshat e Internacionalit, dhe këtë sezon ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rrugëtimin drejt ngjitjes. Më tej, portieri theksoi se ky sukses ishte objektivi kryesor i skuadrës gjatë gjithë sezonit.

“E kemi kërkuar me ngulm këtë sukses gjatë gjithë vitit dhe kjo është arritja më e madhe e sezonit, rikthimi i Laçit në Superiore”, vijoi ai. Në fund, Biba bëri edhe një dedikim të veçantë për këtë sukses historik. “Në radhë të parë dua t’ia dedikoj familjes sime, por edhe tifozëve laçianë, që sot ishin të jashtëzakonshëm dhe na dhanë një mbështetje të madhe”, përfundoi portieri 21-vjeçar. Me një paraqitje vendimtare dhe me një pritje që vlejti sa një gol, Ortelio Biba u bë simboli i ndeshjes që riktheu Laçin aty ku i takon, në Superiore.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL