“Hallet” para derbit, lodhje dhe mungesa tek Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2025 | 11:02

“Hallet” para derbit, lodhje dhe mungesa tek Partizani

Vetëm të hënën, Partizani luan derbin me Tiranën në një moment kur të enjten të kuqtë zhvilluan një ndeshje impenjative kundër Egnatias, të cilën e mposhtën mes vështirësish me një gol të Albers Kekos në minutat e fundit nga pika e bardhë e 11 metrave. Skuadra ka nisur menjëherë përgatitjet.

PARTIZANI

E djeshmja është përqendruar në rikuperimin e forcave dhe të lodhjes që skuadra pati kundër Egnatias. Lojtarët titullarë i janë nënshtruar një stërvitjeje të veçuar nga pjesa tjetër e ekipit. Në këtë derbi të radhës, mungesë e sigurt është Altin Bytyçi, i cili ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë. Sa i përket dëmtimeve, skuadra është në gjendje të mirë, teksa i vetmi me probleme është Atanaskoski.

Mbrojtësi maqedonas po kalon një dëmtim muskulor në kofshë dhe kjo e ka ndaluar të jetë prezent në ndeshjet e fundit. Maqedonasi është në fazën e fundit të rikuperimit dhe plani është që për derbin të jetë i gatshëm. Sfida më e madhe për stafin teknik është që të rikuperojë si duhet lojtarët, më së shumti Eleken dhe Bintsukën, për të cilët edhe vetë trajneri Gega pas ndeshjes e pranoi se nuk janë në gjendjen optimale fizike, sidomos nigeriani, i cili te Partizani ka ardhur pas një periudhe prej mbi gjashtë muajsh pa ekip, rrjedhimisht edhe pa ndeshje. Sa i përket formacionit, Gega pritet të bëjë ndryshime, që gjithsesi mendohet të jenë minimale, pasi opsionet janë të pakta.

PANORAMASPORT.AL