Gvozdenoviç: Elbasani nuk dorëzohet, mundim “Demat”! Me besim dhe sakrificë do marrim rezultatet që meritojmë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2025 | 10:13

Gvozdenoviç: Elbasani nuk dorëzohet, mundim “Demat”! Me besim dhe sakrificë do marrim rezultatet që meritojmë…

Elbasani duket se e ka lënë plotësisht pas atë eleminim dramatik nga Kupa në Shkodër dhe aktualisht është i fokusuar tërësisht në kampionat.GVOZDENOVICSot në orën 17:00 në stadiumin “Elbasan Arena” përballë është Partizani, rivali direkt për “Final 4”, prandaj ndeshja është e një rëndësie jetike. Në daljen e tij para mediave, trajneri i verdhebluve, Ivan Gvozdenoviç, kërkon që skuadra e tij të mos e mbajë më kokën pas, sepse më e rëndësishmja vjen tani.

“Ndeshja me Shkodrën ka kaluar tanimë dhe e kemi harruar. Nuk mund të shohim mbrapa, edhe pse ishte një ndeshje e bukur, por fati ynë i keq që u eliminuam. Do shohim vetëm përpara, do fillojë edhe faza e katërt dhe kemi shumë ndeshje të rëndësishme në kampionat. Kemi bërë analizën dhe jemi të gjithë të bashkuar, ku e kemi të qartë se çfarë duhet në vazhdimësi për Elbasanin”, u shpreh fillimisht kreu i pankinës elbasanase.

SYNIMI Në lidhje me ndeshjen e sotme, Gvozdenoviç i ka idetë e qarta, ku me Elbasanin e tij hyn në fushë vetëm për të fituar, pavarësisht vlerësimit që ka për skuadrën e kuqe. “Për ne çdo ndeshje është e rëndësishme, si në kupë më herët dhe tani në kampionat. Për faktin e thjeshtë se ne jemi Elbasani. Tani kemi kampionatin dhe çdo ndeshje, çdo pikë dhe çdo kundërshtar do të ketë vlerësimin tonë. Me Partizanin është një ndeshje e vështirë dhe e bukur. Kemi respekt për ta, por ne jemi gati, situata është e mirë dhe mendojmë vetëm në fushë si mund të fitojmë këtë ndeshje”, vijoi më tej serbi i elbasanasve. Ndonëse dy ndeshjet e kaluara janë mbyllur në barazim, për Gvozdenoviç në këto momente mendohet vetëm fitorja. “Elbasani gjithnjë futet në fushë për të fituar ndeshjen dhe marrë tri pikët. Çdo ndeshje ne hyjmë me mentalitetin për ta fituar. Sot do luftojmë për të marrë maksimumin”, sqaroi kreu i pankinës verdheblu në lidhje me duelin me të kuqtë.

ECURIA Elbasani ka pasur një ecuri negative, ku fitorja e fundit dhe e vetmja për këtë vit është ndaj Teutës me tripletën e Arsen Lleshit. Megjithatë, Gvozdenoviç ka besim se faza e katërt do të jetë ndryshe dhe verdheblutë do të shpërblehen edhe me pikë. “Rezultatet dhe pikët nuk më kënaqin. Por, ky është futbolli dhe e pranojmë. Po punojmë që ta ndërrojmë situatën dhe nuk jemi duke parë më mbrapa se çfarë ka kaluar. Do punojmë fort për ndeshjet e mbetura. Jam i bindur dhe optimist që do nisim të marrim rezultatet që duhen. Në futboll mund të luash mirë, siç kemi bërë ne, por nuk merr dot rezultatin. Megjithatë, me besim dhe sakrificë të gjithë bashkë mund ta kalojmë këtë moment të vështirë dhe të marrim rezultatet që meriton ekipi i Elbasanit”, mbylli prononcimin e tij për mediat serbi që drejton verdheblutë. Ai erdhi në krye të skuadrës pas një periudhe afro 3-vjeçare në krye të Skënderbeut, ku jo më larg se në kampionatin e kaluar, ka qenë pjesë e “Final 4”.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL