“Gjykimi na ndëshkoi me Skënderbeun”. Bëri 200 ndeshje me Burrelin, Dedgjonaj tani “piketon” Luftëtarin
Edhe pse kanë kaluar disa ditë, në ambientet e tifozërisë matjane vazhdon të komentohet humbja ndaj Skënderbeut. Sipas tyre, për mënyrën se si shkoi ndeshja, rezultati nuk ishte i drejtë dhe skuadra matjane meritonte më shumë nga ajo përballje.

Sfida e së shtunës kishte edhe një moment të veçantë për ekipin e drejtuar nga trajneri Samuel Nikaj, pasi kapiteni Alkes Dedgjonaj regjistroi ndeshjen e tij të 200-të me fanellën e skuadrës së Burrelit. Një arritje e rëndësishme personale, e cila fatkeqësisht nuk u kurorëzua me rezultat pozitiv. “Ndeshja ndaj Skënderbeut kishte një domethënie të veçantë për mua, pasi arrita shifrën e 200 ndeshjeve me këtë skuadër. Do të doja që ta mbyllnim me një rezultat pozitiv, por nuk ia dolëm. Luftuam shumë për të marrë diçka nga kjo përballje, por edhe gjykimi la për të dëshiruar. Nga ana taktike, skuadra tregoi karakter, madje në momente të caktuara ishim superiorë ndaj kundërshtarit. Me atë që treguam në fushë, nuk e meritojmë renditjen aktuale”, u shpreh Dedgjonaj për “Panorama Sport”.
Ndaj Luftëtarit
Mbrojtësi, i cili prej disa sezonesh mbron ngjyrat e ekipit matjan dhe që nga fillimi i këtij edicioni mban shiritin, mbetet një nga shtyllat kryesore të skuadrës. Ndërkohë, ekipi ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës që prej të hënës pasdite. Për vetë ecurinë e këtij sezoni, përballja e së dielës së 19 prillit në transfertën e Gjirokastrës ndaj Luftëtarit merr një rëndësi të veçantë. Një tjetër hap fals mund ta afrojë ndjeshëm skuadrën me zonën e “play out” duke shtuar pa shkak “ethet” e mbijetesës.
“Ndeshja ndaj Luftëtarit do të jetë shumë e vështirë, sidomos në fushën e tyre. Megjithatë, ne do të luftojmë deri në minutën e fundit për të marrë një rezultat pozitiv dhe për të treguar se nuk e meritojmë pozicionin aktual në renditje. Për ne, çdo ndeshje deri në fund do të jetë si finale, me objektivin për ta mbyllur sezonin në mesin e tabelës”, përfundoi Dedgjonaj. Kapiteni matjan është pjesë e ekipit që prej vitit 2018 dhe vazhdon të mbetet një figurë kyçe, jo vetëm në fushë, por edhe në aspektin e lidershipit për skuadrën.
NDERIM GOCI- PANORAMASPORT













