Gjoka: Skënderbeu është çliruar, i bëjmë “dëm” të kuqve
Skënderbeu do të kërkojë vazhdimësinë në ndeshjen e sotme ndaj Partizanit në Korçë, në orën 17:00. Pas tri ndeshjesh të mira, ku kanë mundur të marrin 7 pikë dhe të rihapin luftën për mbijetesë, tashmë bardhekuqtë nuk duan të ndalen.
Momenti i mirë që po kalon ekipi duhet të shfrytëzohet në maksimum dhe i këtij mendimi është edhe trajneri Ernest Gjoka, i cili në prag të ndeshjes me Partizanin ka kërkuar nga të tijtë që të jenë të përqendruar maksimalisht dhe të mundohen të bëjnë ndeshjen më të mirë të mundshme për të tentuar maksimumin. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i Skënderbeut Ernest Gjoka ka theksuar se ndeshja është një përballje delikate dhe e vështirë, pasi përballen dy ekipe që kanë dhënë shumë për futbollin shqiptar, pavarësisht se janë në pozita të ndryshme. Ai ka besim se do të jetë një beteje që ekipi i tij do të dijë ta interpretojë në mënyrën më të mirë të mundshme.
DELIKATE – “Ndeshja ndaj Partizanit padyshim që është një përballje e vështirë dhe delikate për vetë faktin se janë duke u përballur dy ekipe që kanë dhënë shumë për futbollin shqiptar dhe kanë prodhuar gjithmonë ndeshje të bukura dhe shumë të luftuara. Përtej faktit që dy skuadrat janë në pozita të ndryshme, unë vijoj të jem i mendimit se është një nga ndeshjet më të bukura të kampionatit”.
VAZHDIMËSI – “Ne vijmë pas tri ndeshjesh të mira dhe do të duam të vijojmë me të tilla paraqitje dhe rezultate pozitive. Ekipi duket disi më i lirshëm nga ana psikologjike dhe ka filluar që të mendojë më shumë për të dhënë maksimumin në fushën e lojës duke rikthyer besimin te forca e ekipit, edhe për vetë faktin se rezultatet na kanë hequr barrën e ngarkesës psikologjike”.
PËRGATITJET – “Kemi mbyllur një gjysmë jave përgatitjesh dhe mund të them se kemi parë gjithçka me detaje për të zhvilluar një ndeshje të mirë dhe shumë të rëndësishme. Ajo që unë dua nga ekipi im dhe ajo që pres, është që të luajmë ashtu siç dimë ne dhe të tregojmë se jemi një grup, që jep gjithmonë maksimumin. Kam besim se ekipi do të dijë të menaxhojë edhe ngarkesën që jep fakti që luan në fushën e vet, para tifozëve, duke ditur sesa i rëndësishëm është ky takim. Por nga ana tjetër besoj shumë se mbështetja e tifozëve ndaj nesh do të jetë shumë e fortë dhe do të na shtyjë më shumë drejt kërkimit të objektivit maksimal”, theksoi trajneri Ernest Gjoka para ndeshjes me Partizanin.
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL













