Gjici bëhet prefekt: S’heq dorë nga klubi!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2014 | 13:20

Gjici bëhet prefekt: S’heq dorë nga klubi!

GjiciSafet Gjici emërohet prefekt i qarkut të Kukësit. Biznesmeni kuksian, njëherësh president i klubit verior, dje është emëruar zyrtarisht si kreu i ri i prefekturës. Gjici ka zëvendësuar prefektin e deritanishëm të Kukësit, Ram Hoxha, i cili është liruar nga detyra. Gjici pritet që sot të prezantohet zyrtarisht në postin e ri, që pritet ta mbajë deri në riorganizimin e ri administrativ, pas zgjedhjeve të ardhshme lokale. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai garanton jo vetëm ekipin, por edhe tifozët kuksianë se nuk do të heqë dorë nga klubi, përkundrazi, përkrahja dhe mbështetja e tij do të jetë më e madhe. Teksa premton jo vetëm një përfshirje për të dytin vit radhazi në Europë, por edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë.
Zoti Gjici, fillimisht urime për detyrën e re. Së dyti, a ishte i papritur ky angazhim i ri nga qeveria?
Faleminderit! Ky angazhim është një përgjegjësi më e madhe jo vetëm për mua, por mbi të gjitha për banorët e qarkut të Kukësit, ku përfshihen edhe Hasi e Tropoja. Unë gjithmonë kam menduar dhe jam përpjekur për të mirën e bashkëqytetarëve të mi në bamirësi, dhe sidomos në ngritjen e futbollit dhe infrastrukturës sportive. Tani është momenti që gjithë energjitë dhe kapaciteti im menaxhues e intelektual të vihen në dispozicion të banorëve të qarkut të Kukësit. Unë edhe më parë kam qenë më pranë halleve të tyre të përditshme, pranë nevojave të tyre. Por tashmë impenjimi kundrejt tyre do të jetë më i madh.
Fill pas emërimit në këtë post, patët urime?
Pa fund, dhe unë gjej rastin t’i falënderoj të gjithë ata që më urojnë dhe më mbështesin në punën time. Jam i bindur që do ua shpërblej. Unë në punën time kam treguar se jam i suksesshëm edhe si prefekt i Kukësit. Kjo detyrë është një barrë e rëndë, por edhe një vlerësim e përgjegjësi e madhe për mua.
Pas kësaj detyre të re, a do të jetë ende Gjici në krye të klubit të Kukësit?
Absolutisht që po, madje me një mbështetje edhe më të madhe. Futbolli është pasioni i jetës sime, dhe unë sa të jem gjallë nuk shkëputem nga futbolli dhe nga mbështetja për Kukësin. Bashkë më ekipin, stafin, bashkëpunëtorët e mi dhe tifozërinë që më ka mbështetur, kemi bërë mrekullira në futbollin shqiptar. Të tjera befasi na presin.
Keni ndonjë projekt konkret?
I siguroj të gjithë sportdashësit që tashmë do të hapet një kapitull i ri dhe i rëndësishëm për klubin tonë. Qëndrimi në Kukës dhe për Kukësin është një impuls i madh për mua. Ndaj, duke përfituar nga rasti, u bëj thirrje tifozëve dhe gjithë dashamirëve të ekipit që të jenë masivë në çdo ndeshje dhe rrugëtimin tonë drejt trofeut të Kupës së Shqipërisë dhe në Europë. Në futboll kam investuar jo vetëm paratë e mia, por edhe gjithë përkushtimin e mundshëm.
Është përfolur shumë se mund të shkoni te Tirana apo Partizani…
Pranimi i detyrës së re si prefekt i Kukësit do ishte një kontradiktë e madhe me emërimin, ta zëmë si prefekt i Tiranës. Kjo dhe mbështetja maksimale që po i jap ekipit dhe Kukësit në përgjithësi, ndaj hedh poshtë çdo hamendësim se unë do shkoj te Tirana apo Partizani. E kam klubin tim, ai quhet Kukësi dhe më këtë ekip do jem përjetë.
Meqë jemi te futbolli, ekipi juaj ka një ngritje kohët e fundit, deri ku mund të shkojë ky Kukës?
Po, është e vërtetë që kemi pësuar rritje në rezultate. Kemi mposhtur radhazi Tiranën, Flamurtarin dhe Teutën. Ne synojmë pa më të voglin hezitim të zëmë vendin e dytë në Superiore dhe të jemi fitues të Kupës së Shqipërisë.
Është hequr përfundimisht dorë prej titullit?
Ishte pa dyshim një objektiv për ne fitimi i titullit, por jo gjithçka shkoi sikundër e kishim parashikuar, e sidomos pas ardhjes në krye të pankinës të ish-trajnerit Naxhi Shensoji. Por, në fund të fundit, rëndësi ka që ekipi është në rrugë të mbarë dhe jam i sigurt se në Kukës në këtë sezon do e përvetojmë një trofe.

Kush është Safet Gjici
Në sezonin e parë të Superiores, konkretisht më 2012-2013, bordi ka zgjedhur me votim unanim si president të FK Kukësit Safet Gjicin, i cili më parë ka qenë dhe zv.president. Gjici ka lindur në Bushtricë të Kukësit, më 30.04.1972. Është i martuar dhe baba i katër fëmijëve. Ka përfunduar arsimin tetëvjeçar dhe atë të mesëm në vendlindje dhe më pas është diplomuar në Akademinë e Policisë dhe më tej për Drejtësi. Falë punës dhe zotësisë së tij, u bë shpejt një ndër biznesmenët më të suksesshëm kuksianë me aktivitet në Tiranë e më gjerë. Gjici është aksioneri dhe financuesi kryesor i klubit të Kukësit, me 80% të aksioneve, si dhe kontribuuesi kryesor i ndërtimit të stadiumit “Zeqir Ymeri”. Me aktivitetin e tij privat në fushën e sigurisë dhe ndërtimit është nderuar më shumë çmime, ndërkohë për investimet në futboll është zgjedhur me shumicë votash “Personalitet i Vitit 2012”. Sakaq, Këshilli Bashkiak i Kukësit e ka shpallur me vota unanime “Qytetar Nderi” i Kukësit.

Harrohet kupa, Brahja: Marrim tri pikë në Kavajë
Kukësi ka lënë pas fitoren me Teutën në kupë dhe e ka kthyer vëmendjen te një tjetër ndeshje, këtë herë në kampionat. Këtë fundjavë veriorët do të udhëtojnë drejt Kavajës, atje ku në stadiumin “Besa” do të përballen me skuadrën vendëse. Julian Brahja beson te fitorja ndaj verdhezinjve dhe shfaq bindjen se skuadra e tij i ka që të gjitha shanset që të ngjitet më lart në tabelë. “Nuk do ketë herë të dytë për Besën, edhe pse është një ekip kompakt, që ka pasur ecuri mjaft të mirë. Të dielën do të jetë radha e Kukësit dhe ne do bëjmë çmos që të kthehemi me pikët e plota nga Kavaja. Humbjen as që duhet ta mendojmë. I kemi të gjitha shanset që të mposhtim kavajasit, edhe pse në transfertë”, – ka thënë qendërmbrojtësi, i cili dy javë më parë parashikoi fitoren me Tiranën, ndaj shpreson që profecia e tij të dalë sërish, këtë herë ndaj Besës. Sakaq, skuadra dje ka vijuar përgatitjet për këtë takim, teksa grupi u nda më dysh. Ata që u aktivizuan në kupë, kanë zhvilluar vetëm një seancë relaksuese në pishina dhe hidromasazh, ndërkohë pjesa tjetër ka zbritur në fushë për të marrë ngarkesa maksimale. Kjo ndeshje vlerësohet maksimalisht nga kuksianët, edhe për faktin se rivalët e saj për zonën “Euro”, si Laçi dhe Partizani, kanë ndeshje të vështira. Ndaj, një hap flas i tyre, si edhe një trepikësh i Kukësit në Kavajë, do i jepte të drejtën që të ngjitej më lart në tabelë.
JONUZ HALLAÇI