Gjashtë javë të mbetura në Superiore, bilanci flet për Partizanin
Partizanit i duhet të reagojë pas disfatës me Vllazninë dhe të marrë maksimumin në gjashtë ndeshjet e mbetura të Kategorisë Superiore, gjithmonë nëse të kuqtë do të pretendojnë që të ruajnë vendin e katërt dhe pjesëmarrjen në “Final Four”.
Por, si është bilanci i kryeqytetasve me gjashtë rivalët që do të ndeshen deri në fundin e Kategorisë Superiore? Si fillim, “Demat” do të udhëtojnë për në Elbasan ku do të përballen me Elbasanin vendas, ku në këtë sezon sa i takon kampionatit (janë ndeshur edhe në Kupë), kanë një bilanc negativ duke mos fituar në asnjë prej tre ndeshjeve të para. Elbasani i ka mposhtur në fazën e parë 0-1 (skuadra drejtohej nga Milenkovicc) dhe më pas janë regjistruar dy barazime 0-0 dhe 2-2. Pas Elbasanit, Partizani do të përballet me Bylisin.
Ndaj ballshiotëve këtë sezon kanë një bilanc pozitiv duke regjistruar një humbje, dhe më pas duke regjistruar dy fitore nën drejtimin e trajnerit Oltijon Kërnaja. E radhës për Partizanin është derbi i kryeqytetit ndaj Tiranës. Edhe në këtë rast, bilanci është pozitiv, teksa të kuqtë u mposhtën në fazën e parë 0-3 dhe më pas, me emërimin e trajnerit Kërnaja, regjistruan dy fitore identike ndaj rivalëve historikë me rezultatin 2-0. Edhe këtë herë, derbi që është parashikuar të luhet më datë 25 prill në stadiumin “Air Albania”, pritet të zgjojë një interes të lartë tek tifozëria, ndërsa mund të rezultojë vendimtar për fatet e dy skuadrave këtë sezon që garojnë për objektiva të ndryshëm: bardheblutë për të qëndruar në elitë, ndërsa nga ana tjetër, të kuqtë për të siguruar pjesëmarrjen në “Final Four”.
Ndërkohë, pas ndeshjes me Tiranën, Partizani pret në shtëpi Flamurtarin. Një ndeshje që mund të konsiderohet e lehtë në letër, duke qenë se edhe vlonjatët mund të kenë mësuar deri në atë pikë fatin e tyre, teksa rrezikojnë së tepërmi rënien një kategori më poshtë. Bilanci mes dy skuadrave në këtë sezon flet për Partizanin që i ka marrë kuqezinjve vetëm pikët e plota falë tre fitoreve, teksa trajneri Kërnaja debutoi si trajner i kryeqytetasve pikërisht në Vlorë me atë fitore 0-1. Në vijim, Partizani udhëton në Rrogozhinë ku gjen përballë Egnatian. Me kampionët në fuqi, të kuqtë kanë ndarë pikët në tre ndeshjet e kaluara të këtij sezoni, duke qenë se një ndeshje është mbyllur në barazim 0-0, një tjetër është fituar nga Egnatia 2-1, dhe e fundit është fituar nga Partizani 2-0.
Në fund, të kuqtë do ta mbyllin kampionatin me Dinamon, një ndeshje që po ashtu mund të vendosë vendin e katërt, me duelin mes skuadrave që pritet të zhvillohet deri në fundin e kampionatit. Sa i takon bilancit të këtij sezoni, asnjë ndeshje nuk është mbyllur në barazim, teksa dy sfida i ka fituar Dinamo dhe një tjetër e ka fituar Partizani. 
PANORAMASPORT.AL













