Futbollisti që luajti me Partizanin e Tiranën kopjon Ousman Dembele, denoncohet se shkatërroi shtëpinë me qira dhe iku pa paguar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2026 | 21:55

Futbollisti që luajti me Partizanin e Tiranën kopjon Ousman Dembele, denoncohet se shkatërroi shtëpinë me qira dhe iku pa paguar

Një nga emrat e njohur në futbollin shqiptar në vitet e fundit, sulmuesi Alfred Mensah, duket se është në telashe, pasi është denoncuar për shkatërrim banese dhe mospagesë detyrimesh nga personi që i kishte dhënë shtëpinë me qira.

Partizani festa Mensah

Ne një denoncim të bërë në JOQ, pretendohet se futbollistit i cili në vendin tonë ka luajtur me fanellën e Skënderbeut, Partizanit, Vllaznisë dhe së fundmi Tiranës, ka lënë dëme materiale në banesë dhe për më tepër, nuk ka paguar një muaj të fundit të qirasë si dhe detyrime për energjinë elektrike dhe ujin.

“Sipas dëshmisë së tij, rreth 5–6 muaj më parë ai ka dhënë me qira një apartament 1+1 në zonën e Pallateve Çabej. Kontakti me qiramarrësin është bërë përmes një kompanie ndërmjetësuese që merret me gjetjen e banesave me qira, e cila i ka sugjeruar një person që jetonte i vetëm. Kontrata është lidhur më 20 shtator në prani të noterit.

Qiramarrësi, i identifikuar si Alfrend Mensah, ish-lojtar i KF Tirana, kishte rënë dakord me pronarin që çdo tre muaj të kryhej një kontroll i banesës.

Denoncuesi tregon se gjatë një kontrolli në muajin janar, apartamenti është gjetur në gjendje shumë të dëmtuar, siç pretendohet edhe në pamjet video të dërguara në redaksi. Ai shton se i ka kërkuar qiramarrësit të mbulojë të gjitha dëmet, ndërsa ky i fundit i ka premtuar se do t’i paguante, por kërkonte kohë.

Sipas qytetarit, në vijim qiramarrësi ka deklaruar se do të qëndronte në banesë deri në muajin mars dhe më pas do të largohej. Palët kishin rënë dakord që më 15 mars të shlyheshin të gjitha detyrimet, përfshirë dëmet, qiranë, si dhe faturat e ujit dhe energjisë elektrike.

Megjithatë, denoncuesi pretendon se në momentin që ka tentuar të kontaktojë qiramarrësin në atë datë, nuk ka marrë përgjigje. Kur ka shkuar për të kontrolluar banesën, ka konstatuar se personi ishte larguar, duke marrë sendet personale.

Aktualisht, sipas tij, qiramarrësi ka lënë pa paguar një muaj qira dhe dy muaj detyrime për ujë dhe energji elektrike, ndërsa dëmet në apartament vlerësohen rreth 500 euro.

Qytetari bën me dije se ka bërë kallëzim në Policinë e Shtetit, konkretisht në Komisariatin nr. 6 në Tiranë, por deri në këtë moment pretendon se nuk ka marrë një zgjidhje”, shkruhet në denoncimin në fjalë të këtij rasti që kujton atë të Ousman Dembele disa vite më parë.

Futbollisti u hodh në gjyq dhe e humbi atë pasi kishte shkatërruar vilën ku kishte qëndruar me qira në vitet kur kishte qenë pjesë e Borusia Dortmund, duke paguar mijëra euro si dëmshpërblim.

PANORAMASPORT.AL