FUTBOLL VAJZA/ Gramshi i bën 18 gola Lushnjës, Vllaznia shpartallon 7-0 Egnatian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2025 | 17:04

FUTBOLL VAJZA/ Gramshi i bën 18 gola Lushnjës, Vllaznia shpartallon 7-0 Egnatian

Kampionati kombëtar i futbolli të vajzave ka nisur fazën e dytë, me tri ndeshje të vlefshme për javën e dhjetë. Vllaznia, kampione prej 11 edicionesh radhazi, ka shënuar fitoren e radhës.

gramshi vajza

Shkodranet mposhtën Egnatian me rezultatin 7-0 në stadiumin “Loro Boriçi”. Protagonistja kryesore ishte Megi Doçi, autore e gjashtë golave në këtë përballje, katër nga të cilët i realizoi që në pjesën e parë, ndërsa në fund rrjetën e tundi edhe Klaudja Borçi. Gramshi konfirmohet forcë e dytë në kampionat, teksa u tregua i papërmbajtshëm ndaj Lushnjës së vendit të fundit.

Vajzat gramshiote u kthyen me një “hambar” me gola nga transferta e Myzeqesë, duke triumfuar në shifrat 0-18. Një takim ku Sara Begallo realizoi plot 12 gola për Gramshin. Përveç Sara Begallos, shënoi tripletë Kioko, ndërsa tre golat e tjerë mbajnë autorë Assis Pires që zhbllokoi rezultatin me golin e parë si dhe Klesta Ago dhe Riselda Leba.

Në ndeshjen e luajtur në “Skënder Halili”, Kinostudio fitoi derbin e kryeqytetit kundër Tiranës me rezultatin 1-3. Fillimisht ishte Habili ajo që kaloi përpara vajzat e drejtuara nga trajneri Gëzim Gjonpalaj, duke përshëndetur rrjetën e ekipit bardheblu në minutën e 25-të, ndërsa ekipet shkuan në pushim me avantazhin minimal të Kinostudios.

Tirana provoi të reagonte në pjesën e dytë, por u ndëshkua sërish, teksa Palaj e tundi për herë të dytë rrjetën, duke i çuar shifrat në 0-2 në minutën e 55-të. Pesë minuta nga fundi Doçe realizoi edhe të tretin për Kinostudion. Më pas kishte vend edhe një gol të Tiranës, teksa Likollari fiksoi shifrat finale 1-3.

GOLASHËNUESET – Me 12 golat e realizuara ndaj Lushnjës, Sara Begallo ka shkuar në kuotën e 40 golave në kampionat. Pas sulmueses së Gramshit vjen Megi Doçi e Vllaznisë me 29 gola, e cila renditet në vendin e dytë.

Më tej renditen me radhë Klaudja Borçi e Vllaznisë dhe Vanesa Levenaj e Apolonisë ne nga 14 gola secila, ndërsa top-5 e bombereve plotësohet nga Klea Hamonikaj (Apolonia) me 13 gola.

Screenshot 2025-02-17 165808 Screenshot 2025-02-17 165819 Screenshot 2025-02-17 165830 Screenshot 2025-02-17 165842

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL