Formula 1, flet Shumaker: Alonso dhe Hamilton duhet të hapin krahun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2026 | 19:49

Formula 1, flet Shumaker: Alonso dhe Hamilton duhet të hapin krahun

Ralf Shumaker njihet për opinionet e tij të drejtpërdrejta dhe shpesh polemike. Fituesi i gjashtë garave në Formula 1 ka ndërtuar reputacionin e tij si analist duke mos hezituar të shprehë mendime të forta. Deklarata e tij më e fundit ka shkaktuar debat, pasi lidhet me dy kampionë të mëdhenj ende aktivë, Fernando Alonson dhe Luis Hamiltonin. Ata janë të vetmit pilotë në rrjetin aktual të F1 që kanë kaluar moshën 40-vjeçare. Britaniku është 41 vjeç, ndërsa spanjolli po afrohet drejt 45-vjetorit. Argumenti i Ralf Shumakerit është i thjeshtë, pasi sipas tij, të dy duhet të lirojnë vendin për talentet e reja në Formula 1.

Screenshot 2026-05-12 194902

Fillimisht ai ndalet te figura e Hamilton për të mbështetur pikëpamjen e tij. “Duhet ta them sinqerisht se Hamilton është padyshim në një situatë më të mirë këtë vit, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Por duhet pranuar gjithashtu se, duke parë gjithë sezonin dhe perspektivën afatgjatë, ai nuk ka as shansin më të vogël kundër Lëklerkut. Ky është realiteti”, theksoi Shumaker në podkastin “Backstage Boxengasse” të “Sky Germany”. Më pas ai përfshin edhe Alonson në diskutim.

“Ka ardhur koha që ata të largohen. Edhe mua nuk do të më pëlqente ta dëgjoja këtë. Por Hamilton, dhe gjithashtu Alonso… kanë kaluar një periudhë fantastike në Formula 1. Megjithatë, mendoj se për të dy ka ardhur momenti që në fund të vitit të lirojnë vendin për t’u dhënë mundësi pilotëve më të rinj”. Sipas Ralfit, Oliver Bearman i ka fituar tashmë meritat për të garuar me Ferrari. Në fakt, këtë sezon ai po paraqitet mjaft mirë me makinën Haas VF-26.

Aktualisht, piloti britanik renditet i teti në klasifikimin e përgjithshëm me 17 pikë. “Bearman e ka fituar realisht mundësinë për të hyrë te Ferrari. Nëse i jepet shansi, pa dyshim që do ta shfrytëzojë. Kjo do të ishte një sfidë serioze për Lëklerkun, për këtë jam pothuajse i sigurt”, deklaroi vëllai i legjendës, Mikeal Shumaker.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL