Flamurtari spastron radhët, përfundon aventura për 3 vetë. Shkurtaj rikthehet në Vlorë, ja arsyeja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2025 | 21:47

Flamurtari spastron radhët, përfundon aventura për 3 vetë. Shkurtaj rikthehet në Vlorë, ja arsyeja

Një tjetër firo nga Flamurtari, largohet Ilir Allmuça. Mbrojtësi i ka dhënë fund bashkëpunimit me vlonjatët. Ai erdhi te Flamurtari vitin e kaluar nga radhët e Dinamos. Allmuça karrierën e ka filluar te Dinamo në vitin 2015, ndërsa si lojtar profesionist ka luajtur edhe tek Egnatia.

FLAMURTARI

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, mbrojtësi ka komunikuar edhe largimin nga Vlora. “Nga sot (dje) nuk jam më pjesë e Flamurtarit. Pas një sezoni të mbushur me emocione, sfida dhe përvoja të vlefshme, ka ardhur momenti të përshëndetem me klubin Flamurtari. Jam mirënjohës për mundësinë që më është dhënë të përfaqësoj këto ngjyra me krenari dhe për çdo moment të kaluar në fushë e jashtë saj. Faleminderit bashkëlojtarëve, stafit teknik, drejtuesve dhe mbi të gjitha tifozëve për mbështetjen e tyre”, shprehet Allmuça.

MURATAJ, THUAJSE I LARGUAR – Një tjetër largim nga Flamurtari pritet që të jetë edhe Valentino Murataj. Pavarësisht se ai ka firmosur me vlonjatët një kontratë dyvjeçare dhe në Vlorë erdhi me pëlqimin e administratorit Sinan Idrizi dhe ish-trajnerit Andrea Agostineli, rrugët duket se do të ndahen. “Panorama Sport” mëson se Murataj nuk është në planet e skuadrës së Superiores. Dëmtimi e penalizoi jo pak. Mesfushori 28-vjeçar erdhi në Vlorë pas aventurës trevjeçare te Partizani edhe si kapiten. Më herët ai ka luajtur me të rinjtë e Bylisit, Partizanit dhe Tiranës, por edhe tek ekipi i parë i Bylisit dhe Partizanit. Në 2 mars të vitit të kaluar u konfirmua se Valentino Murataj e mbylli sezonin në Vlorë. Në një kohë që erdhi me bujë te Flamurtari për të dhënë kontributin e tij, ish-kapiteni i Partizanit ka qenë i pafat, ku ju nënshtrua edhe një operacioni në gju. Murataj është parë në ambientet e klubit së fundmi, teksa ka zhvilluar një takim me drejtorin Pollozhani. Gjasat janë që kreu i klubit t’i ketë komunikuar ndërprerjen e bashkëpunimit.

SITUATA – Ardhja në Vlorë e portieri Igor Aleksovski nga Maqedonia e Veriut ka sjellë një tjetër largim nga kuqezinjtë. Stivi Frashëri është zyrtarisht i ikur nga Flamurtari dhe del i lirë në merkato. “Fshesës” i ka shpëtuar Ariol Kaloshi, që do të vijojë të jetë portier i dytë. Së fundmi, me Flamurtarin është bashkuar mbrojtësi i djathtë Todor Todoroski, i cili që vjen nga Maqedonia e Veriut. E ndërsa ka rinovuar edhe Lorenc Trashi, synohen të mbahen në Vlorë për sezonin e ri edhe Idriz Batha dhe Krist Evo Ememe.

 Vasil Shkurtaj rikthehet në Vlorë, ja arsyeja e vërtetë

Sulmuesi Vasil Shkurtaj mbërrin në Vlorë. Vlonjati është parë të ketë hyrë në ambientet e klubit. Nuk dihet realisht qëllimi i kësaj vizite të papritur, kur vetë klubi ka konfirmuar për “Panorama Sport” se Shkurtaj nuk do të jetë më pjesë e Flamurtarit në sezonin e ri, teksa gjasat janë që të vijojë në Qipro. 33-vjeçari duket se ka ardhur në qytetin bregdetar për të tërhequr letrat. Më parë, ai ka qenë pjesë e kampionatit shqiptar, kur ka luajtur për Luftëtarin, Kukësin dhe Laçin. Kjo ishte hera e parë që aktivizohej te skuadra e qytetit të tij të origjinës, pasi Shkurtaj është lindur dhe rritur në Greqi. Te Flamurtari erdhi në janarin e vitit 2024 dhe qëndroi më pas gjithë sezonin e shkuar 2024-2025, duke u larguar me objektivin e plotësuar, ngjitjen e vlonjatëve në Superiore.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL