BASKET FEMRA/ Europiani i Vogël, Lalaj dhe Semanjaku në pesëshen ideale
Në Pejë u mbyll të dielën Kampionati Europian 2026 i Shteteve të Vogla në basketboll për femra, kompeticion ku konkurruan gjashtë përfaqësuese dhe që u mbyll me triumfin e Maltës.

Paraqitje të mirë bëri edhe Shqipëria, me vajzat kuqezi që u klasifikuan në vendin e dytë, duke u kthyer në atdhe me medaljet e argjendit në qafë, ndërsa bronzi u fitua nga Kosova. Si gjithnjë, me përfundimin e aktivitetit, organizatorët kanë publikuar edhe formacionin më të mirë.
Një pesëshe që sheh të përfshira plot katër lojtare shqiptare, dy basketbolliste kuqezi, Ornela Lalajn dhe Enisa Semanjakun si dhe dardanet Aster Tuhina dhe Sarada Daci. Ndërsa, çmimi MVP i turneut shkoi për edicionin e dytë radhazi për maltezen Amber Melgoza, protagoniste absolute, duke udhëhequr përfaqësuesen e saj drejt titullit kampion në këtë edicion.
AMBER MELGOZA – MALTË Amber Melgoza konfirmoi edhe një herë statusin e saj si forca më dominuese në sulm të turneut. Ajo ishte shënuesja më e mirë e kampionatit me mesatarisht 34.5 pikë për ndeshje, ndërsa regjistroi edhe 13.3 kërcime dhe 3.3 asistime për takim. Melgoza ishte vendimtare gjatë gjithë rrugëtimit të Maltës drejt titullit pa asnjë humbje, duke e mbyllur turneun me 29 pikë në finalen ndaj Shqipërisë.
ORNELA LALAJ – SHQIPËRI Ornela Lalaj ishte edhe një herë pika më e fortë e Shqipërisë gjatë turneut. Ajo udhëhoqi kampionatin në kërcime me mesatarisht 14.5 kërcime për ndeshje. Liderja e skuadrës kuqezi kontribuoi gjithashtu me 13.3 pikë dhe 3.5 asistime për takim, duke qenë një nga lojtaret kryesore që ndihmuan Shqipërinë të siguronte një vend në finale falë paraqitjeve të saj të gjithanshme.
ENISA SEMANJAKU – SHQIPËRI Enisa Semanjaku ishte një nga shtyllat kryesore të sulmit të Shqipërisë gjatë gjithë turneut. Ajo regjistroi mesatarisht 13.2 pikë, 5.8 kërcime dhe 3.7 asistime për ndeshje. Basketbollistja shqiptare ishte gjithashtu shënuesja më e mirë e ekipit në fitoren gjysmëfinale ndaj Kosovës, duke ndihmuar Shqipërinë të siguronte kualifikimin në finale.
ASTERA TUHINA – KOSOVË Astera Tuhina ishte shënuesja më e mirë e Kosovës gjatë kampionatit, me mesatarisht 15.0 pikë dhe 3.3 asistime për ndeshje. Organizatorja e lojës udhëhoqi vazhdimisht dardanet, duke realizuar disa paraqitje të shkëlqyera në çerekun e katërt, përfshirë edhe një ndeshje me 24 pikë ndaj Shqipërisë në gjysmëfinale.
SARANDA DACI – KOSOVË Saranda Daci pati një rol të rëndësishëm në të dyja fazat e lojës gjatë rrugëtimit të Kosovës drejt medaljes së bronztë. Qendra e Kosovës regjistroi mesatarisht 7.8 pikë, 4.5 kërcime dhe 2.8 asistime për ndeshje, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm që skuadra të mbetej konkurruese përballë kundërshtareve të forta gjatë gjithë turneut.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













