Flamurtari, presidenti takon Pollozhanin e Ferkon. Idrizi u “tërheq veshin” drejtuesve për trajnerin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2025 | 11:51

Flamurtari, presidenti takon Pollozhanin e Ferkon. Idrizi u “tërheq veshin” drejtuesve për trajnerin e ri

Mbledhje në Vlorë për Flamurtarin e  sezonit të ri në Kategorinë Superiore. Administratori Sinan Idrizi ka takuar dje drejtuesit e klubit për të disktuar rreth ndërtimit të Flamurtarit të ri, duke nisur nga trajneri dhe deri te lojtarët që do të përbëjnë skuadrën e elitës.

idrizi pollozhani

Në Vlorë ka mbërritur dje edhe Artim Pollozhani, i cili do të ketë në klub rolin e drejtorit sportiv në sezonin e ri. Ish-trajneri Pollozhani mbylli pushimet pranë familjes në Maqedoninë e Veriut për t’iu përveshur tashmë punës për të ndërtuar Flamurtarin e sezonit 2025-2026. Në mbledhjen me Idrizin kanë qenë edhe Alfred Ferko, që pritet të marrë postin e sekretarit të klubit, si dhe Lejdi Liçaj. Ky i fundit, nëse nuk do të jetë zëvendëstrajner me stafin e ri teknik, parashikohet të marrë një tjetër rol drejtuesi në klub, ndërsa ky fakt i është komunikuar edhe nga vetë administratori Idrizi në takimin e djeshëm. “Panorama Sport” zbulon çështjet e diskutuara, por edhe batutat e hedhura nga palët në këtë takim. Madje, Idrizi ka thumbuar edhe Artim Pollozhanin, teksa ka thënë se postin e drejtorit mund t’ia marrë Lejdi Liçaj.

“Liçaj mund të jetë drejtori sportiv i klubit, por tani jemi duke punuar për të gjetur se kush do të jetë sekretari i klubit, Ferko apo Pollozhani”, mësohet se është shprehur me batutë kreu i klubit. Idrizi u ka “tërhequr veshin” Pollozhanit dhe Ferkos, për vonesën që po bëjnë në emërimin e trajnerit të ri. “Vendosni tani për trajnerin. Nuk duhet të vonohemi. Deri në fund të javës, duhet ta kemi trajnerin e Flamurtarit”, mësohet se u ka thënë Idrizi dyshes drejtuese. Nga ana tjetër, si Ferko ashtu edhe Pollozhani, i kanë thënë numrit një të klubit se po punojnë dhe së shpejti do të dalin me emrin final. Vlen të theksohet se janë shumë kandidatë për trajner në tavolinën e bordit drejtues të Flamurtarit. Alternativat janë si nga tregu vendës dhe i rajonit, por edhe përtej Adriatikut. Java ka nisur me paqartësi për emrin e trajnerit, pavarësisht se në fundjavë më shumë i kuotuar ishte tekniku kryeqytetas, Mirel Josa.

idrizi ferko

KONFIRMIMET DHE MERKATO

Në takimin e drejtuesve të Flamurtarit u diskutua edhe për merkaton dhe rinovimet në radhët e skuadrës. Idrizi u ka kërkuar që të paktën 5 lojtarë do të vijnë në Vlorë dhe të jenë goditje, duke pasur eksperiencën e duhur. Idrizi u ka lënë detyrë Pollozhanit dhe Ferkos që të nisin menjëherë kontaktet edhe me lojtarët e grupit aktual për të diskutuar për rinovimin dhe termat financiarë. Pas Lorenc Trashit, administratori kërkon që të ulet në bisedime edhe me kapitenin Denis Pjeshka, Idriz Bathën, Krist Ememe dhe Ariol Kaloshin. Disa prej tyre janë në kontratë, por do të diskutohen termat financiarë.

5 milionë euro parashikohet të jetë buxheti i Flamurtarit në Superiore. Kjo lë të kuptohet se vlonjatët do të kenë një ekip “big”, dhe për këtë arsye Idrizi do të sjellë një trajner me përvojë.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL