Flamurtari i dashuruar me italianët, ja dy trajnerët që kanë marrë ofertë nga Idrizi
Sinan Idrizi, i dashuruar pas italianëve, pasi dy emrat e selektuar nga tregu i huaj si kandidatë më të mundshëm për momentin për stolin e Flamurtarit, janë nga shteti fqinj. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht dy emrat përtej Adriatikut, të cilëve Flamurtari u ka bërë ofertë konkrete për postin e trajnerit.
Serse Kozmi është kontaktuar së fundmi. 67-vjeçari italian, i lindur në Peruxhia, është përfolur disa vite më parë edhe te Partizani, por në atë kohë firmosi në Kroaci te Rijeka. Kozmi është një emër i njohur në Itali, ndërsa më parë ka drejtuar skuadra si: Peruxhia, Xhenova, Udineze, Breshnia, Livorno, Palermo, Siena, Leçe, Peskara, Trapani, Askoli, Venecia, Peruxhia, apo edhe Krotone. Një tjetër italian që ka
marrë ofertë nga Flamurtari, është Luixhi de Kanio. Edhe ky i fundit është brez i Kozmit, të dy 67-vjeçarë. De Kanio ka drejtuar shumë skuadra në Itali. Pistiçi, Savoia, Siena, Karpi, Peskara, Udinese, Napoli, Rexhina, Xhenova, Leçe, Katania dhe Ternana janë disa nga klubet ku ai ka trajnuar. Gazeta zbulon se përgjigjet e Serse Kozmit dhe Luixhi de Kanios kanë qenë pozitive. Dy italianët janë të gatshëm për të provuar një aventurë në Vlorë, por do të jetë bordi i klubit ai që do të vendos nëse do të përzgjedhë njërin prej tyre.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













