Fenomenale! Tripletë medaljesh të arta me 6 prova super, Enkileda Carja nderon Shqipërinë në Europian
Shqipëria ka marrë medaljet e saj të para në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për Juniorë dhe U-23, aktivitet që po mbahet në Durrës që prej datës 28 tetor. Suksesi kuqezi vjen i gjithi me firmën dhe vulën nga Enkileda Carja, e cila bëri një garë fenomenale, duke shpallur kampione e trefishtë e Europës për kategorinë juniorë.

Carja tronditi pallatin e sportit “Ramazan Njala”, duke dominuar totalisht në peshat 63 kg, me 6 prova të suksesshme, të gjitha të realizuara në mënyrën më të pastër të mundshme, duke shënuar rekorde europiane për moshën e saj në çdo provë. Ndonëse vetëm 17-vjeçare, Carja u shfaq superiore ndaj rivaleve në garën për U-20.
GARA- Duke kaluar te performanca në pedanë, Enkileda tregoi menjëherë muskujt, teksa shkëlqeu në të tria provat në shkëputje, duke ngritur me radhë 95 kg, 96 kg dhe 98 kg, për të mposhtur konkurrencën e ukrainases Alina Daderko, e cila ishte e vetmja që provoi ta rivalizonte. Kështu, me 98 kg, Carja futi në kasafortë medaljen e saj të parë të artë në shkëputje. Më tej, duke kaluar në stilin e shtytjes, kampionia kuqezi dhuroi spektakël, teksa fillimisht kaloi me sukses 111 kg dhe 116 kg.
Ndonëse e kishte siguruar medaljen e artë, Carja provoi me 118 kg, duke e ia dalë më së miri. Ndërkohë, me 216 kg në total, peshëngritësja shqiptare fitoi medalje ari edhe në dygarësh, duke kompletuar tripletën europiane. Në fund kampionia kuqezi shpërtheu në festë, teksa u ul për të puthur shtangën, ndërsa i ndau emocionet e këtij triumfi të madh, duke përqafuar trajneren e saj Eglantina Çuni. Më tej gjithçka vijoi me ceremoninë e medaljeve, me sportisten elbasanase të Teutës në shkallën më të lartë të podiumit dhe me himnin e Shqipërisë në sfond.
Një sukses i merituar për Enkiledën, e cila po mbyll një tjetër sezon të madh, duke u konfirmuar absolutisht si sportistja më premtuese e peshëngritjes shqiptare, për tu bërë gati gradualisht që të shkruajë historinë edhe në radhët e të rriturave. Garat e Shqipërisë në Europianin që po mbahet në Durrës do të vijojnë këtë të shtunë me Gea Dokollarin, e cila konkurron në orën 09:00 në Baterinë B të peshave 69 kg për juniorë. Më tej të dielën në orën 09:00 do të jetë radha për Maida Lozin (Juniorë 77 kg, Bateria B ) dhe Ertjan Kofshën, që do të mbyllë garat kuqezi në orën 13:00 në peshat 94 kg për juniorë.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













