Europiani i shtangës nis sot për Shqipërinë, Gjoza: Në Moldavi për disa medalje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2025 | 10:21

Europiani i shtangës nis sot për Shqipërinë, Gjoza: Në Moldavi për disa medalje

Në Kishinau të Moldavisë, që prej datës 13 prill, ka nisur Kampionati Europian i peshëngritjes, një kompeticion ku marrin pjesë 333 sportistë nga 40 shtetet të kontinentit. Në këtë eveniment përfaqësohet edhe Shqipëria, teksa Kombëtarja Kuqezi ka udhëtuar në Moldavi me 4 peshëngritës, me Briken Caljen, Erkand Qerimajn, Kristi Ramadanin dhe Arbri Çerçizin.

Screenshot 2025-04-16 102022

Në një prononcim për “Panorama Sport”, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngrijtes, Elez Gjoza, ka folur për objektivat në Europian. Gjoza deklaron se Shqipëria synon medalje me të gjithë sportistët e saj në këtë eveniment të rëndësishëm. “Në Kampionatin Europian ne do të përfaqësohemi me sportistët tanë më të mirë, me Kristi Ramadanin, Briken Caljen, Erkand Qermajn dhe Arbri Çerçizin.

Të katër peshëngritësit janë të përgatitur seriozisht për garat dhe vijnë në këtë aktivitetet në formë shumë të mirë sportive. Presim që të fitojmë medalje me të katërt peshëngritësit tanë në këtë Europian. Sigurisht gara mbetet garë dhe do të shikojmë sesi do të shkojë, por synimi ynë është shumë i qartë: marrja e disa medaljeve në Europian me të katër shtangistët. Vetë sportistët janë me humor dhe ndihen optimistë për garën dhe besoj që çdo gjë do të shkojë mirë”, shprehet Gjoza.

GARAT – Briken Calja dhe Arbëri Çerçizi do të jenë sportistët që do të hapin konkurrimin e Shqipërisë në Europian, teksa të dy do të garojnë sot në orën 15:00 në Baterinë A të peshave 73 kg. Calja ka deklaruar 342 kg në dygarësh, ndërsa Çerçizi 331 kg.

Më tej nesër do të jetë radha për dy peshëngritësit e tjerë kuqezi, ku fillimisht në pedanë do të ngjitet Erkand Qerimaj në Baterinë B të peshave 81 kg, me garën që nis në orën 10:00. Më pas në të njëjtën peshë, por në Baterinë A, do të futet Kristi Ramadani, me garën e tij që nis në orën 18:00. Qerimaj ka deklaruar 325 kg, ndërsa Ramadani 340 kg.

Screenshot 2025-04-16 101902

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL