Europiani i peshëngritjes, Kofsha “ndez” vetëm në stilin e shtytjes
Vijojnë garat në Kampionatin Europian të peshëngritjes, aktivitet që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë, ndërsa dje radhën për t’u ngjitur në pedanë për Shqipërinë e kishte Ertjan Kofsha.
Talenti shtërmenas konkurroi në Baterinë A të kategorisë së peshave 94 kilogramë. Gara nuk nisi mirë për Kofshën, pasi në stilin e shkëputjes ai i dështoi të tria provat, përkatësisht me 164 kg, 165 kg dhe 166 kg.
Më tej ishte radha për stilin e shtytjes, aty ku sportisti i Leonard Toskës e filloi shumë mirë, duke realizuar me sukses provën 194 kg. Megjithatë, Kofsha nuk “ndezi” në dy provat e tjera, duke dështuar me peshën 198 kg, për ta mbyllur kështu me vend të pestë shtytjen.
Një rezultat i rëndësishëm, por keqardhja mbetet e madhe për blofin në shkëputje, rezultat që e penalizoi edhe në dygarësh. Krenaria e Shqipërisë në Europianin që po mbahet në Gjeorgji është Briken Calja, i cili fitoi medalje të artë në shtytje dhe argjendi në dygarësh në kategorinë e peshave 79 kilogramë.
PANORAMASPORT.AL













