Erjon Bogdani rikthehet te Siena, Salihi rrëfehet nga Reinxhers te Çangçun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2012 | 11:00

Erjon Bogdani rikthehet te Siena, Salihi rrëfehet nga Reinxhers te Çangçun

Mbërritja e Viçenco Iakuntës, i huazuar nga Juventusi te Çezena, ndikoi te sulmuesi shqiptar për të marrë vendimin përfundimtar dhe për të pranuar ofertën e Sienës. Një rikthim, pas katër vitesh mungesë në komunitetin bardhezi, atje ku tifozët e kanë thirrur “Princi i Epirit”, sa herë që e ka çuar sferën në rrjetë. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare firmosi një kontratë 1-vjeçare me opsion rinovimi. Me gjasë, Siena mund të jetë skuadra e tij e fundit në Serinë A, pasi 34- vjeçari shpeshherë ka lënë të kuptohet se objektivi i tij është që të luajë edhe për një sezon tjetër në një skuadër të nivelit të lartë. Me fanellën e Sienës Bogdani shënoi 13 gola në 47 ndeshje me Sienën, 11 në sezonin 2005-2006 (34 ndeshje) dhe 2 në sezonin 2006-2007 (15 ndeshje). Hapat e parë të Bogdanit kanë qenë te Partizani, me të cilin ka luajtur në tre sezone shumë të bukura (1994-1997). Transferimin në Turqi, te Genshlerbirligi (1998), e konsideron një eksperiencë të shkurtër, por dhe të vështirë. Te NK Zagreb luajti në sezonin 1998-1999 (26 ndeshje, 10 gola) dhe e ndihmoi shumë për rritjen e nivelit tashmë në planin ndërkombëtar. Në Itali luan nga viti 2000, pra prej 11 vjetësh. Rexhina, Salernitana, Verona, Siena, Kievo, Livorno, Çezenën dhe tani sërish me Sienën. Shtatë skuadra midis Serisë A dhe B dhe 73 gola në kampionat, pa përmendur ata të realizuar në Kupën e Italisë, apo të 21 gola me Partizanin, 3 me Genshlerbirlixhi dhe 10 me NK Zagreb.
Kasami Mesfushori shqiptar, Pajtim Kasami, nuk ka pranuar të largohet nga skuadra e Fulhamit, shkruajnë mediumet angleze të martën. Kasami, 19-vjeçar, ka pasur ofertë nga skuadra e Juventusit, e cila ishte e gatshme t’i paguajë Fulhamit një dëmshpërblim prej katër milionë eurosh dhe më pas ta huazonte te Çezena. “Nuk kam dashur të largohesha, jam shumë i lumtur te Fulhami. Kam qëndruar këtu, pasi dua të luftoj për një vend titullari, të cilin do ta arrij shumë shpejt”, është shprehur Kasami. Ai ka një kontratë me ekipin londinez deri në vitin 2015, kurse në radhët e tij u transferua para fillimit të këtij edicioni nga Palermo për dy milionë euro.

Rrëfehet Salihi, nga Reinxhers te Çangçun
Hamdi Salihi ka qenë në qendër të merkatos të janarit, ndërsa emri i tij është përmendur në axhendën e shumë klubeve. Rapidi i Vienës është treguar i gatshëm për të shitur sulmuesin shkodran, edhe për shkak se kontrata i përfundon në fund të sezonit. Ndonëse dëshira e lojtarit ka qenë për t’u transferuar te gjigantët e Glasgou Reinxhers, këta të fundit kanë zgjedhur një futbollist tjetër dhe e vetmja pistë për bomberin kuqezi, ka mbetur ajo e kinezëve të Çangçun Yatai. Vetë lojtari rrëfen në një intervistë për të përditshmen prestigjioze “Curier” mbi trataivat e merkatos së janarit dhe mundësitë se ku do të luajë në të ardhmen…
A e keni pranuar ofertën e klubit kinez të Çangçun?
Jo, ende nuk kam arritur një akord me ta. U kam kërkuar që të bëjnë ndryshime në kontratën që më ofrojnë, pra bisedimet tona kanë ngecur në aspektin financiar.
Pra ju kërkoni një pagë më të lartë nga Çangçun?
Po. Ka ende kohë për të arritur një marrëveshje ose jo, pasi transferimt në Kinë mbyllen më 2 mars. Unë u kam bërë të ditur kinezëve kushtet e mia dhe ata ende nuk më kanë kthyer një përgjigje nëse janë dakord apo jo.
Trajneri i Rapidit, Shëtel, iu ka rekomanduar që të luani për një klub tjetër. A keni pasur oferta gjatë kësaj kohe?
Po. Kam refuzuar oferta nga Greqia, Turqia dhe Qipro. Madje, nga klube mjaft të njohura të këtyre vende. I kam refuzuar, sepse nuk përshtateshin me kërkesat e mia sportive.
Ëndrra juaj ishte që të luanit te Glasgou Reinxhers. Pse nuk arritën të shkonit atje, pavarësisht se Jelaviç, i cili u largua prej andej, iu rekomandoi juve si pasardhësin ideal?
Unë kam pas kontakte me Nikicën dhe me Reinxhersin. Por, siç duket ata vendosën që të merrnin një sulmues tjetër, nga Premier Liga.
Çfarë do të ndodhë tani me të ardhmen tuaj?
Unë po pres ende përgjigje nga klubi kinez. Nuk përjashtohet edhe mundësia që ata të firmosin me një lojtar tjetër. Nëse nuk do transferohem në Kinë, atëherë do të bisedoj me trajnerin Shëtel për t’iu bashkuar ekipit në fazën përgatitore në Portugali.
Një pyetje të fundit. Ju ku besoni se do të luani në muajt e ardhshëm?
Unë mendoj se gjasat janë që të luaj në Kinë. Por, sigurisht që edhe te Rapidi do të qëndroja me dëshirë. Më pëlqen klubi, njerëzit dhe qyteti i Vienës.

STEFAN EBNER
“Oferta e Çangçun, e shkëlqyer për Rapidin”
Menaxheri i përgjithshëm i Rapidit të Vienës, Stefan Ebner, ka deklaruar se oferta e klubit kinez të Çangçun Yatai, ka qenë e shkëlqyer mbi kartonin e Hamdi Salihit. “Kam dëgjuar të flitet se ai do të shitet për 1 milion euro, por nuk është e vërtetë. Gjithsesi, ata kanë bërë një ofertë, e cila mund të cilësohet e shkëlqyer, për vetë faktin se futbollistit i përfundon kontrata me ne pas katër muajsh. Nëse nuk arrijmë të përfitojmë tani prej tij, atëherë ai do të largohet si lojtar i lirë në fund të sezonit”, u shpreh Ebner.