Elbasani do ta mbyllë me zgjuarsi ndaj Vllaznisë, të shtunën nuk lejohet asnjë gabim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2025 | 18:07

Elbasani do ta mbyllë me zgjuarsi ndaj Vllaznisë, të shtunën nuk lejohet asnjë gabim

Elbasani është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të kenë me Vllazninë ditën e nesërme. Kjo përballje shihet si tepër e rëndësishme në kampin verdheblu, sepse një hap fals në këtë 90-të minutësh, mund t’i hiqte mundësinë të luante finalen me Partizanin për vendin e katërt.

Screenshot 2025-04-18 180659

Për këtë arsye, mobilizimi është në maksimum dhe siç dihet objektivi është që së paku të mos dalin pa pikë nga ky duel. Për momentin duket se Gvozdenoviç i ka “kartat” në rregull, për aq kohë sa ekipi që ai drejton po funksionon dhe mbi të gjitha po merr rezultatet, ku siç dihet nuk mundet prej dhjetë takimesh. Një ecuri mbresëlënëse që do të zhbëhej, nëse ekipi nuk vazhdon me këtë ritëm edhe në këto dy sfida që kanë mbetur këtë edicion.

MOTIVIMI – Edhe pse Elbasani nuk i ka mundur asnjëherë shkodranët këtë sezon, ku madje edhe janë eliminuar nga kupa, këtë ndeshje e presin ndryshe. Optimizmi dhe motivimi i të besuarve të Ivan Gvozdenoviç është në pikën më të lartë, për më tepër që është një ndeshje të cilën e luajnë në shtëpinë e tyre. Kuqeblutë janë një ndër dy skuadrat ndaj të cilëve elbasanasit nuk kanë marrë dot fitore këtë sezon, siç ka ndodhur edhe ndaj Dinamos.

Me të gjitha të tjerat ia ka dalë që së paku të marrin nga një fitore. Për këtë arsye, verdheblutë kanë edhe një motiv më shumë që të dalin me tri pikë nga sfida me Vllazninë. Gjithsesi, mbetet për t’u parë rezultati që do të arrijnë këtë të shtunë, edhe pse shpresat i kanë të mëdha, duke qenë ekipi i momentit në kampionat dhe ky faktor duhet shfrytëzuar maksimalisht deri në fund.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL