EKSKLUZIVE/ “Prisja më shumë nga Mehmeti”, Ledio Pano: Partizanit i mungon lideri, por mbeten favoritë për titull! Ja cili repart duhet forcuar (E PLOTË)
Kategoria Superiore është ndalur për disa ditë dhe i ka lënë terren lëvizjeve në merkato, me klubet, që disa kanë zgjedhur të përmirësohen e të tjerë kanë shfrytëzuar rastin për të shitur dhe për të përfituar financiarisht.

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport” ish-fantazisti i Partizanit, Ledio Pano, i bën një analizë të shteruar gjendjes së Superiores dhe lëvizjeve që klubet kanë bërë deri më tani. Ai sheh një dobësim te Partizani, por beson se në vijimin e merkatos të kuqtë do të bëjnë lëvizjet e duhura.
Ledio, si ju është dukur Superiorja në gjysmën e parë të saj?
Padiskutim që nuk ishte në nivelin që pritej, të paktën në mendimin tim, siç unë e shoh me sytë e mi. Shumë ekipe me luhatje përgjatë gjithë rrugëtimit të deritanishëm. Kishte ekipe që për 2-3 javë tregonin cilësi e më pas për 2-3 javë dobësi të theksuara.
Padiskutim që katër të parat kanë treguar nivel pak më të lartë se të tjerat, por padyshim nuk ishte niveli që pritej nga ekipet pretendente për fitimin e kampionatit. Egnatia nuk është e vjetshmja pas ndryshimeve të mëdha, ajo kampionia me atë lojën e bukur. Por sërish është një ekip pretendent.
Partizani është shfaqur relativisht i qëndrueshëm. Me ndryshimin në stafin drejtues, krijoi një qëndrueshmëri në lojë dhe tregoi se ka potencial për t’i shkuar deri në fund. Vllaznia nuk ka treguar nivel të kënaqshëm, por ka marrë rezultatet dhe ka pasur një rritje graduale në lojë. Dinamo, kampione e dimrit, ka pësuar një rritje thelbësore që nga ardhja e trajnerit Daja.
Padiskutim që suksesi i deritanishëm mban emrin e tij. Nuk më vjen mirë për gjendjen e Tiranës, me luhatjet e mëdha. E nisi deri diku mirë sa i përket lojës dhe thamë se mund të bëjë diçka, por padiskutim është e vështirë të ndryshosh shumë lojtarë dhe të kërkosh cilësi e rezultate. Vështirësia e Tiranës mendoj se do të vazhdojë edhe në pjesën e mbetur të sezonit.
Si mendoni se do të ndikojnë lëvizjet e kësaj merkatoje në pjesën e mbetur të sezonit?
Padiskutim që katërshja e parë ka një nivel pak më të lartë se ekipet e tjera dhe e kanë treguar qartë. Prandaj edhe kanë më shumë pikë. Në janar është e vështirë të gjesh lojtarë cilësorë, por jo e pamundur. Egnatia ka bërë 2-3 afrime cilësore, duke nisur me portierin Dajsinani dhe Fernandon në mesfushë. Ka bërë afrime cilësore, që e rrisin goxha Egnatian. Partizani natyrisht që ka humbje të mëdha. Në më pak se një vit ka larguar shtatë lojtarë të formacionit. Do të duhen lojtarë shumë cilësorë për t’i zëvendësuar. Partizani padyshim që e ka potencialin edhe me këtë përbërje, por i duhet më shumë cilësi. Dinamos mendoj i duhet më shumë cilësi në pjesën e mbrojtjes, sepse sulmin e ka cilësor. Nëse vjen, Jonuzi do ta ndihmojë shumë, pavarësisht se te Tirana nuk dha atë që pritej.
Cili prej largimeve mendoni se e rëndon më shumë Partizanin?
Unë besoj se të tre largimet janë të vështira të zëvendësohen në këtë moment. Ishin lojtarët më cilësorë të skuadrës momentalisht. Kam dëgjuar për ardhjen e një nigeriani, por shpresoj ta zgjidhin si duhet situatën e tij. Por nuk mendoj se është aty pika nevralgjike.
Për mendimin tim, Rrapaj është pika kryesore, që besoj se duhet zëvendësuar sa më parë. Cara ishte kapiten dhe pikë e fortë, por është zëvendësuar nga një bjellorus (Podstrelov), i cili ka ardhur së fundmi. Ka një CV të bollshme dhe ka qenë prezent edhe në Kupat e Europës. Podstrelov është lojtar që ka qenë në aktivitet, është në kushtet e duhura fizike dhe gati për të ndihmuar. Do ta shohim çfarë do të bëjë gjatë kampionatit.
Sa i besoni merkatos në tregun e huaj? Rregulli i ri e favorizon…
Tregu i huaj ka pluset dhe minuset e veta. Në këtë moment është e vështirë të gjesh lojtarë shumë cilësorë, sepse është janar dhe janë nën kontratë me ekipet e tyre. Ne nuk jemi nga ato vende që mund të huazojnë lojtarë nga vende si Italia apo ndonjë destinacion tjetër i ngjashëm. Tregu ynë mbështetet më shumë nga Afrika. Shumë pak nga vendet e zhvilluara. Edhe nëse ka ardhur ndonjë nga Spanja për shembull, ka luajtur në ligat e ulëta. Janë të paktë dhe është shumë e vështirë t’i gjesh. Gjithashtu pagesat për ta janë të mëdha. Duan edhe kohë për ambientimin me futbollin dhe jetën në Shqipëri.
Si e prisni Partizanin pas janarit, njësoj, më të fortë apo më të dobët?
Padiskutim që në teori vërehet një dobësim, por Partizani mund të bëjë blerje të mira dhe të marrë lojtarë cilësorë për të vazhduar si duhet. Shumë lojtarë kanë ikur e ardhur dhe Partizani ka qenë gjithnjë aty. Në një përqindje të madhe ardhja e lojtarëve ka qenë pozitive. Padiskutim që jo të gjithë janë lojtarë cilësorë, do të ketë edhe minuset e veta. E rëndësishme është që Partizani të mos humbasë ritmin e ekipit që lufton për kampion.
Kush nga ata që kanë mbetur mendoni se janë liderët e këtij Partizani?
Të them të drejtën prisja shumë nga Mehmeti. Më pëlqente shumë si lojtar dhe kur ishte Marini drejtor, unë si dashamirës i klubit, i propozova ta ndiqte Mehmetin kur ishte tek Erzeni. Prisja një Mehmet tjetër. Sigurisht kur vjen në një ekip të madh, pesha e fanellës dhe gjëra të tjera të bien mbi supe dhe nuk e ke potencialin të vazhdosh në atë ritëm.
Tani nuk mendoj se e ka Partizani një Rrapaj apo një Cara që ta drejtojë ekipin. E mira është që mbrojtjen deri diku e ka solide, por duhen lojtarë në mesfushë që të bëjnë ndryshimin cilësor të lojës së Partizanit. Mesfusha është çelësi dhe duhet të ndërhyjnë për një pasues të Rrapajt.
Pra, duhet një lojtar fantazist me patjetër?
Padiskutim. Aty është edhe Kote, më pëlqen shumë si lojtar, por është i ri ende, i brishtë dhe nuk ka përvojën e Rrapajt. Gjithsesi, unë do të doja që Kote të ishte në formacionin bazë të Partizanit.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













