EKSKLUZIVE/ Zeka: Dua yllin e dhjetë në gjoksin e Vllaznisë, ekipi ka bërë një hap përpara më shumë se Dinamo (E PLOTË)
Nga Italia, ku jeton dhe punon prej vitesh, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” ka folur ish-drejtori i Vllaznisë, Eugent Zeka.
Shkodrani ka analizuar ecurinë e kuqebluve në periudhën e fundit. Duke theksuar se fitorja e fundit kundër Dinamos, e “shkundi” dhe riktheu ekipin aty ku duhej. Sipas ish-drejtuesit kuqeblu, tashmë skuadra ka qetësinë e duhur për të pretenduar edhe fitimin e trofeve. Ku titulli kampion mbetet dëshira e çdo shkodrani kudo ndodhet.
Më në fund një fitore bindëse e Vllaznisë apo jo?
Kur një fitore mungon prej shumë javësh dhe më në fund arrihet me një rezultat të tillë dhe kundër një kundërshtari pretendent për titull si Dinamo, më shumë se bindëse unë e shoh si frymëmarrje. Për të cilën Vllaznia kishte nevojë jo vetëm për të arritur matematikisht “Final 4”, por edhe për të rikthyer optimizmin në të gjithë ambientin kuq e blu.
U duk sikur skuadra kishte një qasje tjetër në këtë duel ndaj Dinamos, çfarë ndryshoi?
Mendoj se mungesa e fitores në javët e fundit për Vllazninë dhe afrimi i fundit të kampionatit, kanë rritur më shumë përgjegjësinë dhe motivimin te skuadra, e cila nuk kishte më kohë për të humbur në rrugëtimin e saj për të kërkuar titullin kampion. Në këtë aspekt, mendoj se Vllaznia ka bërë një hap përpara më shumë se Dinamo. Duke u prezantuar më e motivuar dhe efikase në këtë ndeshje.
I jep një qetësi tashmë ekipit arritja e “Final 4”?
Padyshim që kjo arritje i jep qetësi ekipit të Vllaznisë, por këtë nuk duhet ta shfrytëzojnë “për të rënë në gjumë” deri në momentin e zhvillimit të “Final 4”. Kjo qetësi duhet të shfrytëzohet si një mundësi e vërtetë për të rikuperuar të gjitha forcat dhe për t’u përgatitur sa më mirë në të gjitha aspektet që i kërkohet një klubi të denjë për të merituar titullin kampion.
Si mundet Vllaznia ta mbajë këtë ritëm edhe në “play off”, por edhe në kupë?
E vetmja mundësi është ajo që jam shprehur edhe në të shkuarën. Vllaznia duhet të vazhdojë të ndërtojë e forcojë përherë e më shumë identitetin dhe mentalitetin fitues të saj. Më pas së bashku me ndihmën e publikut më të mirë dhe të dashur në botë si ai i Shkodrës për mua, çdo gjë do të bëhet edhe më e lehtë për të arritur objektivat e klubit.
Do të preferoje kupën apo kampionatin nëse do të kishte mundësi zgjedhjeje?
Nëse do të kisha mundësi zgjedhjeje me të vërtetë, do t’i preferoja të dyja dhe nuk do të ngopesha kurrë, duke parë Vllazninë të fitojë trofe. Padyshim titulli kampion që do të të sjellë edhe yllin e parë te fanella e Vllaznisë është shumë më i dëshiruar nga i gjithë ambienti kuq e blu. Kjo pa dashur të zbeh vlerën e Kupës së Shqipërisë.
Ka mundësi skuadra për të dy trofetë?
Kush arrin në fund të sezonit për të luajtur finalet si për Kupën, ashtu edhe për kampionatin, me të drejtë i ka mundësitë e vërteta për t’i ftuar të dyja ato. Kjo vlen si për Vllazninë, ashtu edhe për skuadrat e tjera që mund të arrijnë të luajnë të dyja finalet. Duke ngrënë, shtohet uria edhe më shumë. Duke fituar trofe, duhet të ndodhë gjithashtu edhe për Vllazninë, uroj dhe shpresoj.
Dueli i radhës në kampionat me Elbasanin, e vështirë apo jo?
Rëndësia e kësaj ndeshjeje që mund të ndikojë direkt edhe për vendin e katërt në kampionat, shton edhe me shumë vështirësinë e saj. Mendoj që edhe Partizani e ka vëmendjen te kjo ndeshje, edhe për faktin që nuk e ka të lehtë në Ballsh.
Futbolli është tërheqës edhe për këtë. Në të shkuarën edhe Vllaznia për shembull ka pasur vëmendjen te Partizani kur luante kundër Kamzës, kush e ka memorien e mirë ta kujtojë. Kjo nuk do të thotë që Vllaznia do të shkojë në Elbasan jo për fitore, përkundrazi, ajo duhet të nderojë kampionatin deri në fund për të treguar që është gjithmonë një ndër skuadrat më të rregullta, korrekte dhe “fair play” në Shqipëri.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













