EKSKLUZIVE/ Vendosi fatet e derbit të fundit, Xhevahir Sukaj: Ja sekreti i triumfit të Partizanit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2018 | 17:43

EKSKLUZIVE/ Vendosi fatet e derbit të fundit, Xhevahir Sukaj: Ja sekreti i triumfit të Partizanit (E PLOTË)

Xhevahir Sukaj u bë shumë shpejt njeriu i derbit te Partizani. Sulmuesi shkodran luajti tri sezone me fanellën e kuqe dhe arriti të shënojë katër gola në portën e Tiranës. Edhe derbi i fundit, i zhvilluar në “Selman Stërmasi” më 28 prill të vitit 2017, është vulosur pikërisht nga shkodrani, që tashmë luan te Laçi. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Sukaj i tregon të gjitha. Nga golat te premiot, momentet pikate në derbi dhe deri te parashikimi.

sukaj

Xhevahir, çfarë do të thotë derbi Tirana-Partizani për një futbollist?

Normalisht që është një ndjesi e veçantë për këdo lojtar që ka luajtur qoftë edhe pak minuta në derbi. Për tri vite, sa u aktivizova me Partizanin, e kam përjetuar në mënyrë të shkëlqyer, pasi jo vetëm që nuk jemi mundur asnjëherë, por i kam shënuar Tiranës katër gola. Ruaj vetëm kujtime të mira dhe mendoj se nuk është rastësi që Partizani ka 13 ndeshje radhazi që nuk e njeh humbjen në derbi

Pse mendoni se nuk është rastësi?

Nuk është rastësi për shkak të përgatitjes që i bën derbit Partizani si klub. Gjëja më e mirë është që presidenti Demi nuk e fut skuadrën në presion para një derbi për të kërkuar fitoren me çdo kusht. Për aq kohë sa kam qenë unë te Partizani, ai e cilësonte një ndeshje normale që duhet ta luanim pa trysni, por natyrisht duke bërë maksimumin. “Është një lojë normale, edhe pse derbi. Luani ashtu si dini vetë”. Kjo ka qenë fjalia e përhershme e tij, duke e çtensionuar situatën.

Po thoni që mosvendosja nën presion e ekipit ka ndikuar që të jeni shpesh fitues në derbi….?

Duke e marrë ndeshjen me qetësi dhe vetëbesim, Partizani ka bërë gjithnjë diferencën. Si të thuash, jemi futur në fushë me trimëri. Arma jonë kjo ka qenë, sepse nuk e kemi konsideruar si finale. Presioni ka qenë zero, madje edhe kur na janë dashur pikët me patjetër. Edhe kur kemi qenë në luftë për titull, mbaj mend që nuk është dramatizuar asnjëherë barazimi që kemi marrë. Këtu i referohem ndeshjes që përfundoi 2-2 dhe barazuam në minutat shtesë.

Edhe në derbin e fundit që shënova, pavarësisht presionit të madh që kishim prej pikëve, ditëm që ta menaxhojmë mirë situatën. Pra, e kemi marrë gjithnjë si ndeshje radhe, jo si jetë a vdekje. Natyrisht në aspektin teknik, kjo është një ndeshje që organizohet më mirë se të tjerat, por Partizani e bën diferencën pikërisht te fakti që futet në fushë si triumfator ndaj Tiranës. Shprehjet “o bo bo, do humbim” nuk kanë ekzistuar kurrë.

Këtë herë çfarë ndeshjeje prisni të luhet?

E sigurt është që nuk ka favoritë për të fituar. Të paktën, ashtu si e shikoj unë, të dyja skuadrat vijnë në këtë derbi në gjendjen më të mirë të mundshme. Jam tifoz i Partizanit, por shoh një derbi shumë të luftuar këtë herë.

Derbin e fundit e ka vendosur goli juaj me kokë. Si e mbani mend atë takim?

Në atë ndeshje nuk kam qenë as në 10% të formës. Këtë po ua tregoj me sinqeritet. Edhe trajneri Starova nuk e kishte ndërmend të më aktivizonte. Mirëpo, me kalimin e minutave dhe duke parë rezultatin, e gjithashtu mundësitë e pakta në stol, u mendua se futja ime mund t’i jepte një impuls më tepër sulmit, pasi na duhej vetëm fitorja. Shënova një gol shumë të bukur me kokë dhe i dhashë ekipit një fitore domethënëse. Gjithnjë sa herë goli bëhet në fund është i veçantë.

Keni luajtur disa herë kundër Tiranës me fanellën e Partizanit dhe për më tepër i keni shënuar katër gola. Cila është ndeshja që nuk e harroni dot?

Për mua ndeshja më e bukur me Tiranën ka qenë ajo fitore e pastër 2-0 në stadiumin “Qemal Stafa” në mars të vitit 2016, kur brenda 12 minutave shënuam dy gola, të parin unë dhe të dytin Fejzullahi. Stadiumi ka qenë plot, shumë emocione. Natyrisht ai që më ka shijuar më tepër ka qenë derbi i fundit, ku shënova në fund, pasi dihet që emocionet në minutat e fundit janë të mëdha kur ka gola vendimtarë.

Ka diçka që ju ka bërë më tepër përshtypje te të dyja skuadrat, qoftë sa i përket mentalitetit, inateve të vjetra apo diçka tjetër?

Trysnia e madhe prej tifozëve e egërson shumë këtë ndeshje, por megjithatë fjala urrejtje nuk besoj se ekziston, pasi kur mbaron loja të gjithë takohemi dhe mbetemi miq. Në fushë sigurisht gjithkush ka parë interesant e veta. Ndjesia te lojtarët është fantastike, pasi kush humbet i ngelet derbi si një njollë dhe është e vështirë ta harrosh shpejt. Ajo që më ka bërë përshtypje është mentaliteti, që edhe pse mund të bësh një kampionat të dobët, nëse ke fituar derbin, je OK me tifozët, a thua sikur ke marrë titullin. Të njëjtën gjë kam përjetuar edhe në Iran me Sepahanin. Tifozët ishin dakord që kampion të mos dilnim, por ama vetëm të fitonim derbin (qesh).

Duke parë këto pesë javë kampionat, cilat nga skuadrat ka diçka më tepër për të fituar sot?

E thashë edhe më lart, nuk shoh favorite, pasi të dyja ekipet janë në momentin e tyre më të mirë. Këto ndeshje janë të paparashikueshme, edhe pse unë nuk mund ta fsheh që dua të fitoj Partizani.

Kush nga lojtarët mund ta bëjë diferencën në këtë takim?

E sigurt është që një lojtar shkodran do ta zgjidhë derbin, qoftë nga Partizani, ashtu edhe nga Tirana. Këtë kam disa ditë që e mendoj dhe jam i bindur që ashtu ka për të ndodhur. Çinari apo Hebaj nga Partizani dhe Hasani te Tirana. Parashikoj një ndeshje me gola, ku ndoshta rezultati 2-1 për Partizanin mund të jetë më i pranueshmi.

Cila ka qenë dhurata ose premioja më e madhe që keni marrë pas një goli në derbi?

Ka qenë ndeshja që fituam 1-0 në vitin 2015 dhe unë shënova pas një goditjeje tokazi nga afërsia e zonës. Ka qenë një goditje pa pretendime në fakt. Në ditët para ndeshjes kam rastisur në një tavolinë, ku ishin të pranishëm personalitete të disa fushave. Duke debatuar se kush do të fitonte, fola me siguri që do të shënoja dhe derbi do t’i përkiste Partizanit. Miku im, Erind Gjoka, një tifoz i madh i Partizanit, i cili është njeriu që u bë shkes që unë të luaja me të kuqtë, më tha që ke në dispozicion një premio të majme nëse bën gol ndaj Tiranës dhe fitonim ndeshjen. Për etikë nuk dua ta përmend shifrën, por ishte shumë e lartë për kohën. Ashtu ndodhi, edhe pse unë bëra një ndeshje të dobët dhe vendosi vetëm ajo goditje. Çdo gol në derbi ka historinë e vet. Madje, një herë kujtoj që edhe presidenti Ilir Meta ka ardhur na ka takuar pas një fitoreje, ku unë sërish isha protagonist. Natyrisht dhuratat më të bukura i kam pasur edhe nga presidenti Demi pas çdo here që shënoja.

Të lëmë pas derbin dhe të flasim për Vllazninë. U rikthyet në sezonin e kaluar në Shkodër dhe skuadra ra nga Superiorja…

Vllaznia është fatkeqësia më e madhe e futbollit shqiptar. Ashtu siç i ndodhi edhe Tiranës, e pësoi edhe ekipi im i zemrës. Mendoni se çfarë kampionati do të bëhej nëse do të ishte në elitë Vllaznia, Dinamo, Elbasani dhe ndonjë ekip tjetër me traditë. Personalisht e kam përjetuar shumë keq periudhën pas rrëzimit. Për herë të parë po e them, por kam menduar që të lë edhe futbollin pas rënies së Vllaznisë. Ai moment ka qenë një goditje shumë e madhe për mua. Nuk gjeja më motiv për të vazhduar. Por, jeta vazhdon dhe unë shpresoj që Vllaznia të kthehet aty ku e ka vendin.

Mendoni se mund të rilindni te Laçi?

Patjetër. Mendoj se nga këtu do të jetë një fillim i ri për mua. Laçi është një sprovë në karrierën time dhe jam i bindur që do t’i dal. Drejtuesve të klubit ua premtoj këtë dhe jam i gatshëm të kontribuoj maksimalisht. Shpresoj që Laçi të jetë sërish në vendet e para dhe unë të arrij atë “bast” personal që kam për shënimin e golave. Dua të jem sërish në nivele të larta, por më duhet kohë të marrë veten.

JORGIS MEMO