EKSKLUZIVE/ Trajneri Mehmeti: Dy skuadra për titull, Dinamo e katërta! Ja çfarë e penalizon Partizanin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2026 | 20:13

EKSKLUZIVE/ Trajneri Mehmeti: Dy skuadra për titull, Dinamo e katërta! Ja çfarë e penalizon Partizanin (E PLOTË)

Ish-trajneri i Dinamos dhe Partizanit, Dritan Mehmeti ka analizuar për “Panorama Sport” Superioren dhe fundin e saj. Ai u ndal te gara për titull, mbijetesa dhe dueli mes Dinamos e Partizanit për “Final 4”.

Dritan-Mehmeti-e1660039928102

Si e ke parë deri kampionatin në një analizë të përgjithshme?
Mendoj se kemi pasur një kampionat me shumë oshilacione pothuajse nga të gjitha skuadrat. Nuk është treguar një stabilitet i vazhdueshëm, jo vetëm në aspektin teknikotaktik të lojës, por edhe në rezultatet e arritura. Nuk kemi parë një lider të qartë që të dominojë kampionatin, apo një skuadër që të ketë formë të qëndrueshme për një periudhë të gjatë. Përkundrazi, të gjitha ekipet kanë kaluar periudha me ulje-ngritje, gjë që e ka bërë garën shumë të paparashikueshme. Diferencat mes skuadrave kanë qenë të vogla, çka e ka rritur rivalitetin dhe e ka bërë kampionatin më interesant në aspektin e tabelës dhe luftës për objektiva, përfshirë edhe zonën e “Final 4”. Skuadrat që synojnë kreun kanë pasur organikë më të plotë, por gjithsesi nuk kanë arritur të ruajnë vazhdimësi. Nga ana tjetër, mendoj se ka një rënie të lehtë të cilësisë tekniko-taktike të kampionatit. Kjo vihet re sidomos në fazën e ndërtimit të lojës, në repartin ofensiv dhe në mungesën e një skuadre që të krijojë dominim të qartë. Për të pasur një kampionat më cilësor dhe më të konsoliduar, duhet një nivel më i lartë individual dhe kolektiv në të gjitha repartet. Kjo është edhe arsyeja pse skuadrat e kreut kanë pasur shpesh krizat e tyre, jo vetëm në rezultate, por edhe në performancë dhe në mënyrën e lojës.

Dinamo nuk po shfaqet si në fazën e parë dhe të dytë. Pse ka ndodhur kjo në vazhdimësi?
Për sa i përket Dinamos, mendoj se ka pasur një performancë shumë të mirë, sidomos në Europë, por edhe gjatë fazës së parë dhe të dytë të kampionatit. Megjithatë, në fazën e tretë nuk ka arritur të ruajë të njëjtin nivel. Si rezultat, jo vetëm rezultatet, por edhe performanca në fushë nuk kanë qenë në përputhje me dy fazat e para. Kjo mund të lidhet me disa faktorë. Së pari, dëmtimet e lojtarëve titullarë që kanë bërë diferencën kanë ndikuar ndjeshëm në vazhdimësi. Së dyti, ndërhyrjet në merkato gjatë janarit nuk kanë sjellë plotësisht elementët e nevojshëm për të zëvendësuar mungesat dhe për të ruajtur të njëjtin nivel cilësor të skuadrës. Gjithashtu, mendoj se edhe aspekti psikologjik ka luajtur rol. Presioni dhe pritshmëritë për të luftuar për titull kanë rritur shkallën e vështirësisë për skuadrën, duke ndikuar në qetësinë dhe vazhdimësinë e rezultateve. Një tjetër problem ka qenë edhe faza ofensive, ku Dinamo ka qenë një skuadër që ndërton dhe krijon shumë, por ka pasur vështirësi në finalizim. Ka munguar shpesh një lojtar tipik që të jetë konstant në zonën e rrezikut dhe të konkretizojë rastet e krijuara. Në disa momente janë vënë re edhe probleme në ekuilibrin defensiv, pra në tranzicionin negativ, gjë që ka ndikuar në stabilitetin e skuadrës.

Duke qenë se ke qenë pjesë e Dinamos dhe Partizanit, si i sheh këto dy skuadra për “Final 4”?
Duke qenë se kam qenë pjesë e të dyja klubeve, i njoh shumë mirë si Dinamon ashtu edhe Partizanin. Mendoj se të dyja kanë pasur probleme përgjatë sezonit, duke kaluar nëpër oshilacione si në performancë, ashtu edhe në rezultate. Në këtë aspekt, besoj se të dyja skuadrat janë në një gjendje relativisht të ngjashme, edhe pse Dinamo duket pak më e avantazhuar, sidomos pas fazës së katërt, ku ka treguar një formë më të mirë dhe një gjendje më të qëndrueshme psikologjike. Këtu ndikon edhe entuziazmi i arritjes në finalen e Kupës, i cili sjell një bonus të rëndësishëm emocional dhe rrit besimin brenda skuadrës. Nga ana tjetër, Partizani ka kaluar një periudhë më të vështirë, duke krijuar një lloj ngërçi psikologjik, si dhe duke pasur oshilacione të mëdha në interpretimin e lojës. Gjithashtu, në disa raste janë bërë edhe spostime të lojtarëve nga rolet e tyre natyrale, gjë që ka ndikuar në ekuilibrin e skuadrës. Për momentin, mendoj se Dinamo është pak më e avantazhuar për sa i përket besimit në realizimin e objektivit, por gjithsesi diferencat janë të vogla. Në fund, besoj se gjithçka do të vendoset në ndeshjen direkte mes Dinamos dhe Partizanit, që do të jetë vendimtare për “Final 4”. Duke marrë parasysh që kampionati përfundon më 10 maj dhe Kupa e Shqipërisë më 13 maj, të dyja skuadrat do të jenë nën presion të madh dhe do të luftojnë deri në fund për vendin e katërt. Megjithatë, Partizani e ka pak më të vështirë situatën, pasi vjen nga rezultate jo të mira dhe aspekti psikologjik mund të ndikojë në këto javë të fundit, ku në një periudhë të shkurtër zhvillohen disa ndeshje dhe është e vështirë të rikthehet shpejt morali e stabiliteti.

Si i ke parë pritshmëritë e Dinamos në këtë kampionat? A kanë qenë brenda nivelit të skuadrës?
Për sa i përket pritshmërive të mia për Dinamon në këtë kampionat, mendoj se ka pasur një paraqitje shumë të mirë në Kupat e Europës, por edhe në dy fazat e para të kampionatit. Në bazë të këtyre, pritshmëritë ishin të larta dhe unë e shikoja si një nga pretendentet kryesore për fitimin e titullit. Duke u bazuar në investimet e bëra, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në përbërjen e skuadrës, Dinamo është një nga ekipet më të mirëpaguara dhe me cilësi të lartë në organikë. Në këtë kuptim, ishte ndërtuar një skuadër me objektiv të qartë, luftën për titull. Megjithatë, një nga elementët që ka ndikuar negativisht ka qenë mungesa e një pike referimi në sulm, një golashënues konstant që të garantonte finalizimin e rasteve. Ky ka qenë një minus i rëndësishëm për Dinamon gjatë sezonit. Në përgjithësi, mendoj se pritshmëritë kanë qenë shumë të larta dhe të justifikuara, duke marrë parasysh cilësinë e lojtarëve dhe investimet e bëra. Duke qenë një skuadër e rikthyer së fundmi në Superligë, Dinamo ka kaluar një fazë tranzicioni trevjeçare, ku në vitin e dytë fitoi Kupën, dhe ky sezon duhej të ishte ai i konsolidimit dhe i luftës për titull. Megjithatë, futbolli është i paparashikueshëm dhe kërkon menaxhim të kujdesshëm të të gjitha situatave, jo vetëm në merkato, por edhe brenda klubit. Mendoj gjithashtu se presioni i jashtëm dhe statusi i vazhdueshëm si pretendente kanë ndikuar psikologjikisht te skuadra. Në këto raste, aspekti mendor luan një rol shumë të rëndësishëm dhe ndoshta një stabilitet më i madh në këtë drejtim do t’i kishte ndihmuar për të qenë edhe më konkurruese.

Cila skuadër të bind më shumë për fitimin e titullit kampion?
Duke iu referuar skuadrave që janë më afër fitimit të titullit kampion, mendoj se pas këtyre tre javëve të fundit të kampionatit, situata bëhet edhe më e qartë, sidomos duke marrë parasysh edhe formulën e kampionatit me përgjysmimin e pikëve, që lejon një përllogaritje më të saktë të garës. Nga ana e performancës, mendoj se Elbasani dhe Vllaznia janë dy skuadrat që do ta diskutojnë mes tyre titullin kampion. E shoh garën mes tyre 50 me 50, pasi skuadrat e tjera si Egnatia, Dinamo apo Partizani kanë diferenca pikësh dhe nuk kanë treguar të njëjtin stabilitet në vazhdimësi. Të dyja skuadrat kryesuese kanë qenë më të qëndrueshme si në performancë ashtu edhe në rezultate, duke pasur më pak oshilacione në lojë dhe në ritmin e paraqitjeve. Vllaznia është dalluar për një lojë me ritëm më të lartë dhe një ekuilibër më të mirë në fushë, ndërsa Elbasani ka qenë më pragmatike, me një mentalitet fitues dhe me aftësi për të marrë maksimumin nga situatat e ndeshjeve. Në këtë kuptim, mendoj se do të kemi një garë shumë interesante deri në fund, ku detajet e menaxhimi i presionit vendosin se cila prej dy skuadrave do të shpallet kampione.

Cilat skuadra mendon se do të bien nga kategoria?
Për sa i përket fundit të tabelës e kam të vështirë të përcaktoj me siguri një skuadër, pasi gara është vërtet shumë e paparashikueshme. Duke iu referuar renditjes, Teuta ka 38 pikë, ndërsa Tirana, Bylisi, Vora dhe Flamurtari ndodhen shumë afër njëra-tjetrës, me diferenca minimale pikësh. Kjo e bën garën për mbijetesë shumë të fortë dhe shumë interesante. Sidomos pas disa rezultateve të fundit, ku këto skuadra kanë marrë fitore të rëndësishme, situata është bërë edhe më e hapur dhe më e pasigurt. Megjithatë, është shumë e vështirë të parashikohet një skuadër që bie nga kategoria. Mendoj se në fund do të mbijetojë ajo skuadër që do të dijë të menaxhojë më mirë presionin në këto javë të fundit. Në këtë moment, Teuta duket pak më e qetë në krahasim me të tjerat, pasi i nevojitet vetëm një fitore për të konsoliduar pozitat, ndërsa skuadrat e tjera janë të detyruara të luftojnë deri në fund. Në fund, në këto tre javët e fundit, skuadrat që do të arrijnë të marrin rreth gjashtë pikë, me shumë gjasa do të sigurojnë mbijetesën në Superiore.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL