EKSKLUZIVE/ Trajneri i fundit që shpalli shkodranët kampionë, Haxhiosmanoviç: Kjo Vllazni, pas asaj times! Martini dhe Sinani e dinë që… (E PLOTË)
Është trajneri i fundit i cili ka drejtuar Vllazn inë drejt një titulli kampion, ku para 24 vitesh ishte në krye të pankinës shkodrane. Fjala është për Dervish Haxhiosmanoviç, trajnerin e parë të huaj në historinë e futbollit shqiptar i cili u shpall kampion. Malazezi i cili është rikthyer në futbollin tonë, duke drejtuar tashmë Basanian që përfaqëson zonën e Bushatit në Shkodër ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

Në fjalët e tij 67-vjeçari ndalet te kjo aventurë e re futbollistike të karrierës së tij si trajner. Ku ndalet edhe te Vllaznia, që ngelet gjithmonë në zemrën e tij, ku zbulon edhe disa “sekrete” apo të pathëna të viteve të arta të futbollit shkodran. Emocionet e titullit kampion të vitit 2001, marrëdhëniet me futbollistët, presidentët, por edhe tifozët shkodranë që ngelin të veçantë sipas “Dedës”.
Profesor, sërish në futbollin shqiptar tashmë te një ekip si Basania, çfarë mund të na thoni për këtë eksperiencë?
Po, është e vërtetë që jam rikthyer sërish në Shqipëri e në Shkodër. Për mua është gjithmonë një kënaqësi të drejtoj në këtë qytet ku kam kujtime fantastike. Dua ta falënderoj edhe presidentin, Ermir Shimaj të Basanias që më kontaktoi dhe besoi tek unë. Shpresoj të bëjmë një punë të mirë dhe të jemi në nivelin ku duhet, pavarësisht se skuadra është ne Kategorinë e Dytë me sa kam parë ka shumë garë dhe do jetë shumë e vështirë. Por, ne do mundohemi çdo herë për fitore dhe lojëra të mira.
Është sërish “Deda” me motivimin dhe energjinë që gjithmonë e ka karekterizuar?
Ju më njihni mua (qesh), ku nuk ka aspak rëndësi liga ku drejtoj. Gjithmonë do jap maksimumin nga vetja ime, eksperienca që unë kam. Do mundohem të jem aty për gjithë futbollistët e sidomos ata të rinj që kanë qenë gjithmonë pika ime e dobët. Jam çdo herë i motivuar pavarësisht viteve që kalojnë.
Keni pasur mundësi ta shihni Superioren, çfarë ka ndryshuar?
Po, e kam shikuar në këto vite dhe mund të them se ka përmirësime të dukshme me më përpara. Në infrastrukturë, transmetim apo edhe cilësi të disa ekipeve, që janë rritur. Ku para 15-20 vitesh mund të ishin vetëm 2-3 ekipe që bënin diferencë e ndërsa tashmë nuk ka aq shumë dallime. Kampionati më duket i fortë dhe shumë konkurrues nga fillimi në fund të edicionit.
Si do e krahasoje me futbollin në Malin e Zi, do ndryshoje diçka?
Shqipëria ka ecur me hapa gjigandë krahasuar me Malin e Zi, tashmë skuadrat shqiptare i mposhtin pa shumë “probleme” ato malazeze. Do dalloja vetëm diçka që nuk më pëlqen te kampionati shqiptar, që është skema e “final 4.” Nuk arrij ta kuptoj se pse është vendosur ky sistem, pasi të hedh poshtë mundin e gjithë sezonit. Nëse ke kryesuar dhe në ndeshjet e “play off” nuk je në formë dhe humbet, kampionati pastaj s’do jetë më i yti. Në mendimin tim është diçka e padrejtë.
Është rritur niveli sipas jush?
Absolutisht që po, që me Skënderbeun që hyri dy herë në grupet e Europa League. Edhe në këto vitet e fundit shumë skuadra shqiptare kanë bërë mirë në Europë. E po ashtu duke arritur të shesin futbollistë me shifra të majme jashtë vendit. Besoj se kjo tregon për një rritje niveli, por sigurisht që edhe në Shqipëri ka ende shumë probleme krahasuar me vendet e zhvilluara në Europë përsa i përket sportit të futbollit.
Vllazninë në veçanti, si do e analizoje?
Vllaznia këtë sezon më duket më e motivuar dhe përgatitur se asnjëherë në këto vitet e fundit për të arritur gjëra të mëdha. Janë marrë në merkato futbollistë me emër që po bëjnë diferencën në fushë. Skuadra ka rikthyer disi atë stilin sulmues që duan në Shkodër dhe i shoh në rrugën e duhur. Nga sa kam parë momentalisht janë skuadra më e mirë dhe përgatitur në gjithë kampionatin.
Mund të përmirësojë ende skuadra në javët e ardhshme?
Çdo ekip ka nevojë për përmirësime në çdo moment, s’ka kurrë perfeksion. Ndoshta mbrojtja duhet të jetë më e kujdesshme dhe këtu them për gjithë ekipin. Pasi stili sulmues lë shumë hapësira pas, që dërgon në pësimin e golave. E po ashtu finalizimi deri diku, pasi skuadra ka shpërdoruar shumë në këto javë ku mund të kishte shënuar shumë më shumë gola. Por, besoj se këto gjëra i dinë Martini edhe Sinani (qesh).
Kthehemi pas në kohë duke u bërë nostalgjikë, shumë vite pa titull për një qytet si Shkodra dhe ekip si Vllaznia apo jo?
Më riktheve shumë pas dhe më emocionove… Për mua është një periudhë e paharrueshme ajo që kam kaluar në Shkodër dhe te Vllaznia. Me vete në ato vite thosha, kjo skuadër do t’i rreshtojë titujt kampionë vit pas viti. Por, diçka e tillë nuk ndodhi dhe pavarësisht se jam krenar me veten dhe ekipin që dolëm kampionë në vitin 2001, më vjen shumë keq dhe “inat” që Vllaznia ka kaq shumë vite pa titullin kampion. Është “mëkat” për një qytet si Shkodra, me njerëz fantastikë e po ashtu një ekip legjendar si Vllaznia të qëndrojë për kaq shumë vite pa titull kampion.
Cilat janë kujtimet e asaj dite ku u shpallët kampion për herë të fundit?
Kujtoj thuajse çdo detaj, në stadium ishin rreth 25-27 mijë vetë, në atë kohë kapaciteti i stadiumit besoj se nuk ishte më i madh se 15-16 mijë persona. Njerëzit qëndronin në këmbë, në shkallët e stadiumit, të varur në pemë apo edhe rrethimet e impiantit. Ishte atmosferë që nuk besoj se e ka përjetuar ndonjë ekip në Shqipëri. Pastaj festa që shpërtheu në fund, me kalin me karrocë që sillej rreth pistës së “Loro Boriçit”, apo këngëtarin, Bujar Qamili që i dha një “dorë” asaj “dasme” në Shkodër. Për mua janë kujtime të paharrueshme dhe që do i mbaj gjithmonë në zemër dhe mendje.
Po thuhet se Vllaznia e sotme është shumë e fortë, do e krahasonit me atë që drejtuat ju ne vitin 2001?
Nuk e besoj (qesh), pa dashur të nënvlerësoj aspak ekipin aktual. Por, unë kisha kampionë, lojtarë të mëdhenj që arritën të bënin historinë e futbollit shqiptar. Them se ajo Vllazni e sezonit 2000-01 është e papërsëritshme në këto vite pasardhëse sepse më parë ka pasur ekipe dhe emra të mëdhenj. Por, në krahasim të Vllaznisë aktuale me atë të vitit 2001, ndryshimet janë shumë të mëdha.
Kush ishin futbollistët e “preferuar” dhe ato më “mistrecët”?
Kam pasur fatin të drejtoj futbollistë të shkëlqyer në Shkodër, por shumë veta e dinë “pikën time të dobët”. Ai është Viori (Sinani), të cilit i uroj shumë suksese si drejtues te Vllaznia. Ai është një person i shkëlqyer në fushë, por edhe jashtë saj. Një shembull për të gjithë, por edhe na jepte fitoret me golat e tij prandaj më ka ngelur simpati për të (qesh).
Do të veçoja edhe Suad Licin, futbollist dhe profesionist i shkëlqyer. Ndërsa më të “pabindurit” ishin Edi Martini dhe Klodian Duro. Të dy futbollistë talente puro, por të padisiplinuar, ku shpesh “përtonin” të stërviteshin. Jam i bindur se nëse Martini do ishte më profesionist, por edhe të mos kishte atë dëmtimin që mori në Frankfurt, do të kishte një karrierë brilante në Europë e do të ishte një nga futbollistët më të mirë të historisë së Shqipërisë.
Po marrëdhëniet me presidentët si ishin në periudhat e ndryshme kur ju drejtuat Vllazninë?
Te Vllaznia kam punuar me dy presidentët, të ndjerin Myftar Çela dhe Valter Fushajn. I pari ishte gjithmonë shumë emocional, përfshihej shumë në ndeshje, por nuk kishte çfarë kritikonte, sepse ne luftonim gjithmonë për vendet e para (qesh). E ndërsa Fushaj ishte më i qetë dhe më racional, i merrte gjërat një nga një e nuk nxitohej. Por, gëzoj një respekt për të dy dhe jam i kënaqur gjithmonë për periudhën që kam kaluar në Shkodër.
Mungojnë tifozët dhe ai “zjarri” i atyre viteve në shkallët e stadiumit?
Shiko, kohët ndryshojnë, njerëzit janë larguar me shumicë nga Shkodra dhe duket si “bosh”. Patjetër kjo ndikon edhe te tifozët që nuk janë aq të shumtë sa në vitet e shkuara. Por, edhe transmetimet në TV të ndeshjeve duket se nuk nxisin tifozerinë të shkojë në stadiume sepse e ndjekin në lokal apo shtëpi, duke shijuar edhe ndonjë birrë në komoditet të plotë. Megjithatë nëse Vllaznia është në luftë për titull, të jeni të sigurt se shkallët e “Loro Boriçit” do të jenë plot. Për këtë fakt jam mëse i bindur në vetvete, pasi ekipi kampion sjell tifozët në stadiume.
Një koment për tifozerinë shkodrane, e cila ende iu respekton shumë…
Janë të veçantë, të pakrahasueshëm, ku mbaj mend një histori të veçantë në vitin 2014 ku Vllaznia po luftonte për mbijetesë. Më kishin thirrrur të vihesha në krye të skuadrës në atë moment të vështirë dhe po pija kafe në Shkodër, por lajmi kishte dalë. Dhe në një moment vjen një tifoz, me lot në sy dhe më tha se vetëm unë do mund ta shpëtoja ekipin pa rënë nga kategoria. U emocionova shumë në atë moment dhe ende e kujtoj. Për të mos përmendur faktin se në çdo vend që shkoja në Shkodër më thonin e ke të paguar kafen apo ndonjë produkt tjetër. Ishin tifozët që më respektonin shumë e për këtë kanë një vend special në zemrën time.
Krenar me veten tuaj që jeni i pari trajner i huaj që keni fituar titullin kampion në Superiore?
Tashmë e kanë fituar edhe të tjerë trajnerë të huaj (qesh). Jam krenar patjetër, por pa ekipin nuk mund të dalësh kurrë kampion, edhe nëqoftë se je trajneri më i mirë në Botë. Unë kisha fatin e madh të drejtoja Vllazninë në kohën e artë dhe të dal kampion, diçka që do më shoqërojë gjithmonë dhe që shënon karrierën time si trajner.
Do të kemi në fund të sezonit një xhiro me karrocën me kalë për të festuar titullin kampion të kësaj Vllaznie?
Njerëzit duan makinat dhe motorrët tani, jo karrocat me kalë (qesh). E dua me zemër Vllazninë kampion, e di sa “vuan” ky qytet që ka kaq shumë vite pa titull dhe jo 1 apo 2, po uroj të ketë qindra karroca me kuaj e dhjetëra këngëtarë në fund të sezonit në Shkodër. Kjo për të festuar atë titull, titullin e 10-të që mungon prej 25 vitesh. E patjetër pjesë e asaj feste do jem edhe unë, si një tifoz dhe dashamirës i Vllaznisë. Mundësitë i ka për titull këtë edicion, por gjithmonë duke i marrë ndeshjet një e nga një e duke mos nënvlerësuar asgjë gjatë rrugës.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













