EKSKLUZIVE/ Superiorja, sezoni i ri ngre siparin më 23 gusht 2025! Ja anët pozitive dhe ato negative
27 prill-23 gusht. Nga data e fundit që Superiorja zbriti në fushë, deri në rifillimin e saj. Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, janë pothuajse 4 muaj që pjesa më e madhe e futbollistëve do të jenë pa aktivitet.
“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se sezoni i ri, 2025-2026 i Superiores, do të ngrejë siparin në datën 23 gusht 2025. Ky vendim nga njëra anë i jep mundësinë për një periudhë pushimi të gjatë për lojtarët, që pritet të zgjasë rreth katër muaj, një kohë rekord për futbollin shqiptar.
Ky pushim i zgjatur është një mundësi për të parandaluar lodhjen dhe dëmtimet, si dhe për të rigjeneruar trupin dhe mendjen, që mund të ketë efekte pozitive në performancën e lojtarëve gjatë gjithë sezonit. Megjithatë, ky vendim ka krijuar gjithashtu shqetësime për ritmin e konkurrencës në kampionat, pasi periudha e gjatë pa aktivitet mund të ndikojë në freskinë dhe gatishmërinë e lojtarëve për ndeshje të rëndësishme që do të zhvillohen pas fillimit të kampionatit.
Ndërkohë, një pjesë e mirë e skuadrave nuk janë ndalur, edhe pse ka përfunduar kampionati, por janë duke zhvilluar seanca stërvitore. Katër ekipet që do të luajnë në “Final 4”, pasi të ndajnë verdiktet e titullit kampion, do të kenë një periudhë pushimi deri në mes të qershorit, ku do të kthehen më pas për të nisur përgatitjet për ndeshjet në turet kualifikuese të Europës. Në varësi të performancës së tyre, klubet shqiptare mund të ecin mirë dhe deri në gusht kur të nisë sezoni i ri, mund të jenë të angazhuar edhe në Europë. Pra, nga një anë do të kemi lojtarë, të cilët do të jenë gjithë verën në aktivitet dhe nga një anë futbollistë që do të jenë me pushime të zgjatura.
PANORAMASPORT.AL













