EKSKLUZIVE/ Sejdini analizon ecurinë e bluve: Dinamo si Milani, këtë sezon del kampion. Daja revolucionarizoi futbollin e…
Fitimi i Kupës së Shqipërisë duket se i ka hapur oreksin Dinamos, e cila tashmë synon që të rikthehet te titulli kampion.
Faruk Sejdini e sheh skuadrën dinamovite si pretendenten kryesore për të fituar titullin dhe në një intervistë për “Panorama Sport”, ai u shpreh se Daja e ka mentalitetin për ta bërë diçka të tillë. “Xhaxhi” ka analizuar edhe ecurinë e Tiranës e Partizanit, teksa shprehet se keqmenaxhimi i trajnerëve ka ndikuar në rezultatet e tyre.
Janë luajtur 7 javët e para. Si e keni parë Dinamon deri më tani?
Unë do të thosha se Dinamo sa vjen dhe po konsolidohet më shumë, për faktin se ikën 2-3 lojtarë që ishin golashënues. Futbolli në gjithë botën vuan për sulmues dhe ata ikën. Do ta kishte vështirë t’i zëvendësonte, por mendoj se është në rrugë të drejtë dhe pretendente për titull.
Po sulmuesat që ka Dinamo, a po e justifikojnë deri më tani besimin?
Unë besoj se nuk bëhet me sustë. Ka të bëjë me mentalitetin, mënyrën se si trajneri i vendos apo çfarë kërkon. Besoj se deri në këtë moment është në rrugë të mbarë dhe do ta justifikojë.
Tre fitore në 7 javë. Pritët diçka më ndryshe në këtë fillim sezoni?
Problemi është se, në syrin e tifozit, pritej më shumë nga paraqitjet që Dinamo bëri në Europë. Mendoj se ishte goxha e mirë dhe, duke pasur këto pritshmëri, u mendua më mirë. Nga dita në ditë, duke u konsoliduar dhe duke u sinkronizuar, mendoj se do të jetë forcë e parë për titull.
Me pak fjalë, e shihni favoriten kryesore?
Pa një pa dy, për të mos thënë që është ekipi kampion. Nuk dua ta them kaq shpejt, por forcë kryesore po, patjetër.
Cila skuadër mendon se mund të rivalizojë me Dinamon?
Unë mendoj se Vllaznia, Egnatia dhe diçka Elbasani. Dëshirën e kam të madhe të jetë edhe Elbasani, sepse jam vetë me origjinë, por them se këto do të jenë.
Ilir Daja ka ndryshuar objektivat e Dinamos dhe pritshmëritë. Si e keni parë Dajën në drejtimin e skuadrës?
Problemi nuk quhet ardhja e Dajës, sepse ka një vit, por duhet pranuar fakti se Ilir Daja është dinamovit me mentalitetin e futbollit të bukur dinamovit. Ka evoluimin dhe inteligjencën e futbollit të ri dhe është i kompletuar për të dhënë sinjalet e një kampioni te Dinamo. Ilir Daja nuk është trajner i ardhur, por ekzistues, sepse ka dhënë prova për diçka të tillë.
A ka kampionati shqiptar një Ilir Daja 2?
Unë mendoj se sot për sot, ndoshta edhe trajneri i Egnatias pa përmendur shumë emra të tjerë, por sot për sot Ilir Daja është trajneri që revolucionarizoi futbollin dinamovit që ishte gati në krisje. Por, të mos harrojmë se futbolli të ngre lart dhe më pas të përplas poshtë. Shumë trajnerë me emër kanë marrë 2- 3 kampionate dhe më pas nuk kanë marrë më, duke u quajtur dështakë. Ndërsa Daja është ndër trajnerët më të mirë. Nuk ka rëndësi nëse është më i miri apo jo, se nuk e ndaj unë. Por është trajner që të nxjerr kampion.
Po dy skuadrat e tjera të kryeqytetit, pse po vuajnë?
Problemi ishte se ato nuk e nisën mbarë që në fillim. Nuk mundesh të ndërrosh trajner pa nisur kampionati. Ti nuk ke gjetur zgjidhjen duke ndërruar trajnerë për 2 muaj, sepse do të dështosh. Duke mos e bërë këtë, kanë dështuar, por nuk më vjen mirë. Futbolli bëhet i bukur kur ka rivalitet, por dëshirën e kam që të ngrihen dhe të shkojnë në këtë rivalitet. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, por nuk kanë bërë zgjedhjen e duhur. I morën dhe i hoqën shpejt.
Dinamo rikthehet në shtëpi, duke luajtur në “Selman Stërmasi”. Si e ke parë këtë lëvizje?
Dinamo në “Selman Stërmasi” është shtëpia e vet. Dua të futem pak në nocion administrativ. Është edhe shtëpia e vetë, por quhet edhe ish-pronar. Mjaft që erdhi në Tiranë, sepse ishte skuadër nomade. Rëndësi ka që erdhi në Tiranë dhe është një arritje. E kam thënë edhe më parë, sikur Milani të luajë në Milano dhe të jetë arritje, sepse dua ta krahasoj Dinamon me Milanin. Megjithatë, ne këtu jetojmë dhe duhet ta shohim si arritje. Dinamo është “le e rrit” në atë stadium, por me absurditetet që kemi këtu, e quajmë arritje dhe hap të mirë që mund të korrigjojë ndonjë gabim. Njeriu, kur korrigjon gabime, quhet fisnik.
Po Dinamo, çfarë duhet të përmirësojë për të fituar titullin kampion?
Sigurisht që ka shumë. Po marr Barcelonën, Realin, Bajernin. I gjithë futbolli është një alternativë që nuk ka limite. Është një shkencë dhe mendoj se Dinamo ka shumë vend për të korrigjuar e përmirësuar, sepse në futboll nuk ka notë 10, por 8 ose 8.5. Kjo do të thotë që ka vend për korrigjim dhe Dinamo është duke punuar me hapa të shpejtë në këtë drejtim.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













