EKSKLUZIVE/ Ruçi “mbyll portën” në Elbasan: Fitore për familjen dhe vajzën time, me Dinamon do jetë njësoj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2025 | 22:01

EKSKLUZIVE/ Ruçi “mbyll portën” në Elbasan: Fitore për familjen dhe vajzën time, me Dinamon do jetë njësoj

Me fitoren ndaj Elbasanit, Vora jo vetëm që ndali ecurinë e rezultateve negative, por riktheu besimin dhe qetësinë brenda grupit, duke treguar se mund të jetë një rival i denjë për çdo kundërshtar.

shkelzen-ruci

Në fund të ndeshjes, portieri i vorakëve, Shkëlzen Ruçi, ka folur për “Panorama Sport”, ku skuadra e tij arriti një fitore mjaft të rëndësishme në transfertë. Ruçi u shpall edhe lojtari më i mirë i takimit, pas një performance solide që i dha ekipit tri pikë të arta.

“Ishte një ndeshje shumë e veçantë për mua. Normalisht që kisha emocione, sepse isha në qytetin tim, aty ku jam rritur dhe kam hedhur hapat e parë në futboll. Gjithsesi, përtej kësaj, jam shumë i lumtur që me ekipin tim arritëm të merrnim tri pikë. Ky trofe i shkon familjes sime dhe vajzës time”, u shpreh portieri i Vorës.

Ruçi vlerësoi paraqitjen e skuadrës dhe shpirtin luftarak që ekipi tregoi në një fushë të vështirë si ajo e Elbasanit: “Jam shumë i kënaqur, sepse bëmë një ndeshje të mirë dhe arritëm një fitore të rëndësishme. Ndoshta jemi një ekip i vogël, por kemi një zemër të madhe. Kjo fitore do të ndikojë shumë në aspektin moral, pasi vinim pas dy humbjesh.

Para ndeshjes, edhe një pikë do të na kënaqte, por në fund ia dolëm të fitonim dhe ishte shumë e rëndësishme për ne”, shtoi më tej gardiani. Portieri shtoi se skuadra do të vazhdojë të punojë me qetësi dhe pa presion, duke e marrë çdo sfidë me kujdes e vendosmëri. E radhës do të jetë ndaj bluve të Dinamos.

“Gjithmonë mundohemi të japim më të mirën dhe të luajmë pa presion, sidomos ndaj ekipeve që kanë objektiva të ndryshëm nga ne. Me Dinamon do të kërkojmë të bëjmë të njëjtën gjë si ndaj Elbasanit, sepse për ne çdo pikë është shumë e vlefshme. Dihet që fundi i kampionatit bëhet gjithmonë më i vështirë, ndaj synojmë që hap pas hapi të grumbullojmë sa më shumë pike”, mbylli prononcimin e tij për gazetën portieri i skuadrës së Vorës.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL