EKSKLUZIVE/ “Real Madridi i përket së shkuarës”, Rodriguez mesazh rivalëve: Flamurtari rikthehet më i madh
Hoze Rodriguez “skanon” fazën përgatitore të Flamurtarit në Turqi. Ish-lojtari i Realit të Madridit, një nga goditjet e merkatos së verës për kuqezinjtë, zbulon se skuadra po përgatitet intensivisht.

Gjatë një bisede ekskluzive për “Panorama Sport”, Rodriguez thotë se ndihet shumë mirë te skuadra e re, Flamurtari. Madje është surprizuar nga Vlora. Mesfushori spanjoll mendon se tifozët do të shohin një Flamurtar të fortë në nisje të kampionatit.
“Sa i përket fazës përgatitore në Turqi, unë ndihem shumë mirë. Po përgatitemi fuqishëm dhe po marrim ngarkesën e duhur. Jemi të gjithë të përqendruar për të dhënë maksimumin tonë, me qëllim që të jemi sa më gati kur të nis kampionati për të pasur suksese dhe të fitojmë në çdo ndeshje. Jam i surprizuar me qytetin e Vlorës dhe gjithashtu ndihem i lumtur për këtë aventurë të re. Mua më pëlqen gjithçka në Vlorë. Është një qytet shumë i bukur dhe njerëzit janë shumë mikpritës. Klubi është përmirësuar shumë dhe mendoj se disa muaj më pas ekipi do të jetë më i fortë se më parë. Po e pres me padurim që të fillojmë kampionatin dhe të luftojmë të gjithë bashkë për objektivat që ka klubi”, u shprehet fillimisht Rodriguez për gazetën.
MERKATO Spanjolli Hoze Rodriguez e vlerëson shumë cilësore merkaton e kryer nga Flamurtari. Sipas tij, klubi ka afruar lojtarë të fortë.
“Mendoj se klubi nuk e ka mbyllur merkaton, ndaj mund të ketë edhe surpriza të tjera. Gjithsesi, këto janë gjëra që u përkasin drejtuesve dhe stafit teknik. Megjithatë, mendoj se jemi të plotësuar. Siç e dini është bërë një merkato cilësore. Lojtarët që ndodhen këtu, janë shumë të fortë. Unë jam një futbollist profesionist dhe në këndvështrimin tim po ndërtohet një Flamurtari i fortë dhe shumë dinjitoz. Djemtë janë punëtorë dhe të gjithë kërkojmë që ta nisim sa më mbarë”, vijoi spanjolli.
REAL MADRID Në Vlorë kanë shfaqur të gjithë kuriozitet për Hoze Rodriguez për shkak të së shkuarës së tij te Reali i Madridit. Për 30-vjeçarin është një hije që e ndjek nga pas, por ai thotë se ekipi i tij është Flamurtari dhe se për këtë ndihet i lumtur.
“Reali i Madridit është ekipi im i së shkuarës. Një aventurë, patjetër shumë e bukur dhe interesante, që çdokush do ta ëndërronte ta kishte. Flamurtari është ekipi im aktual. Shumë njerëz më pyesnin në Vlorë për Realin e Madridit, por Flamurtari është ekipi im tani dhe unë jam shumë i lumtur që do të jem këtu gjithmonë i gatshëm për të dhënë kontributin tim dhe të gjitha njohuritë dhe dijet e mia për këtë skuadër, të cilën duhet ta bëjmë përsëri të madhe”, përfundon Rodriguez.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













