EKSKLUZIVE/ Presidenti i Bylisit: Nuk duhet të paragjykohet sfida me Tiranën, fituesi të vendoset në lojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2026 | 10:23

EKSKLUZIVE/ Presidenti i Bylisit: Nuk duhet të paragjykohet sfida me Tiranën, fituesi të vendoset në lojë

Besnik Kapllanaj do drejtësi para takimit me Tiranën. Ai kërkon që të respektohet gara dhe të ketë drejtësi dhe në fund të fitojë më i miri. Në një deklaratë për “Panorama Sport”, Kapllanaj ka thënë haptazi se sheh një paragjykim për ndeshjen, duke i vënë një peshë shumë të madhe sfidës Tirana-Bylis.kapllanaj

“Në radhë të parë dua të them se Bylisi ka luftuar në çdo ndeshje këto 27 javë. Në të tre fazat kemi marrë nga 9 pikë dhe nuk kemi ndryshuar nga performanca jonë. Jemi ankuar kur na është bërë padrejtësi. Gjithsesi, tani ndjej një ambient tjetër. Para ndeshjes me Tiranën, shoh një lloj presioni të madh, një paragjykim. Shumë në media e lidhin fatin e Tiranës me këtë ndeshje. Disa media, këtë sfidë e konsiderojnë jetike për kundërshtarin dhe për mbijetesën e tij në Kategori. Kjo nuk është e vërtetë, pasi janë edhe 27 pikë në lojë dhe mbijetesa e Bylisit dhe Tiranës nuk varet nga kjo ndeshje. Referuar disa emisioneve sportive që kanë krijuar një trysni ndaj instancave të arbitrimit apo dhe vete federatës që ‘po bie Tirana, po bie Tirana, por Tirana’.

Tirana mund të bjerë nga kategoria këtë vit, mund të bjerë vitin tjetër, ishte duke rënë vitin e kaluar, por në fund të fundit mendoj që nuk është arbitrimi apo një ndeshje që e mban Tiranën në kategori. Unë mendoj që është ndeshje që duhet të ketë korrektësi, për shumë arsye dhe shpresoj që mos të ndodhë ajo që ka ndodhur një vit më përpara, kur tërhoqa ekipin nga ndeshja. Këtu ndoshta po e paragjykoj pak ndeshjen për faktin e asaj që ndodhi vjet dhe emisioneve sportive që po e paragjykojnë shumë te pjesa e Tiranës, por edhe për faktin se ne si Bylis jemi ndëshkuar shumë nga arbitrimi, ndoshta edhe me idenë që mediat apo emisionet sportive nuk na mbrojnë. Nuk është çështja për të na mbrojtur dhe jehonën vetvetiu e merr Tirana. Por edhe ne kemi investuar paratë tona dhe jemi në procese investimi edhe në infrastrukturë, ashtu siç kemi investuar edhe në merkaton e janarit ku kemi bërë blerje me kosto goxha të larta referuar nivelit të kategorisë ku ne luajmë. Janë realizuar 9 afrime me një vlerë prej 300 mijë euro investim. Kështu që mendojë se kjo ndeshje është shumë e rëndësishme sa i përket besueshmërisë së garës dhe “fair play”-t. Pastaj le t’ia lëmë garës dhe le të fitojë më i miri ekip në fushën e lojës, sepse ka edhe shumë ndeshje të tjera qe do të ndajnë verdiktin se kush bie dhe kush do të qëndrojë në kategori”, deklaroi presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL