EKSKLUZIVE/ Presidenti Bardhi “përplaset” me Ilir Dajën! Dinamo largon sulmuesin, dëm 150 mijë eurosh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2026 | 22:31

EKSKLUZIVE/ Presidenti Bardhi “përplaset” me Ilir Dajën! Dinamo largon sulmuesin, dëm 150 mijë eurosh

Dinamo ende nuk ka bërë asnjë afrim zyrtarisht në merkaton e janarit megjithëse ka arritur akordin me Bylisin për transferimin e dy lojtarëve, Mustafa dhe Malomo. Por, do të ketë edhe largime dhe “Panorama Sport” ka mësuar nga burime pranë klubit se do të largohet edhe Hekuran Berisha.

Berisha

Sulmuesi i afruar me bujë në merkaton e verës ku për të cilin u paguan 150 mijë euro, nuk është në dëshirat e trajnerit Ilir Daja dhe për këtë mënyrë është vendosur që të largohet. Berisha do të rikthehet në Kosovë dhe do të bashkohet sërish me skuadrën e Dukagjinit, pjesë e të cilëve ishte para se të transferohej në Shqipëri, ku shpresonte që të tregonte veten për të bërë ndoshta edhe një hap të madh në karrierë, duke parë moshën e re dhe kualitetin.

“Panorama Sport” ka mësuar se për shkak të këtij lojtari, ka pasur edhe një “përplasje” mes presidentit Ardian Bardhi dhe trajnerit Ilir Daja. Drejtuesit e klubit janë të bindur se Berisha ka kualitetin për të qenë titullar he sigurisht për të justifikuar shpenzimin e bërë për të, teksa nga ana tjetër, trajneri Daja nuk e llogarit si të rëndësishëm.

Kur ka kaluar më shumë se gjysma e kampionatit, aktivizimet e Berishës kanë qenë me piaktore megjithatë sulmuesi i Kosovës U21 ka ditur të lërë gjurmë duke shënuar 3 gola me Dinamon, nga të cilët 1 në Europë, një në Superiore e një tjetër gol në Kupën e Shqipërisë. Berisha do të bashkohet me Dukagjinin sapo skuadra nga Kosova të rikthehet nga faza përgatitore.

ERJON ALLARAJ- PANORAMASPORT.AL