EKSKLUZIVE/ Prapaskenat e largimit nga Tirana! Mile mbylli marrëveshjen, deklaroi se kjo i rrezikon karrierën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2025 | 22:22

EKSKLUZIVE/ Prapaskenat e largimit nga Tirana! Mile mbylli marrëveshjen, deklaroi se kjo i rrezikon karrierën

Klubi i Tiranës ka bërë publik vendimin për të shkarkuar Vangjel Milen nga drejtimi i bardhebluve. Ashtu siç kishte treguar “Panorama Sport”, ai nuk do të jetë më në drejtimin e ekipit të parë të bardhebluve, edhe pse kishte marrë këtë detyrë vetëm gjatë verës dhe ishte në pankinë në dy javët e para.

mile

“Klubi i Futbollit Tirana njofton se bashkëpunimi me trajnerin Vangjel Mile është ndërprerë në mënyrë konsensuale, pas një takimi me anëtarin e bordit drejtues, Grent Halili. Pas diskutimeve mes palëve, u arrit në përfundimin se kjo ishte zgjidhja më e mirë për arsye strategjike dhe në funksion të objektivave të klubit. KF Tirana falënderon Vangjel Milen për kontributin dhe korrektësinë e treguar gjatë kësaj periudhe”, shkruhej në njoftimin në rrjetet sociale të klubit të Tiranës, që bëri të ditur kësisoj vendimin më të fundit në radhët e bardhebluve.

PRAPASKENAT E NDARJES

Prapaskenat – Burime pranë klubit tregojnë se vendimi për ndarjen me Vangjel Milen nuk ka ardhur si një “shkarkim i ftohtë”, por pas një bisedimi të gjatë që mund të etiketohet “i kanë dhënë dorëheqjen”. Presidenti i Tiranës, Refik Halili, është takuar personalisht me trajnerin pas disfatës ndaj Vorës, ku është zhvilluar një bisedë e gjatë për situatën. Pas diskutimit, Mile “ka dorëzuar dorëheqjen”, ndërsa palët e kanë konsideruar të pashmangshme ndarjen e rrugëve.

Mësohet se Mile i ka shprehur Halilit hapur shqetësimin e tij, duke thënë se ky vendim “i djeg karrierën si trajner”. Ai ka kujtuar se mori drejtimin e skuadrës në një moment shumë të vështirë, kur trajnerët refuzonin të merrnin Tiranën dhe të dilnin në stërvitje, ndërsa klima në ekip ishte e tensionuar. Megjithatë, situata sportive dhe mungesa e rezultateve e kanë vënë nën presion të madh.

Nga ana e tij, Halili ka sqaruar se klubi nuk kishte më luksin për një tjetër rezultat negativ, sidomos në ndeshjen e radhës kundër Flamurtarit. Kjo e bëri të qartë se ndryshimi ishte i domosdoshëm dhe duhej marrë menjëherë, për të shmangur përkeqësimin e situatës. Kështu, ndarja e palëve erdhi më shumë si një vendim i përbashkët, sesa si një shkarkim i thjeshtë, duke i hapur rrugë emërimit të italianit Roberto Bordin në krye të bardhebluve.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL