EKSKLUZIVE/ Portieri i Partizanit, Pano Qirko: Pres të jem faktor për titullin, ja momenti më i vështirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2025 | 17:06

EKSKLUZIVE/ Portieri i Partizanit, Pano Qirko: Pres të jem faktor për titullin, ja momenti më i vështirë

Pano Qirko ka nisur sezonin e tretë te Partizani dhe gardiani 26-vjeçar shikohet si titullar. “Panorama Sport” ka siguruar një intervistë me portierin e të kuqve, ku tregon rrugëtimin edhe ëndrrat që ka. Objektiv te Partizani mbetet titulli kampion, të cilin Qirko nuk e ka provuar, edhe pse i ka shkuar mjaft afër.

pano qirko

Sezoni i tretë me Partizanin, ndryshimet…

Nga sezoni që kam ardhur unë, mendoj se ndryshimet e vetme ka qenë ndryshimi i disa lojtarëve me ardhjen dhe ikjen e tyre, sepse objektivat, kushtet dhe kërkesat në një klub si Partizani janë të njëjta.

Eliminimi i Partizanit në Europë…

Pjesa e Europës mendoj se e gjitha ishte çështje fati dhe mund të them se jam ndier shumë keq, sepse doja akoma ture për të kaluar dhe për të treguar vlerat. Por ajo ditë ishte një nga ato për të gjithë ia bëmë hyzmetin dhe për fat të keq, nuk ia dolëm. Por tani kemi sfida më të forta dhe më të rëndësishme përpara.

Fillimisht si i huazuar dhe më pas kontratë afatgjatë…

Pas një sezoni të mirë me ekipin e Teutës, dihet që një futbollist ka pritshmëri dhe kërkesa më të larta për veten e tij. Prandaj motivimi ishte të vija andej, të luftoja dhe të rrisja nivelin tim profesional.

Presioni si titullar te Partizani?

Normale që presioni ekziston sepse bëhet fjalë për një ekip me një tifozeri të zjarrtë dhe gjithmonë duhet të jesh mbi nivelin mesatar, që ata të jenë të kënaqur. Por thjesht menaxhimi i mirë i lojës plus edhe stërvitja të bëjnë që t’i menaxhosh shumë më mirë. Roli i portierit te Partizani është shumë i vështirë, jo vetëm sepse gjithmonë ka pasur portierët më të mirë, por edhe për shkak të dinamikës së lojës, ku janë raste të pakta që të vijnë dhe ti duhet të jesh i gatshëm t’i zgjidhësh.

Morët vendin e Alban Hoxhës, titullar për të tretin sezon radhazi…

Albani është një nga portierët më të mirë në Shqipëri dhe e dimë çfarë ka dhënë për Partizanin. Unë mendoj se ai është stimul dhe forcë që të bëj akoma më mirë dhe të kem vazhdimësi në karrierën time.

Rivaliteti me portierët e tjerë të Superiores…

Përsa u përket portierëve të tjerë, mund të them që Superiorja i ka të gjithë portierët në një nivel shumë të mirë. Rival kam vetëm veten time, që luftoj ditë pas dite me trajnerin dhe grupin tonë të portierëve, me Albanin dhe Tahrin, që të përmirësojmë gjërat që duhen për të rritur hapat e karrierës.

Dy vite te Partizani, përmirësimet…

Të them të drejtën, sa më shumë nivele të ngjitesh, aq më shumë gjëra ke për të mësuar. Por te portieri, gjëja më e mirë për të mësuar është mentaliteti dhe karakteri, se si duhet të menaxhosh situatat. Pastaj mund të jenë pjesët teknike, vendosja etj.

Partizani nuk po kërkon portier, qetësia…

Porta e Partizanit, së pari, ka një trajner shumë të mirë portierësh, i cili është i apasionuar dhe i përkushtuar për portierët e tij, që jep gjithçka. Ka një Alban Hoxha, që për eksperiencën që ka, na ndihmon të gjithëve dhe është një njeri mbështetës. Ka një çun të ri e të talentuar si Skënder Tahri, që ka treguar se vlen me cilësitë e tij. Pastaj jam unë, që çdo njeri mund të ketë mendimet e tij, sepse nuk kam qejf të flas për veten time. Thjesht, them që unë duhet të rris vit pas viti performancën.

Grupi i portierëve…

Te portierët kemi një grup shumë të mirë, mësojmë nga njëri-tjetri. Jam munduar dhe gjithmonë kur Albani bën ushtrimet para, t’i marr gjërat që ndoshta më vlejnë në të ardhmen. Dhe normale, këshillat që më jep gjatë stërvitjes dhe ndeshjes. Po ashtu, dhe me trajnerin e portierëve jemi pothuajse 24 orë në kontakt për çdo problematikë dhe përmirësim.

Kontrata deri në vitin 2028. Kulmi i karrierës te Partizani?

E dua, e besoj dhe jam i vendosur që herët a vonë do vijë momenti dhe kulmi im me Partizanin.

Cilat janë ambiciet dhe ëndrrat e Qirkos?

Ambiciet e mia janë që të provoj eksperiencë jashtë Shqipërisë dhe normalisht, si çdo futbollist, ëndërroj Kombëtaren.

Pritshmëritë për këtë sezon?

Pritshmëritë e mia janë të jem një faktor i fortë i skuadrës që të synojmë titullin kampion.

Momenti më i vështirë që keni kaluar me fanellën e Partizanit dhe si e keni përballuar?

Momenti më i vështirë mendoj se është pjesa e aksidentit që kam pësuar, që më la rreth 3 muaj jashtë. Më uli atë hovin në Europë dhe kampionatin që e kisha shumë të mirë, por gjithsesi u riktheva me besim dhe me punë, ndonjëherë dhe më i fortë.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL