EKSKLUZIVE/ “Po punohet gjithë kohës për merkaton”, kapiteni i Partizanit nuk fshihet, Atanaskoski : Objektivi minimal është “Final Four” (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2026 | 20:54

EKSKLUZIVE/ “Po punohet gjithë kohës për merkaton”, kapiteni i Partizanit nuk fshihet, Atanaskoski : Objektivi minimal është “Final Four” (E PLOTË)

David Atanaskoski është lojtari që ka spikatur, qëkur Oltijon Kërnaja mori drejtimin e Partizanit. Me shiritin e kapitenit në krah përgjatë ndeshjeve të fundit, mbrojtësi i krahut të majtë ka bërë mjaft mirë.

WhatsApp Image 2026-01-05 at 22.45.35

“Panorama Sport” është ndalur në një intervistë me futbollistin nga Maqedonia e Veriut. Atanaskoski nuk fshihet duke përmendur “Final Four” si objektiv minimal për këtë sezon. Sa i përket rinovimit, pasi kontrata përfundon në fund të sezonit, Atanaskoski lë gjithçka të hapur.

Keni fituar shiritin e kapitenit. Çfarë do të thotë kjo për ju në këtë moment?

Sigurisht që do të thotë shumë për mua. Të mbash shiritin e kapitenit në një klub si Partizani, para së gjithash, është një nder i madh për çdo lojtar.

E mbyllët vitin me dy humbje. Ku çaloi Partizani në atë fazë?

Nuk mendoj se kemi rënë. Dy ndeshjet e fundit i kemi luajtur kundër ekipeve më të mira në këtë moment. Ndaj duhej të ishim më konkretë në disa situata, për të shfrytëzuar rastet tona dhe me siguri nuk do të kishim humbur.

Si po shkojnë këto përgatitje?

Deri tani gjithçka po shkon mirë. Kemi dy seanca stërvitore në ditë, mësojmë çdo ditë nga gabimet dhe përpiqemi të jemi më të mirë në të ardhmen. Në fundjavë kemi ndeshje Kupe dhe duhet të jemi 100% të fokusuar dhe të japim maksimumin për ta nisur vitin me rezultat pozitiv.

Ku ka më shumë nevojë për ndërhyrje Partizani në merkato?

Në çdo ekip, në çdo moment, nevojiten disa përforcime. Ne kemi shumë lojtarë, por edhe të tjerë që po punojnë gjithë kohës për merkaton, edhe trajneri sigurisht që po kujdeset për këtë. Ndaj jam i sigurt se do të marrin vendimet më të mira për ekipin.

Çfarë duhet ndryshuar që skuadra të ruajë vazhdimësinë?

Mendimi im është se duhet të jemi më agresivë dhe më konkretë në ndeshje. Nëse ndryshojmë pak në këto segmente, mendoj se do të jemi shumë mirë.

Sa larg mund të shkojë ky grup në këtë sezon sipas jush?

Të gjithë i dinë objektivat e Partizanit. Minimumi është katërshja finale, por kemi edhe gjashtë muaj përpara dhe llogaritë do t’i bëjmë në fund.

Mund të na zbuloni ndonjë kërkesë tuajën, për lojtarët e rinj që po marrin përgjegjësi?

Mundohem të flas çdo ditë me lojtarët e rinj dhe t’i ndihmoj, sepse mendoj se çdo lojtar në Shqipëri ka dëshirë ta veshë këtë fanellë. Ata janë këtu, e kanë shansin dhe duhet ta shfrytëzojnë.

Çfarë do ta bëjë diferencën në pjesën e dytë të sezonit?

Pjesa e dytë është gjithmonë më interesante. Do të shohim, ne do të fokusohemi te vetja jonë. Do të përpiqemi të marrim më shumë pikë se në gjysmën e parë dhe, siç thashë, në fund do të shohim.

Kontrata iu përfundon në fundin e sezonit, a po mendoni një rinovim?

Është e vërtetë që kontrata ime përfundon këtë verë. Të jem i sinqertë jam i fokusuar vetëm te e tashmja. Të jem mirë fillimisht, më pas do ta shikojmë çfarë do të ndodhë. Kjo është diçka që varet nga të dy palët, kështu që e kemi kohën dhe hapësirën për të biseduar dhe negociuar.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL