EKSKLUZIVE/ Patushi: Ky kampionat po “vdes”, duhen masa. Vllaznia ka ‘ADN’ fituese (E PLOTË)
Saimir Patushi është një nga ata futbollistët që ka spikatur në kampionatin shqiptar në fillim vitet 2000. Ku me aktivizimin në skuadrat më të rëndësishme të vendit tonë, ka arritur të bëjë emër në elitën e futbollit shqiptar.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ashtu siç si flet “pa dorashka”, ish-mesfushori ka analizuar nivelin e Superiores. Duke theksuar se sipas tij kampionati ka ardhur në rënie. Ndër të tjera ai ndalet në veçanti te Vllaznia, që ka një vend special në zemrën e matjanit. Ish-futbollisti i shkodranëve thekson se i shikon si pretendentët kryesorë për titull e ndërsa ndan edhe një koment për klasiken e së premtes, Vllaznia-Tirana.
Patushi, si e keni parë Superioren deri tani?
Realisht nuk po më pëlqen aspak ky kampionat dhe pse e them këtë. E them sepse Superiorja është gjithmonë e më keq, sidomos kur shikoj disa ekipe që s’kanë asnjë futbollist shqiptar në formacion. Kjo më “trishton” dhe për mua është një kambanë alarmi që futbolli shqiptar po vdes. Duhen marrë masat nga të gjithë aktorët e futbollit që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur.
Është ulur niveli krahasuar me sezonet e shkuara?
Më vjen keq ta them, por çdo sezon dhe vit që kalon kampionati shqiptar ka një rënie drastike. Këtu si barometër mund të përdorësh tifozërinë, që është shumë e pakët në shkallët e stadiumeve. Kjo tregon besoj shumë për nivelin aktual të Superiores.
Ndalemi pak te Vllaznia, një ekip ku keni kujtime të bukura. Fitore me vuajtje në Ballsh…
Që të dalësh kampion duhet ta tregosh veten edhe në ndeshje të tilla, ku jo gjithçka shkon sipas planit tënd. Duhet të dish të menaxhosh situata dhe momente të tilla dhe Vllaznia ia doli më së miri në Ballsh, duke marrë atë çfarë është më e rëndësishmja, fitoren dhe 3 pikët në fund. Them se kjo ishte ndeshja më e dobët e Vllaznisë në këtë edicion.
Tregon ky sukses se skuadra ka karakter fitues?
Këtë e tregon fitorja e fundit ndaj Bylisit në Ballsh, pasi të fitosh në një fushë kaq të fortë tregon se ke karakter. E sidomos kur nuk prodhon futbollin tënd më të mirë për të arritur tek suksesi.
Sa kanë ndikuar dy miqtë tuaj Sinani-Martini te kjo ecuri e shkodranëve?
Janë dy ikona të klubit dhe e dinë mirë mentalitetin aty e çfarë kërkohet në Shkodër. Duhej të ishin më përpara në krye të Vllaznisë, por ja tashmë erdhi momenti i tyre. Besoj se Martini është një “armë” e fortë në stolin kuqeblu dhe një person që do me zemër ekipin. Këta figura mbajnë ekipin të përqendruar dhe totalisht larg euforisë që është shumë e rëndësishme.
Është Vllaznia pretendentja kryesore për titull dhe çfarë mund të përmirësojë skuadra?
Vllaznia si këtë vit, por edhe në vitet e shkuara e ka në ADN për të tentuar fitoren çdo herë. Si në momentet pozitive edhe në ato kur skuadra “vuan” disi. Çdo herë kjo skuadër është pretendente dhe këtë vit i shoh edhe me këmbë në tokë. Shpresoj dhe uroj të ecin në këtë rrugë e të kenë sa më pak probleme e të papritura. Ndoshta për të përmirësuar duhen pak ekuilibrat në fushën e lojës dhe të jenë sa më rigorozë në detyrat e tyre.
Kjo javë sjell klasiken Vllaznia-Tirana, duhet të presim diçka të veçantë?
Të jetë ajo ndeshje ku spektatori të kënaqet dhe shpresoj të jetë sa më i shumtë në stadium. Pavarësisht se dueli mund ta ketë humbur disi shkëlqimin e viteve të shkuara, ngelet sërish “klasikja” e futbollit shqiptar. Besoj se Vllaznia vjen komode në këtë përballje dhe me një formë pozitive. E ndërsa Tirana me shumë luhatje dhe ende pa stabilitet deri më tani në kampionat.
Si e mendon dhe parashikon këtë duel special për ju?
Them se do jetë një ndeshje e hapur dhe për t’u shijuar dhe besoj se do ketë gola. Për parashikime mos më pyesni sepse nuk ia qëlloj ndonjëherë (qesh).
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













