EKSKLUZIVE/ Partizani kërkon të marrë futbollistë me peshë, ishi i Vllaznisë bëhet opsion për të kuqtë
Partizani duhet të ndërtojë ekip konkurrent jo vetëm për Europën, por për gjithë sezonin e ardhshëm. “Demat” kanë si dobësi krahun e djathtë të mbrojtjes, ku “Panorama Sport” mëson se opsion shfaqet së fundmi Geralb Smajli.

Dukshëm, Partizani nuk do të ndalet vetëm me afrime në mesfushë dhe sulm gjatë kësaj kohe. Të kuqtë akoma nuk kanë gjetur pasuesin e Andi Hadrojt në linjën e djathtë. Largimi i Anteo Osmanllarit po ashtu bën që Partizani të mos ketë asnjë futbollist, me rol natyral në atë pozicion. Smajli ka luajtur si mbrojtës i djathtë thuajse në gjithë karrierën. Pasi në Shqipëri dha kontribut vetëm për Vllazninë, u bë pjesë e Ballkanit në Kosovë dhe rikthimi në Shqipëri do të largonte një “hall” nga të kuqtë për merkaton para Europës.
CV E SMAJLIT Vllaznia e afroi tek ekipi i parë si i talentuar me moshat. Pas largimit të kapitenit Gurishta në vitin 2023, Smajli pati përgjegjësinë për ta zëvendësuar si duhet. Dhe ia doli në mënyrën më të mirë duke spikatur. 23-vjeçari u kthye në lider, ndërsa menjëherë vendosi të largohet për një eksperiencë të re. Smajli numëron 37 paraqitje në gjithë sezonin e fundit. Gjatë kësaj kohe shënoi një gol me Ballkanin dhe asistoi katër të tjerë. Suharekasit e mbyllën në vendin e dytë, duke mos konkurruar deri në fund me Dritën për titullin kampion. Smajli, po ashtu, ka luajtur me Kombëtaren U-21. Në 11 paraqitjet e tij ka shënuar edhe një gol. Paraqitja e fundit ishte pikërisht në tetorin e kaluar, ndërsa ndeshja ishte e vlefshme për kualifikueset e Europianit U-21.
OPERACION I VËSHTIRË Asgjë nuk do të jetë e lehtë për të afruar Smajlin në kryeqytet. Dhe nëse dëshira mes palëve ekziston, bëhet fjalë për transferim që do të kishte kosto financiare. 100 mijë euro ishte shuma e paguar nga Ballkani te Vllaznia një vit më parë. Kontrata e vlefshme deri në vitin 2028 është po ashtu tregues se suharekasit nuk do të nxitohen. Partizani ka treguar se nuk kursehet, nëse bëhet fjala për të plotësuar nevojat e skuadrës.
TRANSFERIMET Partizani deri tani ka vetëm një transferim të zyrtarizuar. Bëhet fjalë për Xhuliano Skukën. Sulmuesi dibran u rikthye përfundimisht në Superiore, pas eksperiencave në Francë, Slloveni, Portugali dhe Rumani. Skuka ka firmosur kontratë të vlefshme për tre vitet e ardhshme. Ishte telefonata e presidentit Demi, që e riktheu në kryeqytet. 26-vjeçari kishte edhe oferta të tjera nga Superiorja, por i qëndroi besnik Partizanit si zgjedhje e parë. Zyrtarizim tjetër pritet të jetë Vusal Isgandarli. Tjetër sulmues për Partizanin, që ka spikatur më parë në Superiore. Isgandarli mbahet mend tek Egnatia, për pjesën e parë të sezonit 2023-‘24. Rrogozhinasit po shtronin rrugën drejt titullit kampion dhe Isgandarli po bënte mjaft mirë. Më pas ishte Boluspor, që bleu kartonin e tij në janar nga kampionët e Shqipërisë. 29-vjeçari ka luajtur edhe me përfaqësuesen e Azerbajxhanit. Aktualisht ndodhet në Tiranë.
TË LARGUARIT Janë tri largimet zyrtare nga Partizani. Bëhet fjalë për David Domgjonin, Anteo Osmanllarin dhe Gjelbrim Taipin. Këto lojtarë përfunduan kontratën dhe nuk gjetën gjuhën e përbashkët me klubin për vazhdimin e saj. Blesing Eleke dhe Arzhonzh Bintsuka janë dy sulmues, për të cilët nuk dihet e ardhmja. Bashkë qëndrojnë pa kontratë. Për Eleken mbetet në dorën e klubit, nëse do vazhdojë bashkëpunimin. Në anën tjetër Bintsuka është i lëkundur për të ardhmen. Sulmuesi kongolez po studion ofertat jashtë Shqipërisë, për të nisur aventurë të re.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













