EKSKLUZIVE/ Pajtimi me grekët, kreu i FSHP-së: Lamë pas hatërmbetjet, ja takimi me Pirro Dhimën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2025 | 16:59

EKSKLUZIVE/ Pajtimi me grekët, kreu i FSHP-së: Lamë pas hatërmbetjet, ja takimi me Pirro Dhimën

Prej disa vitesh, Federata Shqiptare e Peshëngritjes dhe Federata e Greqisë kanë pasur përplasje, teksa gjithçka ka ardhur pas akuzave nga kreu i FSHP-së, Elez Gjoza, për palën helene, duke u faturuar disa raste dopingu të sportistëve shqiptarë që ishin stërvitur në shtetin fqinj.

Fidel Ylli, Pirro Dhima dhe Elez Gjoza, gjatë kongresit zgjedhor të Federatës Botërore të Peshëngritjes

Fidel Ylli, Pirro Dhima dhe Elez Gjoza, gjatë kongresit zgjedhor të Federatës Botërore të Peshëngritjes

Por tashmë mes dy federatave është rikthyer “paqja” dhe këtë e konfirmon vetë Gjoza, i cili thekson rëndësinë e prezencës së tre shqiptarëve në institucionin më të lartë të shtangës në Federatën Botërore të Peshëngritjes. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Gjoza flet për takimin me Pirro Dhimën (anëtari i Bordit Ekzekutiv në Federatën Botërore) dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Federatën Greke.

“Ne kemi pasur, le të themi, një hatërmbetje mes Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe Federatës Greke, pikërisht me Pirro Dhimën, një sportist shqiptar, një emër i madh, tri herë kampion olimpik. Unë personalisht isha i mendimit që nuk kishte kuptim që të vazhdonte kjo ndasi, pasi ne të dy jemi shqiptarë, jemi për një qëllim dhe para se të zhvilloheshin zgjedhjen më 23 maj në Arabinë Saudite, patëm një takim. Vendosa që ta takoj Pirron së bashku me Astrit Hasanin, duke bërë një bisedë treshe, ku e lamë të shkuarën pas, pasi duhet të shkojmë përpara dhe ashtu vendosëm që të tre, me një pajtim 100% të përbashkët”, deklaron Gjoza.

LOBIM SHQIPTAR – Gjoza thekson gjithashtu se Shqipëria tashmë ka një lobim të fuqishëm në Federatën Botërore, me Astrit Hasanin, president të Federatës së Kosovës, të Federatës Europiane dhe anëtar i Federatës Botërore. Me Pirro Dhimën, si anëtari më i votuar i Bordit Ekzekutiv në Federatën Botërore, ndërsa vetë Gjoza është edhe president i Federatës Ballkanike, si dhe kryetar i Komisionit të Marketingut në Federatën Botërore.

“Me bashkimin e të treve, treguam që kemi shumë forcë në Federatën Botërore, ku konkurrenca është shumë e madhe, është e jashtëzakonshme. Pirro Dhima doli anëtari më i votuar i Bordit, duke marrë votat maksimale. Sigurisht ishte puna e tij maksimale, por edhe mbështetja e Federatës Shqiptare dhe e Ballkanit, pasi i gjithë rajoni ishte me votë unanime për Pirron. Tashmë ne jemi tre shqiptarë në Federatën Botërore dhe, kur tre shqiptarë bëhen bashkë, arrihen gjëra të mëdha. Pra, tashmë ne jemi një pjesë e vendimmarrjes në Federatën Botërore të Peshëngritjes.

Këtë nuk e theksojmë për pushtet, por për lobim, ku ne të përfitojmë bursa, aktivitete, bazë materiale, anë financiare etj. Tashmë jemi të tre bashkë dhe kemi thyer çdo akullnajë me Pirro Dhimën dhe kjo gjë u mirëprit edhe nga vetë presidenti i Federatës Botërore, Mohamed Zhalud, si dhe nga Bordi Ekzekutiv. Ne ishim të tre së bashku në mbledhjen e parë të Bordit dhe të gjithë na uruan dhe na vlerësuan me dashamirësi. Ky është një lajm shumë i mirë në mënyrë të veçantë për Federatën Shqiptare dhe atë Greke. Gjithashtu me këtë rast dua të përmend edhe presidentin e Komitetit Olimpik, Fidel Yllin, si pjesë e negociatave për rregullimin e marrëdhënieve mes dy federatave”.

RIKTHIMI I HELENËVE – Kreu i FSHP-së, me këtë rast njoftoi edhe rikthimin pas disa bojkoteve të Greqisë, në aktivitet e peshëngritjes që do të mbahen në vendin tonë. “Pirro më konfirmoi që në Europianin që do të zhvillohet në Shqipëri, do të vijë ekipi i plotë nga Greqia, pasi në aktivitetet e kaluara kemi pasur mangësi. Pra, do t’i shtohen vendit tonë edhe disa turistë të tjerë, pasi shteti grek dërgon delegacion të gjerë për të tilla evente të rëndësishme. Ne së bashku vendosëm edhe organizimin e Kampionatit Ballkanik, aktivitet që gjithashtu do të zhvillohet në Tiranë. Na duhet patjetër edhe një opinion dhe mbështetje nga Pirro Dhima, i cili u shpreh edhe në mbledhjen e Bordit se ne kemi kaluar çdo qejfmbetje dhe se marrëdhëniet mes dy federatave tani janë të shkëlqyera”, përfundon kreu i shtangës shqiptare.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL