EKSKLUZIVE/ “Nuk ka nevojë për revolucion”, Mezani tregon “recetën”: Flamurtari mund të shërohet
Gentian Mezani nuk është thjeshtë tra jner por mund të quhet pa frikë edhe “doktori” që shëron skuadrat e Superiores. Vlonjati gjithmonë ka marrë skuadra që kanë “lënguar” por ka arritur t’ia dalë me sukses, sikundër bëri edhe me Gjilanin në Kosovë. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Mezani analizon situatën tek Flamurtari për të cilin gjithmonë është i gatshëm edhe në këtë situatë të vështirë ku ndodhet.

Trajneri që u afirmua tek kuqezinjtë por la gjurmë edhe tek Laçi, Luftëtari, Gjilani dhe Bylisi, mendon se Flamurtari ka probleme psikologjike. Ai thotë se skuadra nuk ka pasur stabilitet dhe se në çdo ndeshje ka pasur formacione të ndryshme. Shpreson që me Vllazninë të luajnë si në pjesën e dytë me Teutën. Mezani thotë se edhe sot do të vijonte të ishte trajner i Bylisit, por u larguar nga Ballshi për arsye familjare, por në këtë moment është i hapur ndaj çdo oferte, edhe të skuadrave të fundit të renditjes, të cilave më mirë se kushdo ua di “ilaçin”.
Mezani si luajti Flamurtari në Durrës, me Teutën? Pjesa e parë ishte për tu harruar. Dua që të komentoj vetëm pjesën e dytë të ndeshjes ku ishte një Flamurtar me epërsi dhe dëshirë për të fituar. Edhe pse Teuta lëshoi shumë terren mbrapa sepse normalisht ishte me një lojtar më pak. Kjo ndikon shumë sidomos kur ke një skuadër me elementë brenda siç është Flamurtari. Ishte normale të Teuta do të lëshonte disa metra më shumë në fushë dhe Flamurtari do ti fitonte ato. Unë mendoj se pjesa e parë në ndeshjen me Partizanin ka qenë e mirë dhe në pjesën e dytë u shfaq lodhje fizike. Ndërsa me Teutën treguan epërsi edhe ne aspektin fizik dhe ky ishte edhe ndryshimi. Skuadra ishte gjithmonë kërkese edhe pse jo konkrete. Është normale që në këtë situatë ku gjendet ekipi futbollistët nuk janë shumë të qetë dhe saktësia para portës është minimale. Unë mendoj se ajo ka ndikuar shumë, pra pozicioni i renditjes dhe rezultati në fushë që ishte në disfavorin tona, si dhe mënyra se si u kërkua të shkohej tek goli me një lojtar më pak. Ndoshta duhet të zgjidhej diçka ndryshe sepse duke marrë parasysh se Flamurtari nuk ka sulm me eksperiencë, por një sulm me lojtarë të rinj. Ne ishim në epërsi por po kërkohej në mënyrën e gabuar për të arritur tej rezultati, tek goli. Për kundërshtarin u bë më e lehtë.
Çfarë duhet bërë më shumë me këtë skuadër? Duhet të punohet më shumë në aspektin psikologjik. Pozicioni ku ndodhet padyshim që kërkon shumë punë psikologjike për të gjithë lojtarët, pavarësisht se Flamurtari ka lojtarë me eksperiencë në skuadër. Mendoj se do të dinë që ta zgjidhin situatën që në ndeshjen me Vllazninë. Po patjetër që gjërat janë vështirësuar dhe behën edhe më të vështira nëse nuk vjen rezultati pozitiv.
Mendoni ju që Flamurtari duhet të mendojë për të ndryshuar objektivin, që të mendojmë të qëndrojmë në Superiore, apo janë shanset që të pozicionohemi edhe në mes? Nga eksperienca ime, por edhe atë që unë mendoj kur marrë një skuadër, primare është të grumbullohen pikët sa më shpejt që të shpëtosh kategorinë. Ky është objektivi i parë. Pastaj duke njohur kampionatin shqiptar që është i paparashikueshëm. Për të huajt që vijnë këtu duket shumë i thjeshtë ose nuk i japin rëndësinë e duhur, por kampionati shqiptar është rritur shumë dhe është i vështirë. Ju e patë si ndodhi vjet. Laçi ra kur nuk mendohej se do të binte. Skënderbeu gjithashtu, pasi ne luanim në Korçë. Është i vështirë. Gjëja kryesore për çdo skuadër që ka shumë investime siç është edhe Flamurtari që ka investuar shumë, mendojnë që gjëja kryesore është do dalim kampion. Jo! Gjëja e parë është të grumbullohen pikët sa më shpejt për të arritur objektivin e parë që të mos biesh nga kategoria. Pastaj mund të hedhësh një hap tjetër që janë Kupat e Europës apo të dalësh kampion. Duke vendosur një objektiv që ne do të dalim kampion edhe futbollistin e vendos disi në presion në fillim të kampionatit.
Mendoni se kjo skuadër e mirëpaguar, ka kualitete që ta marrin përdore në këtë situatë të vështirë ku gjendet? Unë e kam ndjekur Flamurtarin në të gjitha javët që ka luajtur, por edhe në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë që e luajti në Orikum. Padiskutim që i njoh shumë mirë lojtarët dhe cilësitë e tyre. Unë mendoj se Flamurtari ka një skuadër shumë të mirë. Mund të bënin edhe shumë herë më mirë nga buxheti që kanë. Por atë e dinë drejtuesit që kanë bërë merkaton. Unë kam dy muaj që jam larguar nga ndeshjet e Superiores dhe e kam të freskët. Skuadrat e tjera nuk kanë ndonjë gjë më shumë se Flamurtari në kualitet, në cilësi. Problemi i Flamurtarit për mendimin tim është që në të gjitha këto javë, nuk ka luajtur dy ndeshje me të njëjtin formacion. Kemi dy ndeshje apo tri ndeshje që janë luajtur tri formacione të ndryshme. Do të thotë se po mbaron një fazë dhe kjo skuadër nuk është kolauduar akoma. Pra ne nuk kemi një formacion bazë që të nisim dy ndeshje resht. Duke ndryshuar lojtarët nuk do të kesh një ekip në formë të mirë fizike. Lojtarin e mban në formë aktivizimi.
Nëse do të ishit ju trajner i Flamurtarit në këto momente, çfarë fryme do të fusje në ekip? (Qesh). Është e thjeshtë që të flas tani, kështu…Kjo skuadër ka nevojë për aspektin psikologjik. Nëpërmjet lojës dhe testeve të ndryshme trajneri i kupton ku janë problemet. Nëse do të isha trajner i Flamurtarit…Përveç një skuadre që kam qenë në Gjilan dhe e ndërtova vetë, por edhe atëherë e kam marrë në kushte të tilla dhe ishim në vend të fundit por shpëtuam në “Play Off”, në të gjitha herët e tjera i kam marrë skuadrat në vështirësi, nuk i kam ndërtuar vetë. Kam gjetur skuadra nga ana psikologjike të dërrmuara. Duhet ta vendosësh lojtarin në aspektin psikologjik që ti marrësh në 30 minuta maksimumin, por ama të ketë anën psikologjike.
Keni pasur oferta gjatë kësaj periudhe? Jemi akoma në kuadrin e fjalëve. Kam pasur oferta por kam dëshiruar që të pres akoma.
Kjo do të thotë që ju po ktheheni apo po prisni të merrni atë skuadër në vështirësi edhe këtë vit? (Qesh) Është normale se ato skuadra që po ecin mirë nuk kanë nevojë të ndryshojnë trajner. Gjithmonë në vazhdim e sipër do marrësh skuadra që janë në vështirës. Tani jam mësuar se vajtën vite që po i marrë në vështirësi, kështu që…Të gjithë vlonjatët më kanë mbështetur gjithmonë edhe kur kam qenë në skuadër, apo edhe kur nuk kam qenë në skuadër. Gjithë kohës më kanë folur fjalë të mira. Është kënaqësi kur del në qytet dhe të përgëzojnë, kjo është një shtysë që të jesh me këmbë në tokë dhe të vazhdosh të bësh mirë gjithmonë. Në pritje do të jemi. Shpresoj që të marrë një skuadër sa më shpejt, sepse unë jam i rid he kam dëshirë që të punojë. Por në momentin që do të vijë nuk do të shikojë aspak pozicionin ku është skuadra.
Nuk do të shikoni as paratë? Jo ato nuk kanë qenë asnjëherë primare për mua. Primare për mua gjithmonë ka qenë të punoj dhe të bëj mirë në ato ekipe ku kam qenë.
Pse u larguat nga Bylisi? Unë jam larguar nga Bylis për arsyet e mira familjare. Unë sot akoma do të isha trajner në Ballsh. Kam kaluar shumë mirë aty.
Si është niveli i trajnerëve shqiptarë? Niveli i trajnerëve shqiptarë, tek ne të rinjtë që jemi, është rritur shumë. Kemi krijuar eksperiencën, por edhe informacioni është akoma më i madh. Edhe interesi ynë është i madh sepse është bërë një punë dhe profesion i padiskutueshëm. Ky është profesioni ynë pasi nuk dimë të bëjmë gjë tjetër. Ose do të bëjmë këtë gjë mirë, ose ndryshe nuk e bëjmë dot. Ju e shikoni vetë që me 3-4 humbje trajneri largohet. Ose duhet ta bësh mirë këtë punë, ose duhet ta bësh mirë, në të kundërt largohesh.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













