EKSKLUZIVE/ Nga Carja te Kofsha, kreu i FSHP-së analizon situatën: Shtanga, në duar të sigurta (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2025 | 22:50

EKSKLUZIVE/ Nga Carja te Kofsha, kreu i FSHP-së analizon situatën: Shtanga, në duar të sigurta (E PLOTË)

Pas mungesës historike në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, peshëngritja shqiptare është me sytë nga sektori i moshave, me disa elementë shumë premtues, të cilët shumë shpejt pritet të jenë bosht i Kombëtares së parë.gjoza-770x413Vetëm pak ditë më parë, ekipi kuqezi i të rinjve shkëlqeu në Botërorin që u mbajt në Lima të Perusë, ku mbi të gjithë spikati Enkileda Carja si kampione e trefishë për U-17, ndërsa u dalluan edhe Antonino Mullisi bashkë me Ertjan Kofshën. Në një prononcim për “Panorama Sport”, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, analizon situatën e sportit të shtangës në vendin tonë.

ENKILEDA CARJA – Gjoza fillimisht komenton botërorin e moshave, duke vlerësuar paraqitjen e peshëngritësve tanë, teksa e nis nga kampionia e trefishtë e botës për U-17, Enkileda Carja: “Ishte një Kampionat Botëror i suksesshëm, ku ne morëm 4 medalje, 3 të arta dhe 1 bronzi. Sportistja brilante e Shqipërisë, Enkileda Carja, së bashku me trajneren e saj, Eglantinën, bënë një performancë të jashtëzakonshme, duke i realizuar të gjashta provat. Rezultati nuk ishte i rastësishëm, pasi ne prisnim atë vajzë që të dilte kampione e botës, pasi në të gjitha garat brenda vendit ajo ka qenë në ato nivele, në mos edhe më lart. Pas dy muajsh ajo do të jetë kampione e padiskutueshme e Europës”, shprehet kreu i Shtangës Shqiptare.

ANTONINO MULLISI – Gjoza, më tej ndalet tek Antonino Mullisi, duke evidentuar rritjen e madhe të këtij peshëngritësi: “Performancë të shkëlqyer ka bërë edhe Antonino Mullisi i Vllaznisë. Ai ka pasur një progres me plot 70 kg, një rast i rrallë në peshëngritjen botërore. Një djalë vetëm 16 vjeç, i cili bëri një garë të jashtëzakonshme, duke u renditur i katërti në botë për U-17.

Me këtë rast dua të them fjalët më të mira për trajnerin e tij, Artur Lagjën, i cili ka bërë një ekip shumë simpatik në Shkodër. Edhe me Mullisin presim që të jetë kampion i padiskutueshëm në Europianin e moshave që do të mbahet në Madrid. Pra, progresi i këtyre sportistëve është i përditshëm dhe federata është treguar shumë e kujdesshme, duke bërë rrotacion të shpejtë si asnjë vend tjetër në Europë”.

ERTJAN KOFSHA – Për sa i përket Ertjan Kofshës, presidenti i FSHP-së shprehet kështu: “Ertjan Kofsha është një tjetër sportist me të ardhme të madhe, disa herë kampion i Europës, kampion bote në stilin e shkëputjes, por këtë herë nuk ia doli që të dilte kampion. Por sporti ka edhe disfata. Me 201 kg që ka bërë disa herë në Shqipëri në palestër, do të fitonte medaljen e artë botërore, por ne kemi një filozofi që nga dështimet nxjerrim mësime dhe i riparojmë. Edhe Kofsha pa diskutim do të jetë kampion Europe në kompeticionin e radhës. Shqipëria nga Madridi do të kthehet minimalisht me 9 medalje, nga këto do të jenë mbi 6 të arta”.

CALJA, QERIMAJ DHE RAMADANI – Duke kaluar në ekipin e të rriturve, Shqipëria vazhdon të jetë në duart e dyshes së “veteranëve”, të kampionëve si Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, të cilëve u është bashkuar edhe i talentuari Kristi Ramadani. Për dy të parët, Gjoza shprehet kështu: “Për Brikenin dhe Erkandin nuk kam çfarë flas, pasi ata kanë bërë historinë për sa i përket sportit të peshëngritjes, por mosha bën të vetën. Sporti është një lule e bukur që të gjithë i marrin erë dhe nuk e këpusin, kështu që Calja dhe Qerimaj janë drejt përfundimit.

I falënderoj që ata bëjnë përsëri garë duke përfaqësuar Shqipërinë, por ne tashmë i kemi zëvendësuar plotësisht këta dy sportistë legjendarë”, ndërsa më tej për Ramadanin ai shton: “Ndryshe është për Kristi Ramadanin, një djalë vetëm 24 vjeç, me një performancë të jashtëzakonshme, të shkëlqyer, i cili mori dy medalje në Europian. Kristi është një sportist me shumë vullnet dhe i disiplinuar, një djalë vërtet i mrekullueshëm”.

KOMBËTARE E RE – Gjoza thekson se Shqipëria ka ndërtuar një Kombëtare të rinovuar dhe me një grup në harmoni si kurrë më parë: “Ne kemi ndërtuar një ekip Kombëtar të ri me tetë djem dhe tri vajza. Nuk është problemi vetë te rezultatet dhe medaljet, por mbi të gjithë këta janë sportistë të edukuar. Është krijuar një Kombëtare shumë simpatike, ku të gjithë janë në harmoni, rrinë së bashku, stërviten bashkë, ndihmojnë njëri-tjetrin. Pra, këtë të rinj po rriten me një frymë të shkëlqyer si asnjë herë më parë”.

OLIMPIADA – Pas mungesës historike në “Paris 2024”, Gjoza deklaron se peshëngritja shqiptare do të shkojë me 3 kualifikime në Lojërat Olimpike në Los Anxhelos 2028, duke garantuar madje edhe medalje: “Peshëngritja është sporti që do të kualifikojë dy meshkuj dhe një femër në Lojërat Olimpike. Kjo nuk është prej dëshirës sime si president, por unë shikoj rezultatet aktualisht. Kristi Ramadani, Ertjan Kofsha dhe Enkileda Carja do të jenë pa diskutim në Olimpiadë dhe mund të them që nga Kofsha dhe Carja do të presim edhe medalje shqiptare olimpike.

Kemi edhe 3 vite e gjysmë përpara dhe këta sportistë të rinj do të mbërrijnë në kulmin e pjekurisë. Federata po i mbështet fuqishëm, duke bërë grumbullime 3-mujore në resortet më të mira të vendit, si asnjë federatë tjetër. Peshëngritja ka trajnerë të jashtëzakonshëm, duke nisur nga Leonard Toska, Artur Lagja, Eglantina Kalemi, si dhe shumë të tjerë, të cilët do të bëjnë histori në këtë 4-vjeçar. Unë kam premtuar që vetëm për vitin 2025 peshëngritja do të sjellë në Shqipëri 50 medalje ndërkombëtare”.

SHTANGA NË SHKOLLË – Është folur shumë për projektin për të futur edhe peshëngritjen në shkolla, temë për të cilën Gjoza shprehet kështu: “Në takimin që kemi pasur me Kryeministrin e Shqipërisë, për të cilin dua të them fjalët më të mira, ai është shumë i përkushtuar që të fusë edhe disa disiplina të tjera në shkolla, siç futi basketbollin dhe volejbollin, duke shtuar edhe peshëngritjen, mundjen dhe atletikën në këtë projekt.

Kjo do të jetë gjëja më e mirë që mund të bëhet për këto sporte individuale, të cilat me futjen në shkolla do të kenë një shpërthim të madh dhe do të na furnizojnë pafundësisht me elementë të rinj”, përfundon presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL