EKSKLUZIVE/ Nani karikon Dinamon para Skënderbeut: Të vendosur për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2025 | 14:13

EKSKLUZIVE/ Nani karikon Dinamon para Skënderbeut: Të vendosur për fitore

Nuk ndryshon fusha dhe as kundërshtari sot për Dinamon, ndryshon vetëm kompeticioni. Blutë përballen përsëri me Skënderbeun, këtë radhë në kuadër të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, një objektiv i rëndësishëm për klubin kryeqytetas. Pavarësisht mungesave me peshë që trajneri Daja ka pasur këtë periudhë, blutë duken “të dënuar” për fitore sot.

nani

Tiago Nani, protagonist me Dinamon në fundin e vitit 2024, kur shënoi disa gola në fitoret e 18 herë kampionëve të vendit, në një intervistë për “Panorama Sport”, është shprehur optimist për veten dhe për ekipin. Ai beson shumë se fitorja do të vijë shpejt, pasi skuadra është e bashkuar dhe ka punuar fort për ta kapërcyer këtë moment të vështirë. Portugezi nuk shqetësohet për mungesën e golit, duke theksuar se fokusi është vetëm te fitorja e skuadrës.

Viti 2025 nuk ka nisur mirë për ju personalisht, nuk keni shënuar ende. Çfarë po ndodh? Është e vërtetë që nuk kam shënuar ende, por jam plotësisht i fokusuar për të ndihmuar ekipin. Gjëja më e rëndësishme është performanca kolektive dhe e di që golat do të vijnë natyrshëm me punë dhe durim. Vazhdoj të jap maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje, ndaj besoj se së shpejti do të shënoj sërish.

As skuadra nuk ka marrë shumë pikë këtë periudhë, ka pësuar një humbje me Bylisin dhe ka marrë dy barazime së fundmi. Pse kjo paraqitje? Ne e dimë që rezultatet e fundit nuk janë ato që ne donim, por po punojmë për t’i kthyer gjërat si më parë. Kemi pasur ndeshje të vështira dhe përsëri kemi krijuar raste, por në disa momente na ka munguar efikasiteti në sulm. Ndoshta edhe mungesat kanë pasur ndikimin e vet. Grupi është i bashkuar, i fokusuar në korrigjimin e detajeve për kthimin e shpejtë në rrugën e fitores.

Dinamo luan sërish me Skënderbeun, këtë herë në Kupë. Si e parashikoni, do të jetë e njëjta ndeshje si disa ditë më parë? Mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi Skënderbeu është një ekip konkurrues, por jemi të përgatitur për ta përballuar si duhet. Kupa është një objektiv i rëndësishëm për ne dhe do të hyjmë në fushë me vendosmëri për të arritur fitoren. Nëse ruajmë përqendrimin dhe i zbatojmë mirë detyrat e lojës që na jep trajneri, besoj se mund të arrijmë me një rezultat të mirë, që është fitorja.

Çfarë mund të bëjë ndryshe nga kampionati Dinamo për t’u rikthyer te fitorja? Mendoj se në këtë moment është shumë e rëndësishme të jemi më efikas në mundësitë që krijojmë dhe të ruajmë fokusin nga fillimi deri në fund të ndeshjes. Ne kemi punuar për të rregulluar disa detaje, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Nëse arrijmë ë imponojmë lojën tonë si më parë dhe të jemi më të qëndrueshëm, besoj se do t’u rikthehemi shpejt fitoreve.

Tashmë ndeshjet janë më të dendura. Si e shikon ecurinë e Dinamos në vazhdim të këtij sezoni? Po, ndeshjet janë bërë gjithnjë e më intensive dhe kjo kërkon që ne të jemi gjithmonë në maksimumin tonë. Pavarësisht rezultateve të fundit, ekipi ka demonstruar përpjekje dhe cilësi. Ne e dimë se mund të përmirësohemi në disa aspekte dhe po punojmë për këtë. Besoj se me përkushtim dhe fokus do të vazhdojmë të rritemi dhe të arrijmë rezultatet që duam.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL