EKSKLUZIVE/ Moriero nuk tërhiqet, bën gati listën e përjashtimeve nga Flamurtari: Do lë njerëz në shtëpi, rrezikoj të luaj me fëmijë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2025 | 22:58

EKSKLUZIVE/ Moriero nuk tërhiqet, bën gati listën e përjashtimeve nga Flamurtari: Do lë njerëz në shtëpi, rrezikoj të luaj me fëmijë!

Qetësi përpara “furtunës”. Kështu mund të cilësohet situata në Vlorë, që nuk është aspak e qetë pas humbjes së Flamurtarit 0-3 me Dinamon të hënën.

moriero

Kjo javë do të jetë vendimtare, ndërsa do të vendosë përfundimisht edhe fatin e disa lojtarëve. Nuk përjashtohet një eksod masiv. Gazeta zbulon se pas ndeshjes, drejtuesit e klubit kanë thirrur në një takim trajnerin Moriero dhe stafin teknik, të cilin e kanë dëgjuar për pakënaqësitë që ka shprehur. Trajneri Françesko Moriero është i prerë në vendimet që do të marrë së bashku edhe me klubin.

Për “Panorama Sport” pas disfatës dramatike, tekniku italian thotë se merr përsipër përgjegjësitë, ndërsa qysh këtë javë do të lërë në shtëpi disa nga futbollistët që nuk i përgjigjen. Moriero thekson se njoftimet do të bëhen këtë javë për futbollistët që kanë zhgënjyer atë. Sipas italianit në këtë situatë, të gjithë duhet që të bëjnë një dush përulësie.

”Marr përgjegjësitë e mia sepse unë jam trajneri. Por këtë javë do të ketë njoftime. Do lë njerëz në shtëpi që nuk mund të bëhen pjesë e Flamurtari. Duhet të kuptojmë se duhet të përmirësohemi akoma më shumë. Duhet të bëjmë një dush përulësie”, shprehet fillimisht Moriero.

VENDIMI – Françesko Moriero e ka marrë tashmë vendimin. Me shumë mundësi futbollistët jashtë pritshmërive janë të shumtë, pasi italiani thotë se do të detyrohet të luajë me fëmijë. Italiani thekson se po vendos fytyrën e tij për njerëz që ecin në fushë, por tani nuk do të ketë më! Sipas trajneri, sjellja e lojtarëve në fushë duhet të jetë luftarake pasi tifozët vlonjatë meritojnë respekt.

“Nuk mund të lejoj asnjëherë që lojtarët që ishin në fushë të ecin. Sa të jem unë këtu këta njerëz nuk do të luajnë më! Rrezikoj që të luaj vetëm me fëmijë. Plasa duke vënë emrin tim, fytyrën time për njerëz që nuk veprojnë në fushë, që ecin. Publiku i Vlorës meriton respekt. Unë gjithmonë kam thënë që në futboll mund të gabosh. Mund të gabosh goli, mund të gabosh pasa, sepse është pjesë e futbollit. Por nuk mund të gabosh sjelljen. Sjellja duhet të jetë gjithmonë e një luftëtari që respekton publikun tonë, që respekton karakterin e trajnerit. Këtu në fakt ka njerëz që flasin dhe boll”, thotë italiani.

NDESHJA – Trajneri Françesko Moriero komenton edhe aspektin taktik dhe teknik në ndeshjen me Dinamon. Vlerëson pjesën e parë, por thotë se goli i parë i goditi. “Le të themi që në lojë kemi qenë në pjesën e parë. Goli i parë na “preu pak këmbët”. Skuadra në pjesën e parë ka bërë goxha mirë. Goli i parë erdhi nga një gabim personal, individual, po ashtu edhe i dyti dhe i treti. Këtu nuk mund të flasim më që ka lidhje me vrapimin me taktikën, por këtu është…nuk dua të përdorë fjalë… Njerëzit mund të flasin edhe taktikisht. Mendoj se taktikisht në pjesën e parë luajtën shumë mirë. Pastaj dolën limitet tona”, përfundon Moriero.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL