EKSKLUZIVE/ Medalje e rekorde në peshëngritje, Kalemi: Ju tregoj kampionen Enkileda Carja (E PLOTË)
Më pak se tre muaj nga titulli i trefishtë kampion në Botërorin U-17 në Peru, peshëngritësja Enkileda Carja mahniti edhe në Kampionatin Europian U-17 që po zhvillohet në Madrid.
Me një performancë të jashtëzakonshme, vajza e talentuar nga Elbasani fitoi tri medalje të arta, duke vendosur edhe plot gjashtë rekorde europiane në kategorinë e peshave 63 kg (dy në shtytje, dy në shkëputje dhe dy në dygarësh). Një sukses që vjen si rrjedhojë i binomit sportiste-trajnere, punës së pandalur që për vite me radhë Carja bën nën drejtimin e trajneres së saj, Eglantina Kalemi.
Kjo e fundit, në një prononcim për “Panorama Sport”, ka folur për arritjen e shkëlqyer të dy ditëve më parë në Madrid. Teksa rrëfen emocionet e garës, Kalemi tregon sekretin e këtyre sukseseve, si dhe objektivat e radhës. Ajo zbulon edhe dy modelet që ka Enkileda Carja në rrugëtimin e saj në peshëngritje, të cilët janë dy kampionët e mëdhenj të shtangës kuqezi, Briken Calja dhe Erkand Qerimaj.
Eglantina, si do ta komentoni garën e jashtëzakonshme që sportistja juaj, Enkileda Carja, zhvilloi në Madrid?
Gara e Madridit vinte pas një super gare në Kampionatin Botëror, dhe të jem e sinqertë, më shumë emocione kemi pasur në Kampionatin Europian sesa ne Botëror. Pra, në Madrid, megjithëse në letër duhej të ishte më e lehtë për ne, duke qenë se bëhej fjalë për Europian, gara kishte barrën e madhështisë, pasi vinim si kampione nga Botërori i Perusë.
I prisnit medaljet dhe rekordet e arritura në Kampionatin Europian?
Natyrisht që i prisnim, si medaljet gjithashtu edhe rekordet, përderisa si në stilin shkëputjes, po ashtu edhe në shtytje e nisëm garën me rekorde europiane. Pra, le të themi se ishim të përgatitura dhe me objektiva të qartë se çfarë donim të arrinim në Madrid.
Deri ku mund të mbërrijë Enkileda?
Këtë vit Enkileda ka bërë dy aktivitete super të suksesshme, falë punës se madhe dhe përkushtimit 100%, si nga sportistja, gjithashtu edhe nga unë si trajnere. Direkt mbas këtij aktiviteti do të fillojmë të hedhim piketat për përgatitjen e Europianit U-20, që do të zhvillohet në Tiranë nga 28 tetori deri më 5 nëntor. Ky Europian do të jetë dhe nga më të rëndësishmit për ne, pasi objektivi është i qartë. Ne kërkojmë që të dëgjohet himni i Shqipërisë edhe në Europianin U-20.
Cili është sekreti i këtyre rezultateve të mëdha që po arrini vit pas viti?
E kemi thënë gjithmonë, nëse kemi një sekret, ai është puna dhe vetëm puna, si dhe koordinimi e mirëkuptimi nga të dyja ne, sportiste-trajnere.
Keni ndonjë sportist/e shqiptar/e apo të huaj që ndiqni si model/e apo pikë referimi për Enkiledën?
Enkileda ka idhuj dy kampionët e mëdhenj të Shqipërisë, Brikenin dhe Erkandin, jo vetëm për rezultatet, por dhe për punën që bëjnë për të mbërritur në majë. Pikërisht ky fakt e inspiron dhe e ndihmon Enkiledën, e cila kërkon që, pse jo, të ecë edhe ajo ne rrugën e tyre dhe në të ardhmen të jetë një kampione e madhe edhe për të rriturat.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













