EKSKLUZIVE/ Largimi nga Tirana, Soler zbulon prapaskenat: Ka të bëjë me… (E PLOTË)
Pas largimit nga Tirana në mes të se zonit, Ian Soler ka vendosur të flasë hapur për herë të parë mbi vendimin e tij. Në një intervistë të sinqertë për “Panorama Sport”, mesfushori spanjoll shpjegon arsyet e mbylljes së aventurës me bardheblutë.

Pa polemika dhe pa akuza, duke theksuar profesionalizmin, respektin dhe dëshirën për të parë përpara. Soler flet gjithashtu për periudhën 1.5-vjeçare në Shqipëri, marrëdhënien me klubin, vendimet teknike dhe vlerësimin e tij për Tiranën, duke lënë pas një kapitull të rëndësishëm të karrierës dhe duke u përgatitur për hapin e radhës.
Ian, çfarë ndodhi që të bëri të largoheshe nga Tirana në mes të rrugëtimit tënd?
Futbolli ka të bëjë me momentet dhe kontekstin. Ndonjëherë jep gjithçka, sillesh profesionalisht, punon çdo ditë, dhe megjithatë situata nuk ndryshon. Ndjeva se ishte momenti i duhur për të mbyllur një kapitull me respekt dhe për të parë përpara. Pa dramë, pa justifikime. Thjesht një vendim i bazuar në atë që besoj se është më e mira për karrierën dhe të ardhmen time.
A ka të bëjë kjo largim me rezultatet e ekipit?
Jo. Kur gjërat nuk shkojnë mirë, përgjegjësinë e ndajnë të gjithë, lojtarët, stafi dhe klubi. Vendimi im nuk kishte të bënte me fitoret apo humbjet, por me drejtimin dhe momentin.
A është e vërtetë se kishte pakënaqësi mes palëve?
Në futboll është normale që jo të gjithë të shohin gjithmonë gjërat njësoj. E rëndësishme është mënyra se si e menaxhon situatën. Unë gjithmonë kam vepruar me respekt, profesionalizëm dhe ndershmëri. Ndonjëherë rrugët thjesht nuk përputhen më, dhe kjo është pjesë e lojës.
Si e vlerëson performancën e Tiranës?
Tirana është një klub i madh, me histori dhe presion. Ka pasur momente të mira dhe të vështira. Skuadra ka cilësi dhe shpresoj sinqerisht që klubi të gjejë stabilitet dhe sukses në vazhdim. Largohem me respekt për institucionin dhe njerëzit me të cilët kam punuar.
Si e sheh faktin që t’i dhe disa titullarë u latë jashtë për disa ndeshje?
Së pari, dua të sqaroj se kam qenë i dëmtuar për rreth tre javë dhe dua të falënderoj stafin mjekësor të klubit, sepse janë të një niveli shumë të lartë. Më ndihmuan shumë gjatë asaj periudhe. Më pas, këto janë vendime të trajnerit dhe si profesionist duhet t’i respektosh. U përqendrova te stërvitja, të qëndroja gati dhe të ndihmoja ekipin sa herë që ishte e mundur. Ky është mentaliteti im.
Si kanë qenë këto 1.5 vite në Shqipëri?
Në përgjithësi, shumë pozitive. Këto vite më ndihmuan të rritem shumë, si lojtar dhe si person. Të luaja këtu më dha dukshmëri dhe treg jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajonet përreth.
Sidomos viti i parë më përshtatej shumë. Luajtëm me një stil me zotërim të gjatë të topit, presion të lartë dhe kontroll të lojës, një mënyrë loje që i përshtatet perfekt karakteristikave të mia. U ndjeva rehat, i rëndësishëm dhe konstant. Falë asaj pune, sot ndihem i vlerësuar dhe i sigurt, dhe e di që ka interes dhe mundësi për hapin e radhës.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













