EKSKLUZIVE/ “Kam frikë nga aleancat në fund të kampionatit”, Dabulla analizon derbin: Presioni te Tirana, nuk lejohet humbja (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2026 | 23:34

EKSKLUZIVE/ “Kam frikë nga aleancat në fund të kampionatit”, Dabulla analizon derbin: Presioni te Tirana, nuk lejohet humbja (E PLOTË)

Në një moment delikat të sezonit për KF Tirana, ku objektivi kryesor mbetet mbijetesa në elitë, ish-mbrojtësi Rezart Dabulla analizon për “Panorama Sport” situatën aktuale të skuadrës bardheblu dhe ndikimin e rikthimit të trajnerit Orges Shehi.
dabulla

Sipas tij, Tirana ka shfaqur shenja përmirësimi, kryesisht në aspektin e organizimit dhe frymës së grupit, megjithatë problemet mbeten të thella dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Mes shqetësimeve për mungesën e një identiteti të qartë skuadre, varësinë nga lojtarët e huaj dhe frikën për ndikime jashtë fushës në fazën vendimtare të kampionatit, Dabulla ndalet edhe te sfida e shumëpritur ndaj Partizanit, duke e cilësuar atë vendimtare për fatin e sezonit.

Si e ke parë Tiranën në këtë kohë?

Me situacionin më është akoma, po ka një, domethënë përmirësim të ndjeshëm me ardhjen e Orges Shehi si trajner.

Kjo do të thotë që është ndjerë dora e tij, domethënë ka gjetur të vërë njerëzit në vendet e duhura?

Po, nga ajo që di unë, Shehi është një nga trajnerët që di të, domethënë që, si të them unë, të dijë t’i bëjë për vete lojtarët. Domethënë, di t’i bëjë për vete dhe t’i marrë maksimumin. Dhe unë besoj që në këtë periudhë kjo ka qenë ajo kryesorja, që lojtarët të bashkohen me njëri-tjetrin, të bashkohen me trajnerin, ta kuptojnë se ku kanë ardhur, ta kuptojnë se ku do ta çojnë Tiranën po të vazhdonte ajo, si të them, një lloj forme ku nuk jemi skuadër. Kupton, kjo ishte një ide e imja që s’kemi skuadër. Ky po mundohet të formojë një skuadër, të paktën me këta dhe me ata që janë, pavarësisht sesa futboll kanë.

Sa u merr?

Puna është që ky po mundohet dhe po i merr, besoj, maksimumin kësaj Tirane të formuar pa logjikë, kupton? Pa… nuk e di se kush e ka formuar, kupton, po çfarë rëndësie ka. Kryesorja është që të shpëtojmë këtë vit, se ky është synimi kryesor. Pastaj vjen sezoni tjetër, por njëherë të mbijetojmë dhe më pas të shohim çfarë do ndodhë. Mund të qëndrojnë, mund të formojnë një skuadër tjetër, por unë besoj që Shehi edhe këtë e ka treguar, që Tirana, të paktën në ato vitet që ka ndenjur, ka ditur të formojë skuadra të mira me lojtarë të mirë. Jo më kot ka dalë një vit kampion, një vit nënkampion.

Të shohim si do bëhet vitin tjetër, por ideja është të shpëtojmë këtë vit. Nuk ka mbaruar asgjë, ka ndeshje shumë të vështira përpara, siç është ajo me Partizanin. Unë prapë jam shumë skeptik, se në fund të kampionatit ka skuadra që bëjnë pakte dhe besoj se kanë filluar. Kam hall mos këto pakte dëmtojnë direkt Tiranën.

Të kam parë edhe në stadium. Kur ka ardhur Shehi, çfarë i mungon kësaj skuadre?

E kam parë edhe kur kanë qenë trajnerët e tjerë edhe kur është kthyer Shehi.

Sigurisht, por çfarë i mungon kësaj skuadre?

I mungon kryesorja, skuadra. Nuk bëhet kampionat vetëm me lojtarë të huaj. Një skuadër e mirë duhet të ketë minimalisht pesë, gjashtë lojtarë shqiptarë të afirmuar në kampionatin shqiptar. Duhen patjetër pesë, gjashtë. Pastaj ata duhet të dinë se kush është Tirana. Se mund të jenë pesë, gjashtë, por s’kanë qenë ndonjëherë me Tiranën.

Nuk mund të vijnë nga një nivel më i ulët…

Po, kupton? Unë flas për Tiranën ideale, atë që dua unë. Ka qenë brezi im dhe pak më përpara, ku kishim lojtarë shumë të mirë dhe që rrinin pesë, gjashtë vite te klubi. Sot nuk bëhet më ajo, por të paktën të marrin katër, pesë, gjashtë lojtarë shqiptarë të afirmuar. Siç i kanë skuadrat e tjera Dinamo, Vllaznia, Egnatia, Partizani. Të gjitha këto skuadra i kanë shqiptarët që mbajnë peshën. Kurse ne duam të dalim kampion me lojtarë të huaj

Si e sheh derbin?

Derbi është shumë i vështirë. Vjen në një moment kur të dyja skuadrat kanë nevojë për pikë. Partizani lufton për “Final Four”-in, ne për mbijetesë. Më e vështirë është për ne, sepse përgjegjësia është më e madhe. Nëse humbim, jemi kandidatët kryesorë për të rënë nga kategoria bashkë me Flamurtarin. Duhet patjetër të paktën të mos humbim.

Si janë skuadrat në këtë moment për nga cilësia dhe loja?

Partizani ka qenë më mirë këtë periudhë. Nuk është kollaj që nga fundi i tabelës të arrijë të luftojë për objektiva. Ne vazhdojmë të luftojmë për mbijetesë. Unë e kam thënë që në fillim që do ishte e vështirë.

E ke thënë edhe më parë…

Po. Partizani ka bërë shumë më mirë. Ka lojtarë të mirë, staf të mirë, president… mund të jenë të gjitha bashkë. Ka bërë punë më të mirë.

Por Tirana fitoi një derbi 3-0…

Po, por erdhi nga gabime. Goli i parë nga mosmarrëveshja portier-mbrojtës, i dyti penallti. Në dy ndeshjet e tjera nuk hymë fare në lojë. Tani me Shehin është ndryshe. Ai është ekspert derbesh. Shpresojmë ta fitojmë, sepse na duhet patjetër. E shoh shumë të rrezikuar skuadrën.

Po për aleancat?

Kam frikë nga këto. Në fund të kampionatit ndodhin pazare, lëshime. Kam frikë mos e pëson Tirana. Prandaj duhet të fitojmë vetë ndeshjet tona.

Problemet në mbrojtje a ekzistojnë?

Janë të mëdha. Ka papërgjegjshmëri. Nuk kuptoj si një lojtar rrëshqet tre-katër herë në ndeshje. Duhet të zgjedhë këpucët sipas fushës. Këto janë bazike. E kam për Kortezin në ndeshjen e fundit.

Në kohën tuaj si ishte?

Ishte më e vështirë për pajisje, por ne mbanim tre-katër palë këpucë. I provonim para ndeshjes. Sot nuk e kuptoj këtë neglizhencë.

Kampionatin si e sheh dhe çfarë do të ndodhë në “Final Four”?

Kam qenë kritik. Për mua kampion është ai që del i pari pas sezonit të rregullt. Por kjo formulë e re është pak më e drejtë se ajo e vitit të kaluar.

Po stadiumet?

Nuk ka njerëz. Përveç derbit, stadiumet janë bosh. Pra formula nuk ka funksionuar.

Një koment të fundit?

Tirana e ka vetë fajin. Nuk mund të rrish gjithë sezonin duke luftuar për mbijetesë dhe të pretendosh. Është realitet i hidhur.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL