EKSKLUZIVE/ “Kam besuar te Partizani edhe kur ishim -12 pikë nga vendi i 4-t”, Kërnaja: Presion nuk ka, por ekziston përgjegjësia (E PLOTË)
Partizani kaloi një provë të vështirë në derbin ndaj Tiranës, të fituar me rezultatin 2-0. Megjithatë, tashmë ajo fitore është konservuar dhe vëmendja ka kaluar te ndeshja me Flamurtarin.
Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, foli për “Panorama Sport” në lidhje me ndeshjen ndaj vlonjatëve, duke theksuar se pret një sfidë mjaft të luftuar, ndërsa shtoi se skuadra e tij bazohet te forca e grupit dhe se loja nuk bazohet te individi. Sakaq, Kërnaja tha se nuk e ndjen presionin për të arritur objektivin që është vendi i katërt, pasi ai dhe lojtarët gjithnjë kanë besuar se mund t’ia dilnin edhe kur ishin 10 apo 12 pikë larg.
Si është atmosfera në skuadër para ndeshjes me Flamurtarin?
Gjendja është e mirë. Atmosfera është e mirë, kuptohet. Siç ka qenë thuajse çdo seancë e mëparshme.
A ndjehet presioni tashmë që jeni më pranë vendit të katërt?
Presion nuk mund të themi, por përgjegjësi po, sigurisht. E kemi thënë dhe kemi besuar edhe kur ishim 10-12 pikë larg që Partizani, për vetë emrin dhe emblemën që përfaqëson, gjithmonë do të konkurrojë për trofe dhe pozicionimin sa më lart në tabelën e klasifikimit.
I keni fituar të dyja ndeshjet me Flamurtarin, a ju jep kjo më shumë besim për sfidën e së dielës?
Sfida me Flamurtarin është një sfidë e vështirë dhe delikate. Pavarësisht pozicionit në tabelë, Flamurtari është një ekip i mirëinvestuar me lojtarë cilësorë, që mund të të bëjnë keq në çdo moment. Dy ndeshjet e mëparshme kanë qenë të luftuara deri në minutën e fundit, gjë të cilën e pres edhe në këtë ndeshje. Të jetë e luftuar deri në fund, sigurisht që ne do të hyjmë për fitore si çdo ndeshje tjetër! Vetëm me fitore arrihet të ecet përpara.
Në tre ndeshjet e fundit keni ndryshuar shumë pak formacionin, vetëm Buxhelajn me Atanaskoskin ndaj Tiranës… Do të ketë ndryshime ndaj Flamurtarit apo titullarët janë në formë?
E kemi thënë, Partizani nuk përbëhet nga individët. Partizani bazohet tek forca e grupit. Kushdo që luan do të japë maksimumin për të arritur tek fitorja. Sigurisht, ekipi ka disa baza, një bosht, por secila ndeshje ka specifikën e vet!
Si është situata me të dëmtuarit, a ka ndonjë dëmtim?
Të dëmtuarit vazhdojnë, përveçse Doumbia, i cili pas rikuperimit nga dëmtimi mungon për shkak të kartonëve. Të tjerët vazhdojnë të jenë të dëmtuar, sepse dëmtimet e tyre janë fraktura si ACL dhe duan kohën e tyre të gjatë për rikuperim. Jemi të gëzuar që Keko, Çipi dhe Nondi kanë filluar vrapimet dhe pjesën e parë të stërvitjes e bëjnë me ekipin, por janë akoma shumë larg për t’u bashkuar plotësisht me ekipin.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













