EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri Kovaçi analizon Botërorin e Bahrejnit: Calja mbuloi federatën, punohet dobët në Kombëtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2024 | 11:10

EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri Kovaçi analizon Botërorin e Bahrejnit: Calja mbuloi federatën, punohet dobët në Kombëtare

Shqipëria mbylli konkurrimin e saj në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, duke u kthyer nga Bahrejni me një vend të katërt me Briken Caljen në stilin e shkëputjes.

zef-kovaci

Kristi Ramadani e mbylli dygarëshin në vend të 16-të, ndërsa Erkand Qerimaj dogji të tria provat në shkëputje. Me rreth katër dekada si trajner në Kombëtare dhe tashmë në pension, Zef Kovaçi, ka analizuar paraqitjen e Shqipërisë në Botërorin 2024. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Kovaçi thotë se rezultati i Caljes, shpëtoi apo mbuloi federatën dhe se ky kompeticion duhet të shërbejë si kambanë alarmi. Ish-trajneri e vendos theksin te puna jo e mirë që bëhet në palestrën e Kombëtares, ndërsa e shikon si shumë të vështirë të ardhmen për peshëngritjen kuqezi.

Profesor Zef Kovaçi, si do ta vlerësoni bilancin e përgjithshëm të Shqipërisë në Kampionatin Botëror të peshëngritjes?

Shyqyr që mori Brikeni vendin e katërt, sepse do të quhej dështim total. Më vjen keq që e them, pasi djemtë kanë qenë në gjendje të mirë me sa kam patur informacion në garat e kontrollit që ata kanë zhvilluar. Madje Brikeni ka qenë edhe shumë më mirë dhe nuk e di çfarë i ndodhi në garë, edhe pse rezultati i tij ishte në nivele të larta. Kjo duhet të shërbejë si kambanë alarmi për federatën, pasi nëse shikon edhe tabelat me datëlindjet e sportistëve që morën pjesë në Botëror, Erkandi dhe Brikeni ishin dy peshëngritësit me moshën më të lartë në këtë aktivitet. Por me vendin e katërt Brikeni sikur e shpëtoi federatën nga ky kompeticion.

Si duhet lexuar rezultati i Caljes, protagonist me vend të katërt në stilin e shkëputjes, ndërsa dështoi provat në shtytje?

Vendi katërt në botë është një arritje e madhe dhe nuk hidhet poshtë, pavarësisht se ne ishim mësuar me Brikenin me medalje, me vende të para, të dyta dhe të treta. Ai ishte vetëm 1 kg larg vendit të tretë dhe gjithashtu me diferenca jo të mëdha me vendin e parë, pra ishte rezultat mjaft i mirë. Për sa i përket shtytjes, në këtë stil nuk është se kishte shumë pritshmëri në fakt, duke ditur edhe problemet me shpatullat që ka pasur gjithmonë. Por paraqitja e Brikenit ishte e suksesshme dhe me rezultatin e tij ka mbuluar edhe federatën. Brikeni qëndron në Shtërmen dhe nuk bën kurrë garë në palestrën e Kombëtares në Tiranë, ndërsa në rezultate del më mirë se të gjithë. Kjo është gjithashtu një kambanë tjetër alarmi që tregon se një njeri që nuk pranon të grumbullohet del me rezultate më të mira se të tjerët. Pra ngrihen shumë pikëpyetje për punën që bëhet në grumbullimin e Kombëtares dhe tregon që sa dobët punohet këtu. Kjo ndodh prej vitesh, pasi Brikeni nuk ka besim te stërvitjet që bëhen në Kombëtare dhe ka dalë gjithmonë më mirë se të tjerët.WhatsApp Image 2024-12-12 at 11.20.24Ndërkohë në peshën 81 kg, Kristi Ramadani ishte shumë larg më të mirëve, ndërsa Erkand Qerimaj nuk u klasifikua në dygarësh….

Asnjëri prej tyre nuk shkonte për medalje në Botëror, të dy garuan në Baterinë B, dhe kuptohej edhe te deklarimet. Tani pesha 81 kg ku garuan ata nuk është më siç ishte në kompeticionet para Olimpiadës, një peshë që nuk shkonte askush nga më të mirët. Tani kjo peshë është bërë normale dhe me konkurrencë si gjithë peshat e tjera. Para Olimpiadës fati jonë dhe i këtyre djemve ishte se konkurruan në një peshë pa rivalitet. Mjafton të shikosh tabelat me rezultatet e Botërorëve në peshën 81 kg, ku vendi i parë në vitin 2023, këtë vit nuk futet dot as në dhjetëshe.

Si e shikoni të ardhmen për peshëngritjen shqiptare?

Më vjen keq që e them, por nga të rinjtë, duke përjashtuar Ertjan Kofshën dhe Enkileda Carjen, nuk shikoj ndonjë emër tjetër. Është krijuar një boshllëk i madh, një temë të cilën e kemi diskutuar. Edhe Kristi Ramadani është 24-25 vjeç, në kulmin e rezultateve të tij. Shkenca e peshëngritjes ka treguar që nëse përballesh në moshën me të rinjtë me më të mirët e Botës apo të Europës, siç bëjnë Kofsha dhe Carja, nuk mund të pretendosh që të dalë ndonjë mbi 20 vjeç. Ne madje kemi pasi sportistë shumë të mirë në moshë të re dhe më pas nuk kanë ecur me të rriturit. Pra, dy të rinj premtues janë shumë pak, pasi sporti ka treguar që një dëmtim apo problem të kthen pas. Kështu që ne duhet të kemi dhjetë sportistë të rinj që të pretendojmë, pasi edhe nëse dëmtohen një apo dy, mbeten tetë. Një ekip për tu plotësuar kërkon dhjetë meshkuj dhe dhjetë femra për të bërë një skuadër, ndërsa ne kemi vetëm dy, ku edhe ata nuk janë me të rriturit. Tani të presim disa vite me Kofshën dhe Carjen që të ecin me këtë ritëm për t’u futur mes më të mirëve të Botës apo Europës me të rriturit. Por për disa vite na pret një periudhë e vështirë dhe ky është realiteti i hidhur, të cilin nuk kemi sesi ta fshehim.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL