EKSKLUZIVE/ Ish-futbollisti i Flamurtarit, Haxhiu do “shkundjen”: Ky qytet nuk pret më, na jepni një fije shprese (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2025 | 22:01

EKSKLUZIVE/ Ish-futbollisti i Flamurtarit, Haxhiu do “shkundjen”: Ky qytet nuk pret më, na jepni një fije shprese (E PLOTË)

Saimir Haxhiu kërkon “shkundjen” e Flamurtarit pasi Vlora nuk pret më. Ish-futbollisti “vesh” me përgjegjësi trajnerin Karlos Garsia, drejtorin Artim Pollozhani dhe stafin teknik.haxhiu

Është e pajustifikueshme, sipas tij që asnjë prej tyre bashkë me futbollistët nuk kërkuan falje pas humbjes me Vorën. Gjatë një interviste enkas për “Panorama Sport”, Haxhiu tha se Idrizi po i jep trajnerit Garsia gjithë kohën e nevojshme dhe që në kushte të tjera do të shkarkohej. Ish futbollisti i dinastisë “Haxhiu”, kërkon reflektim dhe kthesën e me menjëhershme me Egnatian të dielën në Vlorë.

Haxhiu e ndoqe ndeshjen Vora-Flamurtari, çfarë nuk funksionoi te vlonjatët?

Patjetër që e ndoqa se kur luan Flamurtari ky është emocioni i ditës. Të them të drejtën nuk funksionoi asgjë. Një skuadër apatike që ndryshoi marsh vetëm me futjen në lojë të Ememe dhe nga lodhja e Vorës.

Nga duhet të fillojë ndryshimi i këtij Flamurtari?

Për fat të keq ndryshimin e ka në dorë trajneri. Ai duhet të gjejë çelësin e ndryshimit. Garsia po fillon të njohë kampionatin dhe nëse është i përgatitur për atë që është marrë, duhet të bëjë dhe zgjidhjen.

Çfarë përgjegjësie ka trajneri dhe stafi teknik?

Në një skuadër ku nuk mungon asgjë, kushte moderne dhe lekë pafund përgjegjësi ka trajneri me stafin e tij dhe me drejtorin mbi kokë. Të shkunden se ky qytet nuk po duron më. Katër javë dy pikë. Kemi justifikuar gjithkënd e gjithçka. Kemi justifikuar trajnerin sepse është i ri dhe nuk e njeh kampionatin shqiptar. Kemi justifikuar lojtarët se nuk njihen dhe u duhet kohë për t’u lidhur me njëri-tjetrin. Edhe sepse luajmë jashtë por ky nuk është justifikim për një skuadër që kushton miliona euro. Por nuk justifikoj dot që nuk e mori njeri përgjegjësinë, as drejtori, as trajneri apo futbollistët super të paguar. Ata duhet të dilnin e ti kërkonin ndjesë një publiku të tërë vlonjat që nuk po gëzon dot e të shoh Flamurtarin ku i takon. Nuk nxitoj tu drejtohem të hapni krahun nëse nuk janë në gjendje ta ndryshojnë këtë situatë. Gjeni mënyrën të na jepni një fije shprese! Shkunduni djem se nuk e shohim dot të fundit veten!

Ka ardhur koha qe trajneri Grasia të dorëhiqet?

Trajnerin e shoh pasionant dhe të përkushtuar, por në futboll nuk mjafton kjo. Fakti që ishte larg kampionatit tonë po e penalizon shumë. Presidenti po i jep të gjithë kohën e duhur. Në kushte të tjera do të ishte shkarkuar. Mirë bën që beson tek ai akoma, por jo vetëm trajneri, por i gjithë stafi teknik duhet të marrin përgjegjësi patjetër.

Mendoni se ka dalë Flamurtari nga objektivat?

Jo nuk mendoj. Është ende shpejt për daljen nga objektivat pasi kampionati është i gjatë, por fillimi ishte jashtë parashikimeve. Duhet reflektim nga të gjithë!

Të dielën luajnë me Egnatian në Vlorë ku do të inagurohet edhe stadiumi. Çfarë prisni dhe sa e mundur është fitorja e kësaj ndeshje të vështirë?

Uroj që me rikonstruksionin e stadiumit gjithçka të kthehet në festë duke fituar me Egnatian. Çdo gjë e mundur. Administratori Sinan Idrizi me shpenzimet dhe stadiumin u fut në “Champions”. Ishallah e ndjek edhe skuadra nga pas.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL