EKSKLUZIVE/ Ilir Dajës i largohet tjetër mbrojtës, merkato e Dinamos mund të mbyllet me surprizë
Dinamo ka bërë pak lëvizje në merkaton e dimrit. Një situatë e ndikuar edhe nga fakti se blutë kanë një organikë të kompletuar dhe nuk kanë pasur ndonjë emergjencë për afrime. Mesfushori Fjoart Jonuzi dhe portieri Tomas Kiri janë dy lojtarët e vetëm që i janë bashkuar skuadrës së Dajës deri në këtë moment.

Në anë tjetër, është larguar mbrojtësi Mateo Muzek. “Panorama Sport” mëson se edhe largimi i dytë nga radhët e kryeqytetasve do të jetë një mbrojtës qendre dhe bëhet fjalë për Antonio Miçon.
Palët pritet që të mbyllin bashkëpunimin me mirëkuptim. Miço nuk ka gjetur hapësira aktivizimi te Dinamo, ku në prapavijë ka pasur një konkurrencë të fortë, aq më tepër që trajneri Daja ka aktivizuar në qendër të mbrojtjes dy lojtarë me eksperiencë si Bruno Dita dhe Naser Aliji, të cilët kanë pozicione të tjera natyrale. Në këto situatë, për 25-vjeçarin e lindur në Athinë, hapësirat janë mbyllur dhe ai ka menduar largimin për te një skuadër tjetër, ku mund të luajë rregullisht.
Miço u bashkua me Dinamon në fundin e merkatos së verës dhe luajti vetëm në një ndeshje si zëvendësues. Mbetet të shihet, nëse deri në fund të merkatos klubi dinamovit do të bëjë ndonjë ndërhyrje për qendrën e prapavijës, duke qenë se largohen dy lojtarë të këtij sektori, apo jo. Përveç Ditës dhe Alijit, janë të gatshëm në skuadër edhe Rustem Hoxha dhe Agron Rufati. Më shumë se për qendrën, gjatë kësaj periudhe drejtuesit e Dinamos kanë menduar për një mbrojtës të djathtë, që të ishte alternativë e Meksit, por nuk kanë gjetur asnjë pistë bindëse.
SURPRIZA – Klubi blu ndërkohë nuk e ka ndërprerë punën në merkato, edhe pse nuk ka presionin për të bërë me çdo kushte përforcime. Te Dinamo tashmë nuk kërkohen thjesht numra, por kualitet, siç ka pohuar edhe vetë trajneri Daja së fundi.
Janë parë profile të ndryshme lojtarësh, megjithatë ata nuk kanë bindur se mund t’i ofrojnë skuadrës më shumë kualitet se ata që janë aktualisht pjesë e grupit. Nuk përjashtohet mundësia që orët e mbetura deri në mbylljen zyrtare të merkatos të ketë ndonjë surprizë te kryeqytetasit. Si në hyrje, ashtu edhe në dalje.
Sa i takon ndonjë shitjeje të mundshme, ajo mund të ndodhë vetëm për një ofertë të parezistueshme nga klubet e huaja. Dhe në këtë rast dihet se kush janë lojtarët më të lakmuar të bluve në treg, sulmuesit Mandela dhe Zabërgja. Për ndonjë përforcim të fundit duhet të plotësohen disa kushte, siç janë niveli i lojtarit dhe se sa mund t’i shërbejë ai Dinamos këtë sezon dhe në të ardhmen. Këto tri ditë mund të sjellin ndonjë zhvillim interesant në kampin dinamovit, presidenti Adrian Bardhi e ka treguar se di të godasë me surpriza në merkato.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL













