EKSKLUZIVE/ Ikën edhe një titullar, Skënderbeu shet Rabiun. Zbulohet shifra që përfitojnë korçarët
Në momentin më të keq të ekipit, kur skuadra po vuan për të grumbulluar pikë për mbijetesën, drejtuesit e klubit kanë arsyetuar si vendim të duhur shitjen e një tjetër titullari të rëndësishëm, pas Rashicës, që u shit te Metalist Kharkiv në Ukrainë për 800 mijë euro.
Mario Rabiu është largimi i radhës nga bardhekuqtë. “Panorama Sport” konfirmon se mesfushori nigerian është shitur nga Skënderbeu dhe nuk do të jetë më në dispozicion të trajnerit Ernest Gjoka.
Mësohet se destinacioni i shitjes është në Kazakistan te skuadra e Aktobe. Burime bëjnë me dije se gjithçka është e mbyllur dhe pritet që klubi të dalë në një njoftim zyrtar për të zyrtarizuar të ardhmen e mesfushorit. Shifra që Skënderbeu do të përfitojë nga ky transferim është 250 mijë euro, ndërkohë mësohet se klubi korçar ka mbajtur edhe 20% të kartonit në rast të një shitjeje tjetër të mëvonshme.
Në vendin e Rabiut pritet të luajë Paulo Estrela, portugezi që erdhi në merkaton dimërore.
Nigeriani Mario Rabiu kujtojmë që është rritur në Itali dhe ka luajtur atje me ekipe të tilla, si: Modena, Grosete, Viterbese dhe më 1 korrik të vitit 2023 u bë pjesë e Skënderbeut. Me bardhekuqtë ka qenë titullar i padiskutueshëm dhe një lojtar shumë i rëndësishëm, teksa këtë sezon është aktivizuar 20 ndeshje me 1779 minuta dhe me një gol të shënuar. Sakaq, pavarësisht se ka vendosur ta dobësojë skuadrën, Skënderbeu ka arritur të arkëtojë 1.05 milionë euro nga këto dy shitje, shifër shumë domethënëse për situatën ku ndodhet klubi korçar.
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL













