EKSKLUZIVE/ “I larguar që në janar, por më mohuan Teutën”, Hoxhaj zbulon bisedën me Agostinelin: Duhet të jesh i keq, që të marrësh mundin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2025 | 23:33

EKSKLUZIVE/ “I larguar që në janar, por më mohuan Teutën”, Hoxhaj zbulon bisedën me Agostinelin: Duhet të jesh i keq, që të marrësh mundin

Ardit Hoxhaj, në një rrëfim me “zemër të hapur” për sezonin dhe largimin me shumë pengje e pikëpyetje nga shtëpia e tij, Flamurtari. Nga “persekutimi” që i bëri ish-trajneri Andrea Agostineli, tek etja për të luajtur futboll, sulmuesi vlonjat vendos të flasë troç në një intervistë ekskluzive dhe me shumë doza emocioni në “Panorama Sport”. Thotë se ka qenë në top formë, por nuk e kuptoi vendimin e trajnerit italian.

Screenshot 2025-07-04 105235

Hoxhaj zbulon se i ka thënë Agostinelit: “Ndonjëherë duhet të jesh djalë i keq të marrësh atë që meriton”. Vlonjati tregon se në janar do ta çonin të luante në ekipe të tjera të Kategorisë së Parë, si dhe nuk e lejuan të transferohej te Teuta, ku kishte një ofertë konkrete. Madje, edhe largimi nga Flamurtari në ditët e fundit nuk ishte zgjedhje e tij. Megjithatë, tani kërkon një skuadër ku të luajë dhe të jetë i qetë. Rrugëtimin e Flamurtarit në Superligë e shikon të vështirë, ndërsa mendon se, më shumë se një buxhet i madh, i duhet zgjuarsi dhe një grup i mirë lojtarësh.

Hoxhaj, keni një reagim ndaj deklaratës së trajnerit Agostineli se e kupton zhgënjimin tuaj, por në futboll nuk bëhen të gjithë të lumtur?

Nuk dua të komentoj deklaratën e trajnerit, pasi çdo lojtar që të luante, do të bënte mirë. Për këtë gjë jam i lumtur, sepse ata janë shokët e mi.

Pse mendoni se Agostineli nuk ju dha minutat e duhura?

Nuk kam arritur kurrë ta kuptoj marrëdhënien time me trajnerin. Nuk di çfarë përgjigje të jap për këtë, por mendoj se meritoja më shumë respekt dhe një trajtim tjetër. Puna e minutave është e hershme, nuk është tani te Flamurtari, por 10 vite më parë te Skënderbeu, e njëjta histori.

Ju vetë, keni qenë në formë të mirë?

Unë jam stërvitur çdo ditë. Nuk di të kem pasur një mungesë në seancat stërvitore nga fillimi i punës deri në fund. Shumë gazetarë dhe sportdashës më pyesnin herë pas here: “Çfarë ke, je i dëmtuar që nuk po luan?”. Nuk kam pasur asnjë lloj lëndimi. Jam stërvitur si profesionist deri në fund dhe kam mbajtur gojën e mbyllur dhe nuk kam bërë problemin më të vogël, vetëm që ekipi të arrinte objektivin, ngjitjen në Superiore. Ia kam thënë trajnerit Agostineli në fytyrë që ndonjëherë duhet të jesh djalë i keq të marrësh atë që meriton.

Po Agostineli, çfarë ju ka thënë?

Ma ka mohuar këtë gjë, por më pas u vërtetua në disa situata që ndodhën në ekip dhe e dinë të gjithë. Me pak fjalë, sakrifikova veten time për të mirën e ekipit duke mbajtur grupin në momente delikate.

Flamurtari u ngjit në Superiore. Cila është ndjesia jouaj si vlonjat?

Më vjen mirë që ekipi u ngjit në Superiore pas një kohe të gjatë. Flamurtari është aty ku e ka vendin dhe ku duam ta shikojmë të gjithë.

Largimi juaj, ishte një zgjedhje personale apo vendim i klubit?

Të them të drejtën, kurrë nuk do largohesha me dëshirë nga Flamurtari. Largimin ma kanë treguar që në janar, duke më sugjeruar edhe ekipe në Kategorinë e Parë ku të shkoja. Por, në momentin që mora një ofertë nga presidenti Teutës, i cili më hapi dyert në atë kohë, nuk më lejuan. Këtë gjë përsëri nuk e kuptova.

Ku do e vijoni karrierën sezonin e ardhshëm?

Tani për mua pak rëndësi ka emri i ekipit. Dua të gjej një ekip, ku biseda e parë do jetë me trajnerin dhe të shikoj çfarë konsiderate ka për mua. Kam nevojë për një vend që të gjej qetësi dhe të luaj futboll. Të kënaqem nuk kam nevojë në këto momente.

Si e shikoni rrugëtimin e Flamurtarit në Superiore?

Rrugëtimin e Flamurtarit këtë vit e shikoj të vështirë, pasi 6 ekipe në Superiore janë të konsoliduara dhe të forta. Më shumë se një buxhet i madh duhet edhe zgjuarsi dhe një grup i mirë lojtarësh. Një grup i shëndetshëm nga brenda. Flamurtari ka lojtarë të fortë dhe mendoj se këta lojtarë që kanë bërë diferencën në Kategori të Parë. Këta do ta marrin përsëri Flamurtarin prej dore dhe do jenë liderët e ekipit.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL